“Kemi bërë një ndeshje të parë agresive. Në pushim iu kamë thënë lojtarëve që të jenë të duruar dhe të presin momentin e tyre. Nuk mund të luajnë gjatë gjithë kohës në presion. Jam shumë i lumtur për rezultatin”. Kështu u shpreh tekniku i Vllaznisë Thomas Brdaric pas fitores së dytë radhazi, mes kampionatit e Kupës, në krye të pankinës shkodrane. Kundër Apolonisë nuk ishte ndeshja më e vështirë, por as ajo më e thjeshta e megjithatë shkodranët e zgjidhën në pjesën e dytë me golat e Haris Dilaver, i cili zhbllokoi takimin në minutën e 53 dhe golin e vonë të Ismael Dunga.
Me fitoren e sotme, Vllaznia premton se do të jetë një skuadër ambicioze këtë sezon, por tekniku gjerman shuan entuziazmin në Shkodër, duke thënë se objektivi kryesor është larg trofeut: “Objektivi kryesor është të ndërtojmë një skuadër. Lojtarët duam që të japin maksimumin. Duhet të kemi një ekip kompetitiv, që të luajë futboll”.
Një sinjal të rëndësishëm tekniku e ka marrë nga Dunga, me ish-sulmuesin e Tiranës e Luftëtarin që realizoi gol sapo u fut në fushë e madje mund të shënonte dygolësh, nëse në fund, përballë portierit, do të kishte qenë më i qetë: “Çdo ndeshje është një kapitull i ri. Ne duam të kemi një mënyrë tonën të lojës. Duam të jemi shumë kompakt”, përfundoi gjermani.