• |
ide | kryesore

BE përsërit: Kosova t’i zbatojë marrëveshjet

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se institucionet evropiane presin që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

I pyetur nga gazetarët të komentojë deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë për BBC-në se nuk do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, Stano tha se “në parim, nuk i komenton deklaratat e palëve të treta”.

“Qëndrimi ynë është shumë i qartë për marrëveshjet e arritura në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ne duhet ta respektojmë marrëveshjen dhe të bëjmë çmos për të siguruar zbatimin e atyre marrëveshjeve”, tha Stano.

Në një intervistë për BBC-në, Kurti ka thënë se me krijimin e Asociacionit, do të krijohej “diçka e ngjashme me Republikën Sërpska në Kosovë”, andaj nuk do të lejojë që “në Kosovë të përsëritet Bosnja”.

Republika Sërpska, e banuar me shumicë serbe, është njëri nga dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën. Entiteti tjetër është Federata Myslimane-Kroate.

Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013.

Dy vjet më vonë, dy vendet kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Pala serbe këmbëngul që Kosova duhet ta zbatojë marrëveshjen për Asociacionin.

BE-ja, në disa rase, ka bërë thirrje për zbatimin e marrëveshjes.

Kurti, edhe më herët, ka thënë se në Kosovë “nuk mund të ketë asociacion njëetnik”./REL/



1 Comment

  1. Edhe nese i ploteson te gjitha (te tjera do te shpikni si te harruara demek) prape e njejta gje do te jete….
    Pffffffffffffffffffffffffffffff
    Sikur te mos flisnit fare me mire do te ishte….
    Ju mbulon me se miri pushteti (pusht) i ballkanit… s’keni pse beni sikur po shqetesoheni….
    Mjaft (por jo sipas lali Fikut) … Behuni nje here BE-eee (nuk jeni as dy bashke dhe jo me…) dhe pastaj….
    Mjerim vellezer ???

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *