• |
ide | kryesore

Qeveria e Albin Kurtit: Nuk e njohim marrëveshjen e Washingtonit, nuk ka vlerë ligjore

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

“Marrëveshja e arritur në Washington nuk ka vlerë juridike, pasi nuk është dërguar asnjëherë në Kuvend”, – tha në një intervistë për Ekonomia Online, zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu. Ai shtoi se takimi i ardhshëm në Bruksel mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të jetë dakordim mbi agjendën e dialogut të ri.


Kryeziu tha se Marrëveshja e nënshkruar në Washington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është jo legjitime pasi është nënshkruar nga Qeveria Hoti, që sipas tij ishte jo legjitime. Ai tha se janë në kontakt me ShBA-në për të punuar së bashku për temat të cilat kanë interes të përbashkët.


“Për ta përsëritur një qëndrim të kamotshëm të kryeministrit Kurti më duhet të them se së pari ai dokument nuk e ka vlerën dhe natyrën juridike të një marrëveshjeje për shkak se asgjë nuk është sjellë në Kuvend, as për t’u diskutuar, as për ta marrë mbështetjen e Kuvendit.

Si i tillë me të drejtë është quajtur si dokument me zotime të njëanshme të një Qeverie e cila në kohën e nënshkrimit të këtij dokumenti ishte pa legjitimitet dhe më pastaj në ndërkohë u pat vërtetuar se nuk gëzon ligjshmërinë e nevojshme për të qenë në Qeveri. Përtej asaj ne jemi në kontakt me ShBA-në për të punuar së bashku për temat të cilat kanë interes të përbashkët”- tha Kryeziu .

Për takimin e 15 qershorit në Bruksel, Kryeziu tha se gjatë këtij takimit është bërë e qartë nga Qeveria se njohja reciproke është finalizimi i vetëm që Kosova e pranon.

“Takimi i 15 qershorit ishte takim për dialogun. Pra jo takim në kuadër të procesit të dialogut. Ishte një takim në të cilin kryeministri Kurti i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Bislimi ka shprehur dhe paraqitur vizionin e kësaj qeverie sa i përket dialogut duke kërkuar që si proces i ardhshëm nuk duhet t’i ngjasojë atij të mëparshmit i cili ishte i pakornizuar dhe pa agjendë të dakorduar paraprake.

Andaj gjatë takimit është bërë e qartë që ne jemi për një dialog i cili është i përgatitur mirë me parime paraprake i kornizuar dhe që në fillim të procesit të ketë dakordim të palëve mbi elementet kryesore të një marrëveshje finale e cila nënkupton që do ta ketë edhe njohjen reciproke si një kërkesë të hapur të Kosovës edhe si një pritshmëri e kërkesë e ShBA-së të shprehur përmes letrës së presidentit Biden”, – tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takuan të martën në Bruksel, në kuadër të dialogut, por palët nuk u morën vesh për temat e ngritura. Ky ka qenë takimi i parë i tyre në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Raundi i ri i dialogut pritet të mbahet në muajin korrik.

6 Comments

  1. Bravo shoku. Kjo sjellje ka nji te mire qe fiton kosova dhe nji te keqe qe mund te te rrezojn shpejt se kto nuk i dun qeverite qe punojn per popullin e vet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu