• |
ide | kryesore

Nga shok skuadre me Ronaldon, në Kategorinë e Parë tek Dinamo: “Po u desh goli, futem vetë”

-Instant, Sport



Në fillim një ish-shok skuadre me Alessandro Del Pieron (Camarata) e tani presidenti i Dinamos Marco Pontrelli e rrit dozën: në kryeqytet zbarkojnë ish-shoku i skuadrës së Ronaldos, Francesco Moriero dhe ish-juventini Fabrizio Micoli. Dy ish-futbollistët e kombëtares italiane janë prezantuar si trajnerët e rinj të Bluve, pas largimit të Camaratas tek Apolonia: “Jo çdo gjë është paraja – tha Moriero – . Kam ardhur më parë këtu të vëzhgoja disa lojtarë. Presidenti më thirri në Romë për një bashkëbisedim. U fol për një ekip që është në vendin e parë dhe e kuptova rëndësinë e projektit. Objektivi ynë është të vazhdojmë me këto rezultate”.

Tekniku i ri i Dinamos megjithatë i ka shmangur premtimet, edhe pse po merr një skuadër në vendin e parë dhe në kohën kur mund të bëjë merkato për të përmbushur dëshirat e tij sipas idesë që ka në mendje për të aplikuar me kryeqytetasit. “Kam luajtur në shumë klube – shpjegoi Moriero -. Dua që Dinamo të krijojë identitetin e saj. Kam parë ndeshjet bashkë me Fabricion. Dinamo ka shumë potencial. Nuk mund t’ju jap një premtim në këtë moment, sepse premtimet nuk ekzistojnë në futboll”.

Asistent i ish-interistit do të jetë një ish-juventin, por që bashkë i ka bërë miqësia mes tyre. Një dyshe ofensive, që sigurisht nuk i ka harruar zakonet. E këtë Micoli e thotë me batutë: “Nëse do të duhet që Dinamo të shënojë, do të futem në fushë. Erdha në Shqipëri për të punuar me Morieron, që kam mik”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *