• |
ide | kryesore

Pretenca/ Pse prokuroria kërkon 12 vite burg për Tahirin

Arkiva, Kryesore, Lajme

12 vite burg kërkon Prokuroria e Krimeve të Rënda për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri pas një hetimi që zgjati pothuajse dy vite.

Por për çfarë akuzohet Saimir Tahiri dhe ku bazohet organi i akuzës për pretencën që nxorri sot?

Tahiri se bashku me ish drejtorin e policisë së Vlorës, Jaeld Cela, akuzohen për 3 vepra penale, atë të “Trafikut të lëndëve narkotike”, “Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Hetimet nisën pas përgjimeve italiane ndaj grupit të Habilajve, ku përmendet edhe Saimir Tahiri, si një person që kishte vënë Policinë në gatishmërinë e tyre.

Prokuroria bazohet në katër episode për akuzat ndaj Tahirit, 2013, 2014 dhe 2015, dy prej të cilave janë më 2014.

Sipas prokurorëve të çështjes, gjatë këtyre muajve hetime, ka rezultuar se ish-ministri në bashkëpunim edhe me ish-zyrtarin e Policisë së Shtetit, Jaeld Çela, kanë lehtësuar me veprimet dhe mosveprimet e tyre veprimtarinë kriminale të grupit të drejtuar nga vëllezërit Habilaj, të afërm të ish-ministrit. Tahiri ka mohuar të ketë njohje me vëllëzerit Habilaj. Ai ka pranuar vetëm se iu ka shitur makinën.

Por, në kërkesën për gjykim, Prokuroria rendit një sërë provash dhe ngre pretendime të lidhjes së afërt të Tahirit me kushërinjtë e tij.

Sipas konkluzioneve të Prokurorisë, rezulton se sistemi i doganave ka qenë i kontrolluar nga personi nën hetim, duke mos bërë regjistrimin e disa shtetasve, në këtë rast të vëllezërve Habilaj, por jo vetëm.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se këta shtetas nuk regjistroheshin në asnjë pikë kufitare. Një pikë tjetër, që, sipas Prokurorisë përbën fakt, është edhe mjeti me të cilin është bërë edhe udhëtimi për në Greqi i ish-ministrit Saimir Tahiri dhe të miqve të tij. Mjeti lundrues në momentin që ka ardhur nuk është dokumentuar dhe ka pasur parregullsi në regjistrimin e tij.

Ka qenë pikërisht ky mjet, me të cilin është bërë udhëtimi për në Greqi, i drejtuar nga Saimir Tahiri dhe në këtë episod të hetimeve futet në lojë edhe Artan Habilaj. Në momentin që mjeti është prishur në Greqi, ka shkuar Artan Habilaj i cili ka telefonuar një punonjës të Policisë dhe së bashku kanë shkuar në Greqi me mjetin tip “Audi”.

Aty, Artan Habilaj ka lënë makinën dhe vetë është kthyer me mjetin lundrues për në Shqipëri. Për procedurat e marrjes së mjetit, për ta çuar atë në një servis në Itali është paraqitur i pandehuri i drejtësisë italiane, Moisi Habilaj.

Një tjetër fakt që rendit Prokuroria është edhe peshkarexha “Fatima”. Ky mjet lundrues ka qenë nën përgjim ambiental nga autoritetet italiane. Në përgjimet e përfituara nga ky episod trafiku dëgjohet Moisi Habilaj ku i shpjegon mikut të tij se si e gjithë Policia është në krahun e tyre.

Çka hedh poshtë edhe pretendimin e Tahirit se nuk ka njohje me Habilajt është edhe një oficere policie, me inicialet B. A., e cila ka udhëtuar të paktën 10 herë me Habilajt drejt Italisë, dhe që ka thënë se ka një marrëdhënie speciale mes tyre dhe ish-ministrit Tahiri.

Çfarë u gjet në përgjime 

Përgjimet dhe hetimet e autoriteteve italiane janë edhe një provë e fortë e Prokurorisë për Krime të Rënda. Një nga momentet që janë përgjuar i takon datës 1 janar 2014 në makinën tip “Mercedes” me targë IHP 2690 në përdorim nga Mosi Habilaj, ku ndodhet Eneo Sulaj dhe një “burrë shqiptar”. Në këtë përgjim, ata thonë se “Saimiri” kërkon diamante për gruan. Nga këto përgjime, shtetasi Eneo Sulaj, kushëriri i Maridian Sulajt, i thotë bashkëbiseduesit:

– Kur shkova atje, më thoshte pronari (i dyqanit) sepse kishte folur me Saimirin… që e kishte kështu… kostumin…
– E more vesh se çfarë i ka blerë Moisiu bashkëshortes së atij?
…Një gjerdan që kushton 15.000 euro…
– Po përveç Sokolit që mori para për punën, Saimiri nuk donte para. Është e qartë, sepse… me ata… dhe i dha… gjerdan me diamante”.

Ndërkohë, në një fragment tjetër të zbuluar nga përgjimet, Maridian Sulaj flet për “Audin” me targa të ministrit të Brendshëm, që Tahiri ia shiti Artan Habilajt dhe me të cilin rezulton se ka udhëtuar në drejtim të Greqisë. Përgjime mjedisore brenda automjetit
tip “BMV 320” me targë BZ 140 JR, në përdorim nga shtetasi Maridian Sulaj.

Biseda është përgjuar në orën 06:46, datë 10.10.2014, ndërsa automjeti ishte në lëvizje. Maridian Sulaj komenton me Avdul Sulajn dhe Klajdi Sulajn, i thirrur Mili, si edhe
me një burrë shqiptar për targat aktuale shqiptare.
Maridian: Presidenti e ka 01, Kryeministri e ka 02… 03 pra është “Audi” që ka Artani… që e kishte ai… kushëriri ynë… vetëm ata e kanë.
Avdyli: E mirë janë targa të veçanta.
Maridian: A targa të veçanta… (fjalë të pakuptueshme) 03 e ka Artani që ia ka dhënë ai…
Burri: Cili Artan?
Maridian: Ishte i kushëririt tonë, ai, Kryeministri vëlla… si quhet? Çfarë është tani ai.
Maridian: Po ai është ministër i Brendshëm.
Avdul: Targat e qeverisë u hiqen makinave të qeverisë kur shiten.
Maridian: Po ai ia ka dhënë Artanit me gjitha dokumentet, ta marrë dreqi! Çfarë thotë ky, shiten. Ua heqin, është e tij personale o vëlla.

Për “Audi”-n që Tahiri u shiti Habilajve flitet edhe në një tjetër bisedë të përgjuar mes Enea Sulajt dhe burrit të paidentifikuar. Burri e pyet Enean, nëse Moisiu ka ndërmend të shesë “Audi”-n. Enea i përgjigjet me pyetje: “Audi”-n? Jo, atë nuk e shet… në fillim do të bëjë detyrën Saimiri dhe pastaj …Saimiri ia ndryshon “S”… merr ndonjë tjetër për të marrë. Enea vijon më tej, duke u shprehur se makina është e shtetit. Në vendim theksohet se bëhet fjalë për “Audi”-n A8 që Tahiri ua shiti Habilajve, por përgjatë muajve në vijim, ai udhëtoi me të në disa raste jashtë vendit.

Tre prokurorët e çështjes, Dritan Prençi, Vladimir Mara dhe Arenc Çela pretendojnë se me provat dhe faktet e sjella në gjykim vërtetohet fajësia e dy ish zyrtarëve të lartë në trafikun e kanabisit.

Nga ana tjetër, ish ministri Tahiri, gjatë periudhës së hetimit dhe gjykimit ka mohuar akuzat, duke ngritur pretendime se gjyqi ndaj tij është i montuar politikisht dhe se Prokuroria, s’ka asnjë provë që e implikon atë.

Instanca e gjykimit ka pranuar në seancën e fundit para pushimeve verore, kërkesën për gjykim të shkurtuar të ish-ministrit të Tahiri. Thënë këtë, Tahiri do të përfitojë një ulje prej 1/3 të dënimi.

©Lapsi.al 

7 Comments

  1. ku ka ze nuk eshte pa gje thot populli. keshtu eshte kur te mer koka ere. nqs eshte i implikuar dhe Rama, te leverdis ta denoncosh se mbase te bejn ulje denimi o Saje (gjithmon nqs gjykata eshte dakort me prokurarin). po akuzat qekan te renda o Saje gangesteri. ca turpi, minister i mbrojtjes, ky skuth.

  2. ku paska pranuar gjykim te shkurtuar. paska pranuar fajin dmth. ja hodhi bythes me pak fare gje. 12 vjet kerkon propuroria. gjykata do ti japi 6 vjet. 1/3 do ti ulet per gjykimin e shkurtuar, dmth ngelen 4 vjet. nja dy vjet do ia ulin per sjellje te mir dhe meqe nuk ka precedent, do bej nja dy vjet arrest shtepie. e paskan kopsitur muhabetin. nqs denohet me vertet ky me vendim te prer, te behen gati te tjeret, ti thon burgut hapu (Meta i pari).

  3. DO SHIKONI VENDIMIN E GJYQSORIT DHE DO ME KUJTONI , U MBARS MALI DHE POLLI NJE MI .
    SI GJITHE GJYQET E TJERE EDHE KY NJE FLLUSKE SAPUNI KA PER TE PERFUNDUAR .

    1. o Mero, leji kelyshet. Nuk ndahen njerezit ne kuq e blu. ndahen ne kriminel dhe te ndershem. duhet me fillu me kriju nje shoqeri me ndergjegje e jo me tifoza partiak qe heqin mutin e ven kaken.

      1. Dakord, ipaemër, po kete e futi Partia e Vet! Si Kadri Hazbiu!
        Partia e Vet e mbrojti per 4 vjet dhe tani Partia e quajti “vemje”, e megjithate Ky eshte krenar per Partine e Vet!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu