• |
ide | kryesore

Dhuna në Kapitol: 170 persona nën akuzë, 100 të tjerë në radhë

-Instant, Arkiva, Planet

Prokurorët amerikanë thanë të martën se ata kanë identifikuar më shumë se 170 persona për akuza të mundshme penale në lidhje me sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit javën e kaluar dhe presin që numri të rritet më tej në javët e ardhshme ndërsa vazhdon një hetim masiv mbi protestën e dhunshme të mbështetësve të Presidentit Trump, njofton Zeri i Amerikes.


Ndihmësi Prokurori në detyrë i Distriktit në Uashington, Michael Sherwin u tha gazetarëve se ndaj më shumë se 70 njerëzve tashmë janë ngritur akuza në kryeqytetin Uashington, ndërsa prokurorët po vazhdojnë punën për ngritjen e akuzave ndaj të paktën 100 të tjerëve.


“Kjo shifër mund të rritet, mund të arrijë në qindra (numri i personave ndaj të cilëve do të ngrihen akuza)”, tha zoti Sherwin gjatë një konference shtypi mbi hetimin federal të protestave të dhunshme në të cilat humbën jetën pesë njerëz, duke përfshirë një oficer të policisë së Kapitolit.

Ndërkohë, udhëheqësi demokrat i Senatit, Chuck Schumer tha se mbështetësve të Presidentit Donald Trump që sulmuan Kapitolin e Shteteve të Bashkuara duhet t’u ndalohet udhëtimi me avion. Ai i quajti ata që ishin në turmë kryengritës të cilët përbëjnë një kërcënim për sigurinë kombëtare dhe duhet të futen në një listë ndalimi të udhëtimit me avion.

“Ne nuk mund t’i lejojmë të njëjtët kryengritës të hipin në një aeroplan dhe të shkaktojnë më shumë dhunë dhe më shumë dëme”, tha senatori Schumer në një konferencë shtypi. Demokrati nga Nju Jorku pritet të bëhet udhëheqës i shumicës në Senat pasi partia e tij të marrë kontrollin.

Hetimi federal mbi ndërhyrjen vdekjeprurëse të 6 janarit në Kapitol nga mbështetësit e Presidentit Trump po intensifikohet.

Prokurori Sherwin tha se ai ka krijuar një ekip pune me prokurorë të lartë të sigurisë kombëtare dhe anti-korrupsionit për të ngritur akuza më serioze për kryengritje dhe komplot kundër disa protestuesve të dhunshëm. Dënimi për këto lloje akuzash mund të arrijë deri në 20 vjet burg.

Shkalla e veprimit kriminal në një zonë, nga shkelja e thjeshtë e hyrjes së paligjshme në zonën e mbrojtur, vjedhja e postës deri te sulmi ndaj një oficeri të zbatimit të ligjit, është i pashembullt, tha prokurori Sherwin. Në shumë raste, agjentët e FBI-së janë mbështetur në akuza më të vogla për të bërë arrestime. Me akuzat e ngritura, tha zoti Sherwin, prokurorët tani mund të padisin të pandehurit për çështje më serioze. Një juri e madhe federale në Uashington dëgjoi disa orë prova të paraqitura nga prokurorët në raste të shumta krimi që përfshinin zotërimin e një pajisjeje shkatërruese dhe zotërimin e një arme sulmi gjysmë-automatike, tha zoti Sherwin.

Steven D’Antuono, ndihmës drejtori përgjegjës i zyrës së FBI-së në Uashington, u tha gazetarëve se FBI-ja ka marrë më shumë se 100,000 informacione fotografike dhe filmike nga publiku pas protestës së dhunshme. D’Antuono tha se FBI-ja është “në mënyrë aktive” duke konsideruar shtimin e emrave të të dyshuarve në listën federale të ndalimit të udhëtimeve me avion, siç ka sugjeruar senatori Schumer.

Protesta e dhunshme shpërtheu pasi mijëra mbështetës të Presidentit Trump të revoltuar nga pretendimet e rreme se zoti Trump kishte humbur zgjedhjet për shkak të manipulimit të votave, marshuan nga zona afër Shtëpisë së Bardhë drejt Kapitolit. Qindra protestues u futën në zonat që lidhnin Senatin dhe Dhomat e Kongresit, duke plaçkitur zyrat dhe duke u përleshur me oficerët e zbatimit të ligjit. Dhuna la pesë persona të vdekur, duke përfshirë një oficer të Policisë së Kapitolit dhe një mbështetëse të Presidentit Trump, e cila u qëllua për vdekje nga policia.

Sulmi i parë i përmasave të mëdha të dhunshme ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara në më shumë se 200 vjet ka çuar në një përpjekje të demokratëve për të ngritur akuza ndaj Presidentit Trump për nxitje të dhunës dhe ngriti pyetje serioze në lidhje me paaftësinë e agjencive të zbatimit të ligjit për ta parandaluar atë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu