• |
ide | kryesore

Helmimi i mbi 500 banorëve të Krujës, çfarë tregojnë analizat e ujit

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Të paktën për 24 orë, duke nisur nga dita e diel, banorët e Krujës kanë pirë ujë me fekale dhe urinë bagëtish. Analizat mikrobiologjike të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik e konfirmojnë këtë.

Burimet thanë se analizat treguan nivele të larta të streptokokut dhe “Escherichia Coli”-it. Kanë qenë këto dy baktere, që kanë kontaminuar ujin e pijshëm, me të cilin furnizohen banorët e Bashkisë së Krujës. Ditën e diel, ata shfaqën probleme shëndetësore si gastroenterite, të vjella e diarre, duke bërë që të përfundojnë në spital. Prej 4 ditësh, në Spitalin e Krujës janë paraqitur më shumë se 500 pacientë.

Avokati i popullit

Avokati i Popullit vizitoi dje Spitalin e Krujës duke u njohur me gjendjen e qytetarëve. Vizita në Spitalin Klinik “Stefan Gjoni” në Krujë, kishte si qëllim monitorimin e gjendjes së pacientëve që kanë marrë shërbimin atje, pasi përfunduan në spital me simptoma të dyshuara nga helmimi prej ujit të pijshëm. Takimi paraprak është zhvilluar me drejtoreshën e spitalit Yllka Sheta, nga e cila u raportua se, të gjithë personave u është dhënë dhe po u jepet shërbimi i duhur shëndetësor.

“Nga informacionet e marra prej personave që ishin duke u trajtuar në mënyrë ambulatore na u bë me dije se simptomat e tyre përkonin me dhembje koke, dhembje barku, të përziera, si dhe në disa raste edhe temperaturë. Qytetarët e sëmurë janë të bindur se kjo situatë u është shkaktuar nga konsumimi i ujit. Qytetarët kanë marrë shërbimin e nevojshëm, janë vizituar, janë konsultuar dhe gjithashtu kanë marrë shërbime sipas protokolleve të mjekimit.

U konfirmua se edhe pacientë të tjerë, të cilët janë duke u trajtuar pranë shërbimit të Urgjencës dhe gjithashtu në disa pavijone. Sipas drejtuesve, spitali ka punuar me kapacitet të plotë në të tre turnet dhe po ashtu sipas tyre, medikamentet nuk kanë munguar në asnjë moment”, njofton Avokati i Popullit.

Prokuroria

“Në lidhje me ngjarjen e datës 25.10.2021, ku pranë Spitalit ‘Stefan Gjoni’ të qytetit të Krujës janë paraqitur me shenja helmimi një numër i konsiderueshëm banorësh të këtij qyteti, duke qenë se kjo ngjarje paraqet interes për opinionin publik, bazuar në ligjin nr. 119/2014 ‘Për të drejtën e informimit’, ju informojmë se: Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Shtetit, në lidhje me këtë ngjarje ka nisur kryesisht hetimet për veprën penale ‘Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës’ me pasojë dëmtimin e shëndetit të personave.

Hetimet në lidhje me këtë ngjarje janë duke u kryer në drejtim të zbulimit të shkaqeve që kanë çuar në helmimin e banorëve, si dhe individualizimin e përgjegjësive penale për personat përgjegjës. Për këtë qëllim, është urdhëruar kryerja e akteve të ekspertimit mjekoligjor për të përcaktuar se cili ka qenë shkaku i helmimit të banorëve.

Janë duke u kryer hetime në drejtim të analizave fiziko-kimike dhe bakteriale të ujit të pijshëm që furnizon qytetin e Krujës, si dhe veprime të tjera hetimore për zbardhjen e të gjitha rrethanave në lidhje me këtë ngjarje. Aktualisht, jemi në pritje të përgjigjeve të akteve të ekspertimit si më sipër”, njoftoi dje Prokuroria.

Ministrja Manastirliu: Jemi në pritje të analizave bakteriologjike

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka njoftuar se situata në Krujë paraqitet e stabilizuar. Helmimi masiv i qytetarëve për shkak të ujit të pijshëm ka bërë që më shumë se 500 qytetarë të paraqiten në spitale. E pyetur nëse kanë dalë përgjigjet e analizave bakteriologjike, Manastirliu tha se janë ende në pritje. “Nga raportimet që më kanë ardhur janë ende në pritje të përgjigjes së analizave bakteriologjike që janë marrë në funksion të pistave të hetimit.

Në Spitalin e Krujës gjendja është e kontrolluar. Sot, janë rreth 14 qytetarë edhe fëmijë e adoleshentë që janë duke marrë shërbim, por gjendja ka qenë nën kontroll. Bashkia e Krujës ka marrë të gjitha masat për përballimin e situatës që përfshihet edhe dezinfektimi”, tha Manastirliu. Ministrja e Shëndetësisë, ishte ditën e martë në Krujë, nga ku deklaroi se kishin nisur hetimet epidemiologjike.

Situata në Spitalin e Krujës, për 24 orë u paraqitën edhe 150 persona

Mjekët në Spitalin e Krujës njoftojnë se situata e pacientëve me probleme të helmimit është përmirësuar. Sipas mjekëve, që nga mesdita e kaluar e deri pasditen e djeshme, rreth 150 persona janë paraqitur në spital për mjekim shëndetësor. Ndërsa në total, që nga dita e parë, numri i të prekurve shkon në rreth 500 qytetarë, të cilët kanë shfaqur shenja të helmimit dhe që janë paraqitur në spital. Nga ana tjetër, një qytetar është shprehur për se po e blen ujin e pijshëm, por vështirësia ekonomike e bën të papërballueshme situatën, ndërsa tregon se është invalid dhe merr vetëm 150 mijë lekë të vjetra. “Po e blejmë ujin e pijshëm, me u la jo.

Unë jam invalid, 150 mijë lekë marr. Ky është vendi dhe kuvendi, gjeje vetë”, ka thënë ai. Ndërkohë, nga ana e spitalit është kërkuar jo vetëm nga rojet e sigurisë private, por nga edhe Policia e Shtetit që të pengojnë gazetarët që të futen në ambientet e brendshme te spitalit. Që prej mesditës së të hënës, furnizimi me ujë në Krujë është ndërprerë për shkak të helmimit të qytetarëve.

Bashkia çoi pasditen e së martës disa bote që shpërndanë ujë në disa pika, por ditën e djeshme në qytet mungon uji. Bashkia ka deklaruar se botet do të shpërndajnë ujë edhe përgjatë të mërkurës, por megjithatë ende nuk është bërë asgjë. “Erdha në spital sepse kisha dhimbje barku e dhimbje koke. Mungesa e ujit shumë problem. Qeveria duhej të na kishte sjellë ujë me bote që të hënën. Për të pirë po e blejmë, por për t’u larë hiç. Do zëmë morra e pleshta”, shprehet një qytetar.



1 Comment

  1. Analizat fekaleshume te ujit tregoje ate qe e dinim se MANDATI I TRETE DO TE ISHTE MANDATI I MUTIT DHE SHURRES NE BUKE DHE UJE!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *