• |
ide | kryesore

Pasojat e pandemisë: Rriten me 26% bizneset e kaluara në status pasiv në janar-shkurt, qytetet më të goditura

-Instant, Lajme, Të fundit



Të dhënat e përpunuara nga lista e subjekteve pasive, të cilën Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e përditëson çdo ditë tregojnë se në janar-shkurt të këtij viti kanë kaluar në status pasiv ishin rreth 2,200, me një rritje prej 26% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ekonomia dhe konsumi kishte një sjellje normale. Biznese citojnë rënien e konsumit, si rrjedhojë e pasojave të pandemisë, si një nga arsyet kryesore.

Rënia e konsumit, e shoqëruar dhe me kufizimet e orarit të lëvizjeve, ka goditur shumë sektorë. Në Tiranë, në janar-shkurt kanë kaluar në status pasiv 934 subjekte, me një rritje prej 12% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kryeqyteti gjithsesi, rezulton se e ka pësuar më pak nga pandemia, edhe për shkak të përqendrimit të pjesës më të madhe të popullsisë në të. Ndërsa në qytetet e tjera, sidomos ato që janë të lidhura me turizmin, dhe që deri vitin e kaluar po zhvilloheshin për shkak të rritjeve të udhëtimeve të brendshme e të të huajve, situata nuk ka qenë e lehtë.

Në Berat, bizneset e mbyllura janë rritur me 140.5% në dy muajt e parë të këtij viti, në raport me janar-shkurt të 2020-s. Berati rezulton dhe qyteti që po e vuan më shumë pandeminë në këtë fillim viti.

Në Fier, mbylljet janë rritur me rreth 58%, në Vlorë, me mbi 52%. Shkodra, e cila përgjatë 2020-s ka shënuar rritjen më të madhe të bizneseve të mbyllura, e ka vijuar tendencën negative dhe në janar e shkurt (+51%). Edhe qytetet bregdetare si Saranda e Durrësi po shënojnë falimentime të larta (rritje përkatësisht 45.2% dhe 34%). Më të qëndrueshme në muajt e parë të këtij viti po rezultojnë subjektet në Lezhë, Kukës dhe Dibër./Monitor



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *