• |
ide | kryesore

Plas te Vllaznia, lojtari reagoi ndaj zëvendësimit, Brdaric ia pret shkurt: “Bota nuk rrotullohet rreth Latifit”

-Instant, Sport



“Ne duhet të punojmë për rastet që humbim. Duhet të jemi më të qetë në zonën e rreptësisë, të gjejmë vetëbesim para portës. Të stërvitemi akoma më shumë për këtë gjë, pasi diferenca do të vazhdojë të rritet dhe do na ikin kryesueset”. Me këto fjalë Thomas Brdaric ka nisur kritikat mbi lojtarët e tij, pas barazimit 1-1 me Egnatian. Atmosfera në kampin shkodran është e tensionuar dhe kjo u kuptua në momentin e zëvendësimit të Latifit, që reagoi dukshëm në drejtim të pankinës. Gjesti nuk i ka pëlqyer fare teknikut gjerman, që pas ndeshjes ka ngritur tonet: “Mendoj se bota nuk rrotullohet rreth Latifit. Ai duhet të pranojë vendimin e trajnerit, në të vërtetë nuk di çfarë të them. Të gjithë duam të luajmë për 90 minuta, ne analizojmë dhe flasim me lojtarët gjatë javës, por nëse nuk dëgjojnë këshillat tona gjatë ndeshjes kjo ndikon te atmosfera e ekipit”.

Brdaric i është kthyer analizës së rezultateve, duke e bërë të kuptohet se dicka nuk funksionon brenda grupit, që deri pak javë më parë ishte pika e fortë e kuqebluve: “Mendoj se dy ndeshjet e fundit nuk kemi pasur rezultate të mira, duhet të qetë, të kthjellët deri në fund. Kur ka sjellje të tilla, ndikon dhe te grupi pasi sezoni është i gjatë dhe duhet të jemi më të qetë në këto momente”.

Askush nuk shpëton dhe Brdaric e ke me lojtarët ndaj të cilëve ka edhe pritshmëritë më të larta. Tekniku tani është nën presion dhe në këto kushte është vështirë që ai të bëhet mburoja e skuadrës, përkundrazi…: “Është e thjeshtë për ta thënë që kemi shumë kualitet, por lojtarët duhet ta reflektojnë në fushë këtë gjë. Ndoshta sezonin e kaluar kishim më shumë kohë në fazën përgatitore, dhe kishim më shumë kohë për të ndërtuar ekipin. Ne besojmë se punojmë me shumë përqendrim dhe duhet të jemi më të durueshëm se viti i kaluar, por besojmë se me kohën rezultatet do të vijnë dhe çdo gjë do të jetë në vendin e vet”, e mbylli Brdariç.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *