• |
ide | kryesore

Rama rilind ministrinë e propagandës

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Nga Gjergj Erebara

Kryeministri shqiptar Edi Rama shpalli në mbledhjen e tij të parë të punës si kryetar i qeverisë në mandatin e tretë, krijimin e një agjencie të centralizuar, nën kontrollin e zëdhënësit të tij, për kontrollin e marrëdhënieve publike të të gjitha institucioneve të qeverisë qendrore, përfshirë ministrat, një tregues tjetër i dëshirës së tij për të pasur nën kontroll të gjithë qeverinë.

Një nga vendimet e para të qeverisë “Rama 3” është për krijimin e kësaj agjencie, për të cilën Rama thotë, pa ofruar fakte, se mbështetet në modele të suksesshme në Itali dhe Gjermani.

Sipas vendimit, agjencia do të kontrollojë emërimin dhe shkarkimin nga puna të zëdhënësve të institucioneve qendrore, të cilët deri më sot emëroheshin dhe shkarkoheshin nga ministrat përkatës dhe mbanin zakonisht statusin e këshilltarit. Kjo agjenci do të kontrollojë gjithashtu aktivitetin publik të ministrave, përfshirë konferencat e tyre për shtyp.

“Drejtori i Përgjithshëm, statusi i të cilit barazohet me atë të ministrit të shtetit, është zëdhënës i Këshillit të Ministrave,” thuhet në vendim, i cili krijon në këtë mënyrë një ministri propagande për herë të parë që nga viti 2001, kur një nga qeveritë e drejtuara në atë kohë nga Pandeli Majko, kishte një ministër “për informacionin”.

“Në përbërje të Agjencisë, pranë secilës ministri dhe institucion qendror në varësi të Kryeministrit apo ministrave krijohen struktura apo përcaktohen nëpunës përgjegjës për informimin, komunikimin mediatik, të ngarkuar nga Agjencia me përfaqësimin e institucioneve respektive në komunikimet dhe raportet me publikun dhe mediat apo me çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga drejtori i Përgjithshëm,” vijon më tej vendimi.

Dukshëm për t’i dhënë dorë të lirë kryeministrit dhe drejtorit të agjencisë të punësojë dhe pushojë nga puna këdo që dëshiron, pika 6 e vendimit sanksionon që “Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm, zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, nëpunësve dhe punonjësve administrativë të Agjencisë rregullohen në bazë të Kodit të Punës.” Në këtë mënyrë, zëdhënësat nuk do të kenë privilegjet e statusit të nëpunësit civil, i cili është ligji kryesor shqiptar që synon të krijojë një administratë publike civile. Kjo thekson gjithashtu karakterin politik të “Agjencisë”.

Big brother ju vrojton

Sipas vendimit, agjencia do të ketë për detyrë jo vetëm që të përcjellë në publik propagandën e qeverisë, por duhet edhe të “monitorojë median” për të parë reagimin e publikut ndaj qeverisë.

Agjencia “vëzhgon publikimet e mediave dhe mjetet e komunikimit masiv, për të evidentuar perceptimin dhe qëndrimin e publikut ndaj veprimtarisë së institucioneve të administratës shtetërore,” thuhet në vendim.

Kjo është hera e parë që qeveria shqiptare miraton një strukturë, e cila, ndërsa paguhet me paratë e taksapaguesve, ka për detyrë të monitorojë “mediat dhe mjetet e komunikimit masiv”, një term që dukshëm përfshin median sociale, dhe që i jep të drejtë një punonjësi shteti të përgjojë se cili qytetar e shau qeverinë dhe cili e lavdëroi.

Vendimi për krijimin e agjencisë sanksionon gjithashtu që asnjë nga zëdhënësat e qeverive nuk mund të komunikojë me median ndërsa të gjitha marrëdhëniet publike të qeverisë duhet të kalojnë përmes “zëdhënësit të kryeministrit”.

“Përgjegjësi për shtypin në zyrën e zëdhënësit të Këshillit të Ministrave është pika e parë e komunikimit me gazetarët, sipas parashikimeve të rregullores së Agjensisë,” thuhet në vendim.

Hera e fundit kur Shqipëria ka pasur një “Ministri Informacioni” ka qenë viti 1999. Personi i fundit që ka mbajtur një pozicion të tillë ka qenë Musa Ulqini.

Kryeministri Edi Rama është kritikuar nga organizatat vendëse dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut për dhunim lirisë së medias përmes kontrollit strikt të marrëdhënieve publike, moszhvillimin e konferencave të rregullta për shtyp dhe ndalimin e gazetarëve dhe kameramanëve të ndjekin aktivitetet e qeverisë apo të Partisë Socialiste. Shumica dërrmuese e “lajmeve” që shqiptarët shohin sot nga aktivitetet e qeverisë, nuk përgatiten nga gazetarë dhe kameramanë të medias, por nga zyrat e propagandës së qeverisë.

Në mbledhjen e tij të parë të qeverisë, Rama bëri gjithashtu një kërcënim tjetër për ministrat “të mos e shkelin kodin e etikës”, një instrument tjetër kontrovers që ndalon ministrat të kenë një opinion të ndryshëm nga kryeministri./ BIRN



5 Comments

  1. Na kishte marre malli per pak agjitacion dhe propagande!
    T’u shtofshin ditet o Udheheqes vizheqes!
    Marrsh nga ditet e Ballukut!

  2. O tempora , o mores .
    Çkohe te keqija ? Po ne keshtu kemi qene edhe para 2100 vitesh kur Ciceroni te thoshte ç’kohe kane ardhur . Po keshtu kemi qene edhe 1000 vite me pare . Edhe 500 vite , 100 vite . 50 vite , apo 30 vite me pare po keshtu kemi qene , nuk ka ndryshyar asgje . Por keto tete vite jane te pakrahasueshme me te te gjitha vitet pararendese te marra se bashku . Pse pranojme te keqen si diçka normale ? Pse nuk kemi pas mendere as te hedhim sikur nje here te vetme dorashken ? Pse trimat , te mençurit dhe te drejtet i perzejme apo i detyrojme te largohen dhe preferojme te na drejtojne frikacaket , injorantet dhe intrigantet ? Pse te mirat i marrim te fundit dhe te keqijat te parat ? Pse ka kaq vite qe ligesia eshte ulur kembekryq ne kete vend , biles edhe komandon ?
    I gjati ine krijoji partonazhistet dhe asnje nuk ndodhi , u kapen gafil dhe perseri asnje nuk foli , biles i gjati ine mori guximin edhe te na sfidoi hashiqare duke i falenderuar ata per spiunllikun e tyre dhe perseri ne me koken ulur .
    Ky grabit ne menyren me barbare te mundeshme dhe asnje nuk vepron . Ministrat e ketij hane dreka e darka me çmime marramendese , me çmime sa rroga minimale vjetore dhe asnje nuk flet . Tallin edhe menderen me kete popull duke na thene se ishte thjeshte nje dreke buke dhe se buka nuk permendet dhe ne biem ne gjunj . Flene ne hotele ku edhe miiardetet e puesin menderen dy here dhe na thone se nuk e pagoi shteti por biznesmeni . Na sfidojne dhe tallin menderen hashiqare duke na treguar mafiozin e dikurshem te kthyer ne biznesmen dhe ne perseri heshtim . Sa do vazhdoje kjo heshteje ? Edhe sa kohe do ta pranojme poshterimin si popull ?
    Tani ky po krijon ministrine e propagandes , njesoj si Hitleri me Gebelsin dhe asnje nuk flet . Biles keta propagandojne aq shume e aq dendur dhe propaganda e tyre ngjit aq shume saqe Gebelsi duket diletant perball nje patronazhist dosido . Ç’ndodh me kete vend ? Pse ne ? Mos jemi gje te trashe , apo mos valle keshtu jane te gjithe popujt ne bote ? Por popujt ne bote jane gritur e kane kundershtuar , kane bere protesta , revolucione biles edhe luftera civile per te fituar ate qe pjesa me e keqe e shoqerisa ja kishe mohuar me vite apo shekuj .
    Po ne pse nuk e marrim guximin te pakten ta kundershtojme kete minorance hadutesh e delenxhinjsh ?
    Nuk di te pergjigjem , por di te them : O tempora , o mores . Di te them se ka ardhur koha qe ta perzejme friken e te marrim guximin ti themi BOLL kesaj minorance horrash e delenxhijsh ?

  3. O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
    Kush te ka qitë me krye n’hi?
    Ti ke pas kenë një zojë e randë,
    Burrat e dheut të thirrshin nanë.
    Ke pasë shumë t’mira e begati,
    Me varza t’bukura e me djelm t’ri,
    Gja e vend shumë, ara e bashtina,
    Me armë të bardha, me pushkë ltina,
    Me burra trima, me gra të dlira;
    Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
    Kur kriste pushka si me shkrep moti,
    Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
    Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
    E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
    Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
    I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
    Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
    Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.

    Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
    Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
    Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
    E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
    Si mal me borë, si fushë me lule
    Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
    E s’të ka mbetun as em’n as besë;
    Vet e ke prishun për faqe t’zezë.
    Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
    Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
    Ca thone kam fè ca thonë kam din;
    Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”
    Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
    Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
    Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
    Për me ju damun me ju vorfnue!
    Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
    Me ju turpnue me grue e motër,
    E për sa pare qi do t’fitoni,
    Besën e t’parëve t’gjith e harroni,
    Baheni robt e njerit t’huej,
    Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
    Qani ju shpata e ju dyfeqe,
    Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
    Qani ju trima bashkë me ne,
    Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!
    E s’i ka mbetun as bukë as mish,
    As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
    As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
    Por asht rrëxue e bamun trokë!
    Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
    M’ata sy t’bukur q’dini me qa,
    Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,
    Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder;
    Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
    Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!
    Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë
    Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?
    Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
    Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
    Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do
    Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!
    Para se t’hupet kështu Shqypnia,
    Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!
    Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
    Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,
    E mos shikoni kisha e xhamia:
    Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
    Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
    Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,
    Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë
    Kush mos na e preki, se desim t’tanë
    Të desim si burrat që vdiqnë motit
    Edhe mos marrohna përpara zotit.
    Pashko Vasa

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *