• |
ide | kryesore

Ç’ndodhi në zgjedhjet në Bullgari/ Ylli TV që do për vete gjithë pushtetin

-Instant, F1, Planet



Prezantuesi televiziv, Slavi Trifonov, bëri atë që asnjë politikan në Bullgari nuk e bëri dot gjatë 12 vjetëve të fundit: mundi partinë e ish-kryeministrit Boyko Borisov në zgjedhjet parlamentare.

Në deklaratën e parë pas zgjedhjeve të 11 korrikut, ai propozoi një qeveri të re, pa kontributin e ndonjë partie tjetër – një veprim ky shumë i pazakonshëm, që mund të çojë në dështim dhe t’i nxisë zgjedhjet e treta parlamentare në këtë vit.

Trifonov mund të vërë bast se mund të fitojë përqindje edhe më të madhe të votave në zgjedhje të tjera të parakohshme, çfarë do të rriste fuqinë e tij dhe do të zvogëlonte varësinë nga partitë e tjera.

Por, disa paralajmërojnë se një hap i tillë mund të kthehet bumerang dhe t’i hapë derë partisë së Borisovit për të rimarrë pozicionin e lartë.

“Trifonov po luan lojë të rrezikshme”, thotë për Radion Evropa e Lirë Dimitar Bechev, anëtar i Institutit për Shkencat Humane në Vjenë.

Me të gjitha votat e numëruara, partia e Trifonovit “Ka një popull të tillë” (ITN) fitoi pak më shumë se 24 për qind të tyre në zgjedhjet e 11 korrikut – rritje për 6 pikë krahasuar me zgjedhjet e 4 prillit, të cilat nuk prodhuan rezultat vendimtar.

Partia e Borisovit, GERB, fitoi 23.5 për qind të votave – rënie për më shumë se 2 pikë nga prilli – dhe kështu nuk arriti të dalë e para në zgjedhjet parlamentare, për herë të parë në historinë e saj.

Vlerësimet për GERB-in ishin në rënie që nga vera e kaluar, kur mijëra njerëz dolën në rrugë për të protestuar kundër korrupsionit të shfrenuar dhe për t’i bërë thirrje Qeverisë së Borisovit të japë dorëheqje.

Bullgaria, vendi më i varfër i Bashkimit Evropian, u rendit në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të organizatës Transparency International për vitin 2020 si vendi më i korruptuar i bllokut, së bashku me Rumaninë dhe Hungarinë.

Kritikët thonë se Borisov dhe qeveritë e tij – të drejtuara nga GERB – janë pjesërisht fajtore.

Ata akuzojnë ish-kryeministrin dhe partinë e tij për dobësimin e institucioneve demokratike dhe sundimit të ligjit, duke përfshirë politizimin e zyrës së prokurorit.

Në javët para zgjedhjeve, vlerësimi për GERB-in ra më tej, pasi Qeveria e përkohshme, e cila mori detyrën pas zgjedhjeve të prillit, e akuzoi atë për keqmenaxhim të miliarda dollarëve në të ardhurat e buxhetit.

Paraqitja e fortë e ITN-së në zgjedhjet e prillit dhe korrikut – pavarësisht historisë së saj të shkurtër, fushatës gati inekzistente dhe platformës së paqartë – pasqyron zhgënjimin e votuesve me rendin ekzistues politik, thotë William Courtney, ish-zyrtar i Departamentit amrikan të Shtetit dhe analist politik në Institutin Rand Corporation në Uashington.

“Është pothuajse një akt dëshpërimi, siç ishte në Ukrainë”, thotë Courtney, duke iu referuar zgjedhjes së Volodymyr Zelenskiyt president i Ukrainës – një tjetër vend i zhytur në korrupsion.

Një yll televiziv si Trifonov, edhe Zelenskiy shpalosi një platformë anti-establishment dhe mundi me lehtësi presidentin që ishte në pushtet.

Nëse Trifonov, 54 vjeç, nuk arrin të fitojë mbështetjen e mjaftueshme, Qeveria e përkohshme – e formuar në prill nga presidenti Rumen Radev – do të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjet e tjera të parakohshme në vjeshtë, duke i dhënë atij kohë të gërmojë më shumë në punët e pista të GERB-it dhe Borisovit, thonë analistët.

Por, një përpjekje tjetër e dështuar për të formuar Qeverinë, mund t’i japë edhe Borisovit, 62 vjeç, mundësi për ta paraqitur veten si të vetmin burrështetas të aftë për të udhëhequr vendin.

Themeluesi i GERB-it formoi tri qeveri të koalicionit qysh në vitin 2009 dhe i drejtoi ato si kryeministër.

“[Borisov] do të ketë rrëfim të mirë për të treguar – se njerëzit janë të paaftë, se ata keqpërdorën gjithçka dhe se ai është rruga e vetme për të rivendosur parashikueshmërinë. Kjo mund t’i sjellë atij disa vota për herë të tretë”, thotë Bechev.

Më 12 korrik, Trifonov propozoi që Parlamenti i ri të zgjedhë Nikolay Vasilevin – ekonomist që shërbeu si zëvendëskryeministër në vitet 2000 – si kryeministër të Bullgarisë.

Trifonov nuk e emëroi veten për kryeministër apo ndonjë post tjetër.

Ai zgjodhi kryesisht njerëz të rinj, të arsimuar në Perëndim, por të panjohur, për postet kryesore, përfshirë tetë gra.

Trifonov e hodhi poshtë idenë e formimit të një Qeverie koalicioni me partitë e tjera.

“Më duket se kjo është shumë e guximshme, populiste dhe madje arrogante”, thotë Emilia Zankina, dekane e Universitetit Temple të Romës dhe eksperte për politikën bullgare.

Udhëheqësi i ITN-së përcaktoi disa prioritete për Qeverinë e tij të propozuar, përfshirë: mbylljen e gjykatës së specializuar penale – të krijuar nga GERB – për të cilën kritikët kanë thënë se është përdorur për të zhvatur biznesmenë të pasur; pastaj rritjen e digjitalizimit të shërbimeve qeveritare dhe bërjen e shpenzimeve qeveritare më transparente.

Trifonov po ashtu bëri thirrje për uljen e subvencioneve qeveritare për partitë politike, shpërbërjen e Bankës bullgare për Zhvillim, ndërtimin e më shumë kopshteve dhe bashkëpunim me agjencinë hapësinore amerikane NASA në një program hapësinor.

Sipas Zankinës, kjo është një platformë populiste pa shumë koherencë.

Genoveva Petrova, drejtore menaxhuese e agjencisë së sondazheve Alpha Research në Sofje, thotë se Qeveria e propozuar e Trifonovit mund të hapë një proces të gjatë negociimi me partitë e tjera.

“Kjo qeveri nuk do të vijë në pushtet. Kjo është pjesë e strategjisë afatgjate [të Trifonovit]. Do të ishte shumë naive për ta që të mendojnë se partitë e tjera do ta pranojnë një veprim të tillë”, thotë Petrova.

Udhëheqësit e ish-partive të opozitës – Bullgaria Demokratike dhe Çohu! Dil jashtë! – që fituan 12.6 për qind të votave, përkatësisht 5 për qind, e kritikuan vendimin e Trifonovit, duke thënë se presin që të jenë pjesë e bisedimeve për koalicion.

Marshall Harris, ish-zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit, që shërbeu në Sofje kur u shemb regjimi komunist më 1989, thotë se ITN-ja, Bullgaria Demokratike dhe Çohu! Dil jashtë! “duhet të veprojnë shpejt” nëse duan ta shfrytëzojnë mundësinë për të formuar një qeveri pa GERB-in.

Sipas tij, situata kujton fillimin e viteve 1990, kur partitë pro demokracisë në Bullgari u bashkuan për të parandaluar formimin e një qeverie të udhëhequr nga Partia Socialiste.

“Partitë e sotme të opozitës duhet të bëjnë më të mirën, për të vendosur interesat e vendit në radhë të parë. Kjo do të thotë të përpiqesh të formosh një koalicion që pasqyron vullnetin e popullit”, thotë Harris, i cili tani është një lobist me seli në Uashington, që përfaqëson biznesmenët bullgarë që janë kundër sundimit të Borisovit.

REL



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *