• |
ide | kryesore

Një festë fetare në Izrael shkakton 44 viktima

Planet



Të paktën 44 njerëz janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në një festival fetar të mbushur me njerëz në veri-lindje të Izraelit.

Fillimisht raportimet sugjeruan se një strukturë në vend ishte shembur, por zyrtarët e urgjencës më vonë thanë se një shtypje njerëzish kishte ndodhur rreth orës 01:00 me orën lokale. Burime policore i thanë gazetës Haaretz se gjithçka filloi pasi disa të pranishëm rrëshqitën nëpër shkallë, gjë që bëri që të bien dhjetëra të tjerë njëri mbi tjetrin.

“Kjo ndodhi brenda sekondës; njerëzit ranë duke shtypur njëri-tjetrin. Ishte një katastrofë,” i tha një dëshmitar gazetës.

Videot e postuara në internet tregojnë mijëra njerëz që përpiqen të ikin nëpër një vendkalim të ngushtë. Mesazhet me altoparlantë i nxitën turmat të shpërndaheshin, para se policia të kërkonte evakuimin e plotë të vendit.

“Askush nuk e imagjinonte që kjo mund të ndodhte këtu,” i tha një pelegrin Channel 12 TV. “Gëzimi u bë zi, një dritë e madhe u bë një errësirë e thellë”.

Dhjetëra ambulanca, helikopterë dhe trupat e kërkim-shpëtimit mbërritën në vendin e ngjarjes. Të paktën 150 njerëz u plagosën, thanë zyrtarët, duke përfshirë 38 persona që ishin në gjendje kritike. Izraeli është në shok. Kjo është katastrofa më e rëndë civile në historinë e tij moderne.

Në malin Meron, ka ende skena kaotike dhe qindra autobusë po përpiqen të transportojnë të pranishmit larg. Ndërkohë, shumë familje po luftojnë për të marrë lajme për të dashurit e tyre për shkak të linjave të mbingarkuara të telefonit. Disa trupa ende nuk janë identifikuar.

Dëshmitarët e kanë përshkruar panikun në momentin që filloi shtypja.

“Ishte e mbushur me njerëz dhe atje… nuk kishte vend për të lëvizur”, tha një i pranishëm për BBC. “Njerëzit filluan të bien në tokë”.

“Papritmas ne pamë ndihmësmjekët … duke vrapuar,” tha një tjetër pjesëmarrës, Shlomo Katz. “Njëri pas tjetrit filluan të dilnin … Pastaj e kuptuam se diçka po ndodhte”.

“Mbi 1.000 njerëz së bashku u përpoqën të shkonin në një vend shumë, shumë të vogël, me rrugë shumë të ngushtë dhe ata thjesht ranë njëri mbi tjetrin,” tha Yanki Farber, një reporter në faqen Ortodokse Hebreje Behadrei Haredim.

Një punëtor emergjence i tha agjencisë së lajmeve AFP se ai pa dhjetëra njerëz të binin njëri mbi tjetrin dhe se një numër i madh i tyre u shtypën dhe humbën vetëdijen.

“Unë nuk kam parë diçka të tillë që kur kam hyrë në fushën e mjekësisë urgjente,” i tha AFP Lazar Hyman, një punëtor vullnetar i shpëtimit.

Kryeministri Benjamin Netanyahu udhëtoi në vendin e ngjarjes dhe tha se e diela do të ishte një ditë zie kombëtare.

Çfarë është festa e Lag B’Omer?

Dhjetëra mijëra hebrenj ortodoksë bëjnë një pelegrinazh në Meron çdo vit për Lag B’Omer, një festë fetare e shënuar me zjarre tërë natën, lutje dhe vallëzim. Qyteti është vendi i varrit të Rabbit Shimon Bar Yochai, një njeri i urtë i nderuar i Shekullit të Dytë, i cili urdhëroi që përvjetori i vdekjes së tij të përkujtohet me një festë të jetës së tij.

Vendi është kryesisht i ndarë në bazë gjinore. Imazhet dhe videot tregojnë se shkatërrimi ka ndodhur në një nga sektorët e burrave. Sipas Times of Israel, organizatorët vlerësuan se 100,000 njerëz mbërritën të enjten në mbrëmje dhe më shumë të premten.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *