• |
ide | kryesore

Superiore/ Starti i fazës së tretë favorizon Vllazninë: Partizani i detyruar të mos gabojë

-Instant, F1, Sport



Kalendari rikthehet nga e para për të tretën herë në këtë sezon, por java e 19 është një përsëritje e startit të kampionatit, duke e bërë një pikënisje me shumë kujtime, të mira e të këqija, për ndonjë. Sipari u ngrit në Durrës me Teutën që u imponua 2-0 përballë Skënderbeut, duke marrë provizorisht vendin e dytë e duke vënë nën presion Vllazninë. Shkodranët në fakt kanë avantazhin e kalendarit, duke qenë se në dy ndeshjet e ardhshme presin Apoloninë e vizitojnë Korcën, dy nga tre vendet e fundit të renditjes. Brdaric shpreson ti marrë sërisht pikë ndjekësve, konkretisht Partizanit, për të kthyer diferencën e 9 pikëve që mbizotëronte, përpara se Laci ti ndëshkonte në shtëpi.

E në fakt, të kuqve i kthehen fantazmat e të kaluarës kur të vizitojnë Kamzën për tu ndeshur me Kastriotin, pikërisht aty ku pësuan humbjen e parë në këtë kampionat. Gjërat janë ndryshe tashmë, Daja ka bërë lëvizjet e kërkuara në merkato dhe është gati të vazhdojë marshimin drejt kreut, për të mos humbur nga sytë shkodranët. Të njëjtën gjë kërkon të bëjë edhe Laci, që me tre fitore të zhurmshme, kundër rivalëve të fuqishëm, është ngjitur një pikë larg vendit të dytë. Do të quhej një ndeshje komode, kundër të fundit në renditje, nëse nuk do të ishin mardhëniet jo optimale mes klubeve, që e bën një ndeshje krejtësisht të luftuar e të paparashikueshme.

Gjithësesi kryendeshja luhet në kryeqytet ku kampionët në fuqi të Tiranës do të presin nënkampionët e Kukësit. Bardheblutë e Shehit kanë lëpirë plagët me dy fitore, por tani duan të tretën, duke kujtuar fare mirë se i mundën blutë në debutim me 6 mungesa në formacion. Ndoshta historia përsëritet, ose të paktën kështu shpresojnë kryeqytetasit, duke parë luhatjet e veri lindorëve edhe me Josën në pankinë, por duke parë barazinë e 26 pikëve, gjithcka mund të ndodhë…

SUPERIORE – JAVA E 19
12/02/21
Teuta        2 – 0     Skënderbeu
13/02/21
Tirana      14 : 00 Kukësi
Vllaznia   14 : 00 Apolonia
Bylis         14 : 00 Laçi
Kastrioti  14 : 00 Partizani



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *