• |
ide | kryesore

Futbolli e Rama luajnë ‘shah’: Liga profesioniste mblidhet nesër për të evituar ‘matin’

-Instant, F1, Sport



Futbolli tenton ti vendosë kushte Qeverisë e kjo e fundit i imponohet topit me pushtetin dhe indiferencën që derivon prej saj. Pasi në Azerbaixhan, Liga e Futbollit stisi vendimin për të shtyrë kampionatin si bojkot në protestë ndaj neglizhencës së Qeverisë që nuk mbajti asnjë premtim prej atyre që dha shumë më herët se 100 ditët e cituata në mbledhjen që bëri zhurmë, pasi dhuna u ul këmbëkryeq në fushat e futbollit, pritej një kundërpërgjigje që erdhi 24 orë më parë. Kryeministri Rama bëri të qartë se presioni nuk e impresionon dhe se pa u zhdukur dy borderotë nga qarkullimi nuk ulet në tavolinë për negociata.

Kjo në vija të përgjithshme, sepse për momentin askush nuk tërhiqet nga pozicionet që ka, por në këto pozicione duket qartë se është shumë më në favor Kryeministri. Klubet edhe sikur të duan nuk vazhdojnë dot gjatë të bëjnë presion, sepse janë në vështirësi financiare që tani për shkak të asaj që krijoi pandemia Covid 19 dhe pa qarkulluar topi, vështirë se do të kenë mundësi të arkëtojnë ndonjë të ardhur, madje edhe atëherë duhet të shpresojnë, që të jepet ok për hapjen pjesërisht të stadiumeve. Në pozita më të mira janë ato që kanë marrë pjesën në Kupat e Europës, Tirana, Kukësi, Teuta e Laci, por edhe ato jo vetëm nuk duan të qendrojnë duke paguar më kot lojtarët e stafin, por po shkojnë në përballjet e ardhshme europiane pa asnjë ndeshje kampionati në këmbë.

E kështu, ajo që duhet është një qendrim në unison, që duhet ta garantojë mbledhja e jashtëzakonshme e Ligës Profesioniste, ku klubet e Superiores duhet të përgatiten për bisedime me qeverinë. Ajo që do të diskutohet është çështja e plotësimit të munguar të 4 kërkesave të parashtruara për qeverinë, që solli bojkotimin pa afat, të pranuar nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së. Po cfarë kërkon futbolli, që ka rënë në vesh të shurdhët të Qeverisë? Ndryshimet në ligjin e sponsorizimeve, duke aplikuar sistemin e zbritjes nga tatim fitimi, pasi si funksionon deri më sot ka prodhuar zero sponsor në futboll, ose dicka më shumë. Një tjetër pikë është përfshirja e të gjitha veprimtarive ekonomike të klubeve të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masë 6%, njësoj si sektorët e bujqësisë e turizmit. Ajo ku të gjithë bien dakord është falja e gjobave e kamat vonesave për detyrimet fiskale të klubeve, ndërsa në fund por jo për nga rëndësia zgjatja e periudhës së përjashtimit nga tatim fitimi mbi të ardhurat personale të futbollistëve nga 2 në 10 vjet.

Të gjitha këto, janë dribluar nga Rama jo si një fantazist, por si një 9 tipike, me forcë e siguri, kështu që për të shmangur kapitullimin pa kushte Liga ka parashikuar në mbledhjen e jashtëzakonshme edhe diskutimin e hapave të mëtejshëm në rast refuzimi të qeverisë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *