• |
ide | kryesore

OSBE-ODIHR “nxin” 30 qershorin: Dhjetëra shkelje të ligjit në zgjedhje pa rivalë

Lajme, Të fundit

Në asnjë rresht të Raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit nuk thuhet se zgjedhjet ishin demokratike apo nëse zgjedhjet arritën standardet ndërkombëtare. Një vlerësim i tillë mungon edhe pse gjithmonë ka pasur një konstatim në zgjedhjet e kaluara.

Të gjithë prisnin një përgjigje për pyetjen nëse zgjedhjet e 30 qershorit ishin legjitime pa opozitën, por raporti thotë se në ligj nuk ka një përcaktim të saktë.

“Nuk ka dispozita të posaçme për zhvillimin e zgjedhjeve pa kundërshtar dhe nuk ka kërkesë minimale ligjore për pjesëmarrjen e votuesve për vlefshmërinë e rezultatit”– thuhet në raport.

Gjithsesi raporti ripërsërit se: “zgjedhjet lokale të 30 Qershorit u mbajtën pa e marrë shumë në konsideratë interesin e elektoratit dhe se në një klimë ngërçi dhe polarizimi politik, votuesit nuk e patën mundësinë të zgjidhnin mes disa opsioneve politike.

Në 31 nga 61 bashki gjithsej, kandidatët për kryetarë bashkie garuan pa kundërshtarë. Pati pretendime të besueshme nga qytetarët për presione dhe se përplasjet politike çuan në pasiguri juridike, ku shumë vendime të administratës zgjedhore u morën me objektivin politik për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve” – thuhet në raport.

Më tej në raport thuhet se: “atmosfera e pasigurisë ligjore dhe mosmarrëveshja midis institucioneve kryesore shkatërroi besimin e publikut në legjitimitetin e zgjedhjeve”.

Një tjetër aspekt sipas raportit që minoi besimin e publikut në procesin zgjedhor ishte edhe “përbërja e pabalancuar politikisht e administratës zgjedhore apo thirrja për të bojkotuar votimin”.

Edhe pse dekretin e Presidentit e shqyrtoi Kolegji Zgjedhor, OSBE thotë se një gjë të tillë duhet ta bënte Gjykata Kushtetuese.

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese është cilësuar si shkaku që shtoi pasigurinë juridike mbi zgjedhjet, sepse për OSBE-ODIHR “pasiguria juridike mbi zgjedhjet u rrit për shkak të mosmarrëveshjes midis palëve të interesuara zgjedhore në lidhje me ndarjen e përgjegjësisë midis Gjykatës Kushtetuese, si organi i vetëm i mandatuar për të vendosur mbi kushtetutshmërinë e dekreteve presidenciale, dhe Kolegjit Zgjedhor që ka mandat të mbikëqyrë ligjshmërinë e proceseve zgjedhore”.

Raporti thekson se “votuesit shqiptarë nuk kishin një zgjedhje gjithëpërfshirëse midis alternativave kryesore politike pasi partitë kryesore të opozitës abstenuan zgjedhjet”.

ODIHR evidenton se Presidenti i Republikës anuloi zgjedhjet e 30 Qershorit nisur nga nevoja për të garantuar sigurinë publike dhe përgjegjësisë së tij kushtetuese për të mbrojtur pluralizimin politik.

“Dekreti i Presidentit të Republikës për caktimin e datës 13 Tetor si ditë të zgjedhjeve lokale nuk u publikua në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë, edhe pse publikimi i këtij akti të nxjerr nga Presidenti i Republikës është i detyrueshëm nga ligji”.

Raporti bën kritika edhe ditën e zgjedhjeve dhe mënyrën se si u votua.

“Votuesve jo gjithmonë ju kontrollua gjurma e bojës apo jo gjithmonë u shënjua me bojë përpara dhënies së fletës së votimit. Në listat e zgjedhësve u konstatuan nënshkrime dukshëm identike, që janë provë e votimit me përfaqësim nga të tjerë”.

Kritika të forta ka marrë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që sipas OSBE-ODIHR interpretoi ligjin në mënyrë të paqëndrueshme dhe në një mënyrë tepër të zgjeruar, duke ulur sigurinë juridike”.

“KQZ-ja interpretoi ligjin në një mënyrë tepër të gjerë dhe nganjëherë në kundërshtim me praktikat e mëparshme, duke cenuar sigurinë juridike. KQZ-ja e regjistroi Partinë Bindja Demokratike si subjekt zgjedhor më 27 prill, megjithëse kjo e fundit u regjistrua si parti politike vetëm në 25 Prill, me një vendim gjyqësor që mori formë të prerë në 10 maj. KQZ nuk i kërkoi të partisë së sapo regjistruar BD që të mbledh nënshkrime mbështetëse siç e kërkon ligji” – thotë raporti.

Një tjetër kritikë e fortë janë kërcënimet që u bënë edhe pse zgjedhjet ishin pa kundërshtar.

“ODIHR ishte dëshmitar i rasteve të kërcënimit të votuesve dhe shkeljes së fshehtësisë së votës në qendrat e votimit, mirëpo për këto raste nuk është regjistruar zyrtarisht asnjë procedim penal nga prokuroria. Ka një shqetësim për mungesën e përgjithshme të efektivitetit të hetimeve penale që kontribuojnë në perceptimin e përhapur të pandëshkueshmërisë mbi krimet elektorale të kaluara, duke përfshirë votimin dhe presionin ndaj votuesve”.

Për OSBE-ODIHR ka diversitet të medias, por përsëri evidentohet se “ajo mbetet e varur nga përfitimet politike dhe interesat e biznesit të pronarëve të tyre, dhe se në mungesë të vetë-rregullimit efektiv, gazetarët operojnë në kushte të pasigurta të punës dhe shpesh përdorin vetë-censurimin”.

Në përfundim, Raporti ofron një sërë rekomandimesh që duhet të zgjidhen në të ardhmen. ©LAPSI.al

1 Comment

  1. O lapsi,keni shkruajtur 10 artikuj dhe te gjitha jane njesoj duke cituar raportin e OSBE-ODIHR,pse lodheni kot,zgjedhjet u bene megjithe te metat qe me shume ishin per faj te opozites,e cila nuk do te vije ne pushtet,pasi nuk ka si spjegohet ndryshe moshyrja ne zgjedhje,keshtuqe mblidhni mendjen e behuni gati per zgjedhjet e 2021 sa nuk eshte vone…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu