• |
ide | kryesore

Dinamika e atentatit/ Si u vra Demir Backa në parkingun e qendrës tregtare

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Kur janë kryer dhe të tretat e vrasjes së biznesmenit 57-vjeçar Demir Backa në Fier, mbrëmjen e së shtunës në parkingun e një qendre tregtare, kanë dalë dhe detaje të reja.


Demir Backa mbrëmjen e së shtunës ka qenë në një qendër tregtare së bashku me djalin dhe një të afërm të tij. Teksa kanë dalë nga lokali në tarracë të qendrës tregtare, kanë zbritur në katin e parë e janë drejtuar në dalje për te parkingu ku kishte parkuar dhe makinën e tij tip Audi.


Ata që kishte planifikuar atentatin ndaj tij kanë qenë në pritje me automjetin tip Benz C Class me portobagazh me targa të Kosovës, që sipas hetimeve të mëvonshme ka rezultuar se janë të sakta, por që ishin vjedhur në Durrës në muajt e verës në një mjet të një shtetasi kosovar që kishte qenë me pushime.

Viktima Demir Backa është mbajtur nën vëzhgim nga një person tjetër, i cili ka njoftuar grupin e zjarrit. Demiri nuk ka dalë menjëherë nga godina për në makinë, pasi djali është kthyer nga rruga për të shkuar në tualetin e qendrës tregtare dhe ata e kanë pritur.

Teksa kanë ecur për te makina, ende pa hipur në të, autorët e atentatit kanë qëlluar mbi xhamin ballor të Audit duke menduar se ai ka qenë ulur në sedile. Por kur kanë parë që ai ka qenë në këmbë pas makinës, njëri ka dalë nga makina (kanë qenë 3 persona, shoferi, njëri i ulur në sedile të parë te pasagjeri dhe një i tretë pas sediles së parë të pasagjerit) dhe ka gjuajtur në drejtim të tij me breshëri duke e lënë të shtrirë përtokë. Më pas është kthyer e ka ikur në drejtim të makinës që e priste ndezur.

Në këto momente pranë Demir Backës ka qenë i afërmi i tij, ndërkohë që i biri ka qenë duke dalë nga tualeti i qendrës tregtare. I afërmi i tij i ka folur autorit që qëlloi mbi Demirin duke i thënë “më qëllo dhe mua”, por autori nuk ka kthyer kokën, por ka hipur në makinë dhe kanë ikur.

Burime pohojnë se makina fillimisht ka marrë drejtimin e Levanit për të mashtruar policinë e ata që kanë parë ngjarjen, por ka marrë në unazë e më pas ka dalë tek kryqëzimi i unazës “Skënderbeu” më pas ka marrë rrugën e Daullasit duke kaluar në një parcelë me jonxhe e misër. Pasi e lënë makinën në një kanal, autorët i vunë flakën.

Në makinë policia gjeti një armë zjarri kallashnikov pa fishekë dhe një pistoletë me silenciator e mbushur me fishekë (fishekët e plasur nga zjarri). Armëve të zjarrit u ishin fshirë numrat serialë. Makina nga brenda ishe djegur tërësisht, ndërkohë që nga hetimi i kishin fshirë edhe numrin e shasisë. Tre personat që morën pjesë në atentat janë larguar në këmbë drejt autostradës që ndodhet jo më larg se 300 metra nga vendi ku u dogj makina, ku i ka pritur një makinë tjetër e janë larguar.

Burime nga grupi hetimor pohojnë se qendra tregtare nga ku doli dhe viktima Backa me djalin e të afërmin e tij ka kamera sigurie, por i vetmi vend që nuk mbulohej me kamera ka qenë vendi ku parkoi viktima Demir Backa. Autorët duket se e kishin marrë këtë informacion, dhe duke e ditur që nuk mbulohej me kamera, kryen atentatin, bile personi që qëlloi mbi Backën ka qenë pa maskë, me një kapele në kokë, pohuan burimet.

Nga ana tjerët burime informacioni për Syri TV dhe Syri.net, pohuan se që paraditen e së nesërmes forca police shkuan te banesa e personit objekt të OFL duke kontrolluar dhe e njoftuan që të paraqiten në drejtori të policisë vendore në Fier për t’u pyetur. Ai ka shkuar dhe është paraqitur duke treguar se nuk ka pasur debat me viktimën, çdo gjë ishte e mbyllur mes tyre vite më pare.

Personat që e morën në pyetje i kanë thënë se do të rimerrej në pyetje nëse është e nevojshme, por nuk është thirrur më për t’u pyetur./Syri.net

1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu