• |
ide | kryesore

Ndahet nga jeta, ish milioneri i parë shqiptar, Marsel Skëndo

-Instant, Lajme, Të fundit



Pas një sëmundje të gjatë është ndarë nga jeta një prej biznesmenëve të parë në Shqipëri, Marsel Skendo, i njohur si krijuesi i linjës së parë airore private Aida Air dhe themeluesi i TV Klan së bashku me Julien Roche dhe Aleksandër Frangaj. Ai u bë i famshëm si milioneri i parë shqiptar, pas një reportazhi televiziv në RAI çka i shkaktoi edhe një përndjekje politike nga regjimi i Berishës së parë gjë që solli edhe një reagim të fortë ndërkombëtar.

Marsel Skëndo ka qene angaxhuar në sektorë nga më të larmishmit, ku import-eksportet dhe ndertimi janë klasike, por ku spikasin sidomos ngjarje si themelimi i linjës së parë ajrore private në vend, Ada Air, tek internet provider Adanet.

Emrin e tij mbajnë logo historike të shtypit të shkruar dhe medias elektronike si TV Klan, Revista Klan, gazeta Korrieri, Albanian Daily News etj. Dhe kjo, jo thjesht si investitor, pronar, apo bashkëpronar e themelues. Ai do të mbahet mend si sipërmarrësi modern e qytetar dhe biznesmeni që e kishte të qartë se hapësira profesionale dhe pavarësia në punën e përditshme të gazetarëve ishte një element i padiskutueshëm në forcimin e cilësisë së këtij sektori. Akoma më e rëndësishme është kjo veti, kur kemi parasysh sesa shumë e rrallë është ajo në mjedisin mediatik shqiptar.

“Ai ishte njeriu qe u dha mundesi shume njerzve te realizonin endrra biznesi ne vitet e para te kaosit ekonomik ne kete vend. I pasur me modesti, partner dhe koleg, guru biznesi, qe biznesi nuk e cveshi dot nga njerzilleku. Njeriu i talentuar qe shqetesimet i perballonte me qetesi dhe cdo veshtiresi e shikonte si oportunitet biznesi. Nga njerezit e rralle qe nuk e njohu kurre arrogancen edhe kur ishte i veshur me pushtetin e njeriut me te pasur ne kete vend” ka shkruar pas ndarjes së tij nga jeta një nga bashkëpunëtorët e tij ish kineasti Ilir Butka.

Familja Skëndo ka njoftuar se ceremonia e përcjelljes do të jetë nesër, në datë 16 nëntor, në Pallatin e Kongreseve, Hyrja anësore nga ana e Rogner, nga ora 11:00 deri në orën 14:00, kur edhe do të niset drejt varrezave të Sharrës. Pritja e vizitave do të jetë pranë Hotel Sheraton, Salla Iliria, në datën 16 nëntor, nga ora 17:00 deri në 19:00 dhe në daten 17 nëntor nga ora 10:00 deri ne 13:00 dhe nga ora 15:00 deri në 19:00.

©Lapsi.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *