• |
ide | kryesore

Franca: SHBA-ja dhe Australia “gënjyen” për paktin e ri të sigurisë

-Instant, Lajme, Planet

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, ka akuzuar Australinë dhe Shtetet e Bashkuara se kanë gënjyer për një pakt të ri të sigurisë, që ka nxitur Parisin t’i thërrasë për konsultime ambasadorët e tij në këto shtete.


Ministri Le Drian ka akuzuar shtetet edhe për “shkelje të madhe të besimit”.


Marrëveshja, e njohur si Aukus, ka rezultuar me anulim të një marrëveshjeje disa miliarda dollarë që Franca ka nënshkruar me Australinë.

Kryeministri australian, Scott Morrison, ka thënë se ai ka vepruar sipas interesave kombëtare të shtetit të tij.

Ai ka insistuar se Qeveria franceze “ka pasur secilën arsye të di se ne kemi pasur shqetësime të thella” se marrëveshja në vlerë të 37 milionë dollarëve, e nënshkruar në vitin 2016, “nuk do të përmbushte interesat tanë strategjikë”.

“Natyrisht se është çështje e zhgënjimit të madh për Qeverinë franceze, andaj e kuptoj zhgënjimin e tyre”, ka thënë ai.

“Por në të njëjtën kohë, Australia, sikurse secili komb sovran, duhet të marrë vendime që janë në interesin tonë kombëtar”.

Aleanca, e njohur si Aukus, në të cilën përfshihet edhe Mbretëria e Bashkuar, do t’i mundësojë Australisë që të ndërtojë nëndetëse me kapacitet bërthamor, si mënyrë për t’u përballur me ndikimin e Kinës në Detin e Kinës Jugore.

Franca është informuar nga aleanca vetëm disa orë pasi është bërë njoftimi zyrtar.

Në një intervistë për televizionin France 2, Le Drian ka thënë se ekziston “krizë serioze” në mes të aleatëve.

“Fakti që për herë të parë në histori të marrëdhënieve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Francës, ne jemi duke thirrur ambasadorët tanë për konsultime, është akt politik serioz, që tregon shkallën e krizës që ekziston mes shteteve tona”, ka thënë ai për France 2.

Ai ka thënë se Franca nuk sheh “nevojë” për të thirrur ambasadorin që ka në Mbretëri të Bashkuar, pasi ka akuzuar këtë shtet për “oportunizëm të vazhdueshëm”.

Kina, në anën tjetër, ka akuzuar tri fuqitë e paktit, për “mentalitet të Luftës së Ftohtë”. /REL

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu