• |
ide | kryesore

“Kundër Anglisë duam tifozë, kemi kushte për protokollin”: Duka del hapur dhe i lë ‘topin’ Kryeministrit Rama

-Instant, F1, Sport



Ajo mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Qeverisë shqiptare duket si një duel i vazhdueshëm në distancë, me topin që kalon sa në njërën fushë në tjetrën. Pas ligjit të sponsorizimeve, radhën e ka kthimi i tifozëve në stadiume. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka komentuar sot kërkesën drejtuar qeverisë për lejimin e 30% të tifozëve në ndeshjen e 28 marsit ndaj Anglisë: “Ne kemi bërë kërkesë që ndeshja me Anglinë të luhet me 30% tifozë. Këtë e kemi bërë edhe publike, nuk e kemi bërë vetëm ne si Federatë, pa dyshim që e kanë bërë edhe tifozët, grupimi i Tifozave Kuq e Zi dhe grupime të tjera. Vërtet shëndeti është i pari, por ne kemi bindjen dhe mbi këtë bazë e kemi bërë edhe kërkesën tonë , që stadiumi ‘Air Albania’ i plotëson të gjitha kushtet për të respektuar protokollin dhe për të mos pasur rrezik apo ekspozim ndaj pandemisë. Kjo tani i mbetet qeverisë, Komitetit Teknik apo Kryeministrit që të na e miratojë apo jo”, – tha presidenti Duka.

Në fund, presidenti Duka u shpreh se ende nuk ka marrë mbështetje nga qeveria për projektin “100 fushat” dhe se do të vijojë ta kërkojë, në të mirë të futbollit shqiptar: “Akoma asgjë nga 100 fushat me qeverinë, por tani jemi përpara një fushate elektorale, nuk kemi pse ta ngacmojmë qeverinë. Pas fushate, me ata që do të jenë në pushtet, patjetër që do t’i rikthehemi dhe do të kërkojmë sa më shumë fusha. Çdo gjë që ne kemi kërkuar, nuk do pushojmë së kërkuari për të mirën e futbollit, pavarësisht nga ngjyrat apo simbolet politike”- përfundoi Duka.

Komentet e kreut të qeverisë së futbollit shqiptar u bënë gjatë vizitës zyrtare që Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini bënë në “Shtëpinë e Futbollit” dhe më pas në Bubq, teksa vizituan dhe inauguruan shtëpitë e rindërtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 në Shqipëri, rindërtim nga themelet me fondet e federatave dhe të dashamirësve të futbollit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *