Si ata që e kritikojnë, ashtu edhe ata që e mbështesin, merren pothuajse ekskluzivisht me personin, duke injoruar tërësisht organizatën, anëtarët apo programin politik dhe idetë e reja mbi modelin e zhvillimit që ofron Vetëvendosja. Kjo analizë injoron kontekstin politik kosovar, veçanërisht shkaqet e degradimit të partive kryesore atje.
Paradoksi i parë është se kulti i Albinit po ngrihet dhe forcohet më shumë nga ata që janë jashtë Vetëvendosjes sesa nga anëtarët e saj. Këta të fundit e dinë shumë mirë se fitorja e Vetëvendosjes nuk ishte meritë apo arritje ekskluzive e një individi, ndonëse natyrisht kanë një dashuri të thellë për liderin dhe atë që ai përfaqëson. Ata e dinë mirë që Vetëvendosja është produkt i një aksioni kolektiv që është ndërtuar në kohë mbi djersën dhe sakrificën e shumë aktivistëve, që kanë dhënë deri edhe jetën për idetë që ajo mbron.
Janë analistët dhe mediat shqiptare që e fshijnë historinë dhe kontekstin e Vetëvendosjes, injorojnë idetë që përfaqëson Albini për t’u marrë thjesht me personin. Kështu, fitorja dhe qeverisja e ardhshme e Vetëvendosjes analizohet duke filluar nga karakteri dhe origjina e tij. Analiza politike transformohet në analizë psikologjike. Në vend që të analizohen idetë dhe programi i Vetëvendosjes, analistët merren me dëshirat e thella dhe të errëta të liderit të saj për t’u bërë Enver dhe me origjinën e tij familjare, duke e degraduar analizën në thashethem në studio.
Dhe këtu vijmë te paradoksi i dytë. Prodhuesit kryesorë të kultit të Albinit sot në Tiranë janë kritikët e tij më të mëdhenj. Sipas tyre, fitorja është e gjitha e tij. Ndaj, edhe përgjegjësia do të jetë e gjitha e tij kur ai të dështojë në qeverisje, çka na sigurojnë që do të ndodhë patjetër.
Pavarësisht kritikës, në këto analiza Albini shfaqet si një qenie mbinjerëzore. Ai fiton zgjedhjet i vetëm, qeveris i vetëm, dështon dhe e arrin suksesin i vetëm. Gjithçka që ndodh sot e tutje në Kosovë, është thjesht dhe vetëm produkt i vullnetit të tij. Kur themi Kosova, nënkuptojmë Albini dhe anasjelltas. Janë pikërisht këta analistë që e kritikojnë si diktator dhe autoritar, që, në fakt po i japin Albinit sot statusin që kish Enver Hoxha dje.
Në shkencat politike, kjo quhet profecia vetëpërmbushëse. Duke u marrë vetëm me Albinin, duke injoruar idetë që ai dhe Vetëvendosja përfaqësojnë, duke injoruar kontekstin politik dhe social që i prodhoi ata, duke e trajtuar Vetëvendosjen si pronë private të liderit, analistët dhe mediat ushqejnë pikërisht atë fenomen që po denoncojnë: personalizmin e politikës.
Ndryshe nga analistët në fjalë, unë nuk mundem të parashikoj të ardhmen. Nuk e di nëse Vetëvendosja do ketë sukses apo do të dështojë me të patjetër, sikurse na sigurojnë disa syresh. Ka shumë mundësi që qeverisja e saj të ketë suksese dhe dështime. Ama ajo që dimë nga eksperienca jonë, sa me komunizmin aq edhe me tranzicionin, është që personalizimi i politikës prodhon që nga diktatorët si Enveri deri te politikanët autoritarë si Berisha apo Rama.
Në fakt, një nga arsyet se përse po kultivohet kaq shumë miti i Albinit në Shqipëri, është sepse mediat dhe analistët tanë kanë një traditë të gjatë në këtë fushë. Pjesërisht si pasojë e mungesës së debatit akademik, analiza e komunizmit te ne tashmë është reduktuar te karakteri i Enver Hoxhës, që duket se shpjegon se përse komunizmi ynë ishte kaq i egër krahasuar me fqinjët. Pak rëndësi ka që struktura jonë sociale dhe demografike ishte mjaft e ndryshme nga Jugosllavia, Hungaria apo Polonia.
Edhe zhvillimet e tranzicionit trajtohen në të njëjtën mënyrë. Komunizmin e rrëzoi Azemi me Berishën, pak rëndësi ka që ishte në krizë prej vitesh. Piramidat ishin produkt i Berishës, pavarësisht se skemat piramidale janë një fenomen konstant i kapitalizmit, madje edhe në SHBA. Po kështu, larja e parasë në ekonominë shqiptare dhe krimi i organizuar janë thjesht dëshira të Ramës. Pak rëndësi ka që larja e parasë së pistë sot është produkt i liberalizmit të tregjeve financiare. Lahen shumë më tepër para në Londër dhe Zvicër se në Shqipëri, pa përmendur parajsat fiskale.
Ky personalizim i politikës, reduktim i saj te vullneti i plotfuqishëm i një individi, prodhon pikërisht diktatorët që denoncon. Ndaj, reduktimi i përmbysjes elektorale që ndodhi në Kosovë te një individ është sa i gabuar, aq edhe i rrezikshëm.
© Panorama.al
Kajsia, me argumentin e larjes se parave paske dale zbuluar fare. Ti je ai qe prite ne gushtin e 2015 ne Kolumbi Erjon Veline me te shoqen e ish ministrin e pushtetit vendor. Ti je i perdorur keq e shemtuar, ti ke 8 vjet qe nuk je ketu dhe as e ke idene se ne cfare mizerje qeveriset ky vend e si ka shkuar thika ne kocke, ti leshon nga nje pufke shkrim si ky sa here te therret partia. Skeni turp . Si e plackitet nga gjithcka kete vend. Edhe nga parimet e dinjiteti. Keni fytyre ju te merreni me albin kurtin. Albini kurti ka nje dallim te madh. Po merr pushtet pa qene i korruptuar asnje dite. Pa shperdoruar asnje dite para pubkike. Keta qe ke miq ti e qe e kane shperfytyruar kete vend, vine nga 20 % i bashkise, dhe nga kompjuterat e djegur teMJAFTIT apo nga kompanite fantazem qe hap ajola xoxe cdo vit e cdo dite qe shkon per te lare ato para qe per ty “ i sheh edhe ne filma” . Spurdhjake njerez qe nuk menduat kurre per te miren e ketij vendi.
Eshte normale qe Albin Kurti te ndriçoj si yll Polar, kur kemi nje klase politike te deshtuar, te koroptuar, dhe teresisht e paafte. Shpresa vdes e fundit dhe Albini sot eshte shpresa jone.
Na keni car trapin me albinin, thuaj ti ky mesia. Mua me duket shume i ngjashem me mr bin. Albini dhe mr bini jane si dy pika uji