• |
ide | kryesore

Manchester City, ‘tenis’ për vendin e dytë: Aguero merr topin, Villa del e dërrmuar

Sport



Në lojë ishte vendi i dytë dhe Manchester City nuk mund të linte mundësinë ti shkonte dëm. Skuadra e Guardiola, duke ditur humbjen e Leicester një ditë më parë, ka patur motivimin e duhur për të shkatërruar 1-6 Aston Villa, në një ndeshje ku Aguero e Mahrez garuan kush të shënonte më shumë: tregolësh për argjentinasin e dopietë për algjerianin.

Në Villa Park praktikisht nuk pati ndeshje edhe pse në fillim u duk se Villians mund të bëheshin kundërshtari i rrezikshëm për Citizens, që e nisën lojën qetë për të shpërthyer nga minuta e 18 kur Riyad Mahrez shënoi avantazhin për City. Algjeriani realizoi në të 18, ndërsa ende pa kuptuar mirë Aston Villa se cfarë po ndodhte, Mahrez shënoi të dytin pas 6 minutash.

Aston Villa lëshoi shumë në lojë e demoralizuar nga goditjet e marra, por edhe niveli i kundërshtarit, që nuk të impononte shumë besim se mund ti përmbyste ndeshjen. I rikthyer pas dëmtimit, Aguero u bë prezent pas një kombinimi me De Bruyne në minutën e 28. Belgu shërbeu asist edhe për golin e Gabriel Jesus në fundin e pjesës së parë.

Historia nuk ndryshoi edhe në të dytën, ku protagonisti absolut ishte Agueros, me dy gola të tjetër, që e lejuan të marrë topin me vete në përfundim të ndeshjes. Goli i dytë i argjentinasit erdhi pas pasimit të David Silva në minutën e 57, ndërsa në të 81 ishte Mahrez që i dhuroi mundësinë për të kompletuar tregolëshin. Goli me 11 metërsh në shtesë nga El Ghazi, i shërben vetëm statistikave: Manchester City merr vendin e dytë me 47 pikë, duke kaluar Leicester me 45 pikë, por duke qenë 14 pikë larg Liverpool kryesues.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *