• |
ide | kryesore

Shuma e kredive private të garantuara nga qeveria u rrit me 12% në tremujorin e dytë

-Instant, Lajme, Të fundit



Përdorimi i skemave të qeverisë shqiptare për garantimin e kredive të sektorit privat u rrit më tej në tremujorin e dytë të vitit.

Sipas informacionit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë (MFE), në fund të muajit qershor shuma e garantuar për të dyja skemat arriti në afërsisht 10.5 miliardë lekë. Vlera e shfrytëzuar e garancive u rrit me rreth 12% krahasuar me fundin e tremujorit të parë dhe me rreth 15% që nga fillimi i vitit.

Pas pandemisë, qeveria shqiptare miratoi dy skema të garancisë sovrane për të mbështetur huamarrjen e kompanive private të prekura nga efektet e pandemisë. Linja e parë u miratua në muajin prill dhe kishte si qëllim garantimin e likuiditetit të nevojshëm për shlyerjen e pagës gjatë periudhës që shumë biznese ndërprenë ose reduktuan ndjeshëm aktivitetin. Ajo kishte një vlerë limit prej 11 miliardë lekësh. Në mesin e këtij viti, shuma totale e garantuar nga skema e parë ishte rreth 3 miliardë lekë, në rënie të ndjeshme me 20% krahasuar me tremujorin e parë dhe me 33% krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Shuma e përdorur nga skema e parë e garancisë është në rënie, sepse ajo ishte konceptuar si një formë mbështetje afatshkurtër për të siguruar shlyerjen e pagave të punonjësve dhe afati i aplikimit u mbyll në mesin e vitit të kaluar. Një pjesë e kredive të dhëna në kuadrin e kësaj skeme janë shlyer ose amortizuar pjesërisht tashmë.

Skema e dytë e garancisë sovrane u miratua në muajin maj 2020 dhe kishte qëllim mbështetjen e rimëkëmbjes së aktivitetit të biznesit. Megjithëse shuma e përdorur është rritur në tremujorët e fundit, ajo ngelet afërsisht sa gjysma e limitit prej 15 miliardë lekësh të akorduar nga qeveria shqiptare. Në fund të qershorit, shuma e garantuar nëpërmjet skemës së dytë arriti në 7.5 miliardë lekë, në rritje me 33% krahasuar me tremujorin e parë dhe me 63% që nga fillimi i vitit.

Kjo skemë fillimisht kishte afat fundin e vitit 2020, por në muajin janar qeveria shqiptare vendosi ta shtyjë deri në 30 qershor 2021. Mbështetur në këtë skemë, qeveria merr përsipër të garantojë 60% të kredisë, ndërsa pjesën tjetër të rrezikut duhet ta marrë përsipër vetë banka kredituese. Për një fond garancie prej 7.5 miliardë lekësh, portofoli maksimal i kredisë së gjeneruar mund të llogaritet në afërsisht 12.5 miliardë lekë.

Përdorimi i këtij instrumenti ka qenë shumë i ndryshëm për banka të ndryshme, në varësi të rrezikut që secila prej tyre ka zgjedhur të marrë përsipër. Për këtë arsye, në muajin mars qeveria shqiptare vendosi një rishpërndarje të tij drejt atyre bankave që e kishin shfrytëzuar pjesën e vendosur vitin e kaluar.

Në mesin e këtij viti, shuma totale e detyrimeve të garantuara nga qeveria shqiptare kishte vlerën e 14.6 miliardë lekëve. Garancitë në favor të kompanive private përbënin 72% të kësaj shume, ndërsa pjesa e mbetur janë garanci për mbulimin e huave të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare./Monitor



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *