Në një rast të rrallë dhe të pa precedent ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, ka reaguar publikisht ndaj procecit të vettingut për drejtuesen e prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, duke marë mbi vete edhe barrën e pranimit se kontrolli i figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk po funksionon si duhet.
Këtë rast, i cili u bë simbolik, sepse për herë të parë vuri përballë, trupën shqiptare të vettingut të kontrolluar politikisht, kundër ndërkombëtarëve të ONM, deri më tani diplomatët e huaj e kanë trajtuar në kulisa. Ata kanë bërë presion, kanë zhvilluar takime, kanë dërguar letra, në mënyrë që pretendimi se një vëzhgues ndërkombëtar, holandezi Hans Kijlstra, është përgjuar në një aferë erotike nga njerëz të vënë nga prokurorja Imeraj për qëllime shantazhi, të merrej parasysh.
Prapaskenat/ Si po i shpëtojnë vettingut njerëzit e “drejtësisë së re”
Por me sa duket pretendimet e diplomatëve janë hedhur në kosh të plehrave. “Ka pasur një presion shumë të fortë për këtë çështje, një oligark i njohur, një njeri shumë pranë shefit të qeverisë që merret me punët e drejtësisë dhe disa manjatë të mediave kanë lobuar që pretendimet e vëzhguesve ndërkombëtarë të OMN-së të mos dëgjoheshin” tha për Lapsi.al një diplomat i huaj në Tiranë në kushtet e anonimatit. “Pavarësisht presionit ndërkombëtar komisioni i vetingut nuk e zbardhte vendimin prej tre muajsh dhe ndonëse u takua me përfaqësues diplomatikë komisioneri publik nuk ishte i sigurtë që do të bënte ankimim kundër Imarajt” tha ai.
Vetëm dje Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, zbardhi vendimin 113 faqesh ku la pa përgjigje sqaruese shqetësimet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në lidhje me shefen e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj. Në vendimin e arsyetuar të trupës së kryesuar nga Olsi Komici, me relator Roland Ilia dhe anëtare Suela Zhegu dëshmohej se KPK as e kishte marrë mundimin të hetonte mbi pretendimet e ONM, për përpjekje për ndikim të paligjshëm në proces edhe mbi vetë anëtarët e KPK-së apo ato të shantazhit ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë.
Konflikti midis prokurores Imeraj dhe ndërkombëtarëve tashmë është i ditur dhe i trajtuar disa herë nga Lapsi.al, si një nga të paktat media që ka qenë e lirë të shkruajë për këtë temë (lexo këtu poshtë).
Vettingu po kthehet në estradë/ Konflikti i prokurores Elisabeta Imeraj me ndërkombëtarët
Por ajo që është e veçantë sot është fakti që Yuri Kim u detyrua të flasë publikisht pasi ka dështuar në presionin e zhvilluar në kulisa. Dhe në të folurën e saj duken notat e shqetësimit se reforma në drejtësi po i ikën nga kontrolli edhe SHBA e BE.
Pra, me statusin e saj të sotëm ajo i paraprin ngurimit të komisionerit publik që gjendet në presion për të apeluar çështjen kundër Elisabeta Imerajt, ashtu sikurse ia kërkojnë vëzhguesit ndërkombëtarë të OMN-së.
Së dyti, ajo flet për rithim të modeleve të vjetra dhe metotave të së kaluarës që pengojnë drejtësinë. E në të shkuarën këto kanë qenë të gjitha me motivim politik.
Së treti dhe më ironikja është se ambasadorja ameriakne flet për media që kanë mbyllur gojën dhe nuk kanë raportuar për këtë rast. Në fakt, mediat që e kanë kaluar në heshtje rastin e Imerajt janë të njëjtat që mbështesin çdo fjalë të ambasadores dhe reformën e panjollë në drejtësi të aplikuar nga perendimorët.
Pra, aq shumë janë sfiduar ambasadat e huaja nga pushteti dhe njerëzit e fuqishëm pranë tij, në rastin e vetingut të Elisabeta Imerajt, sa e detyruan ambasadoren Kim të flasë publikisht duke pranuar për herë të parë indirekt se amerikanët po e humbasin kontrollin mbi reformën në drejtësi.
Duke e shpallur këtë hapur, duke i bërë thirrje organeve të vettingut të mos rikthejnë metodat e drejtësisë së dikurshme, duke ftuar publikisht mediat që të shpërfillin lobuesit dhe të thonë të vërtetën, ajo ka hapur pak kutinë e Pandorës. Yuri Kim ka pranuar disi mjedisin aspak të përshtatshëm në të cilin zhvillohet realisht vettingu duke marrë përsipër mbi vete edhe një sfidë: nëse e humb këtë betejë publike radhët e atyre që do të binden se pushteti tashmë e ka kapur drejtësinë e re do të shtohen ndjeshëm.
©Lapsi.al