• |
ide | kryesore

Zëdhënësi i BE: Prishtina e Beogradi nuk kanë gatishmëri për dialog

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Pak ka gjasa që së shpejti të ketë takim të ri në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në nivelin më të lartë politik. Zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE), të informuar me procesin, thanë të hënën (6 dhjetor) se në këtë moment nuk ka gatishmëri as të Prishtinës e as Beogradit që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog.


Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano paralajmëroi që parakusht për aranzhimin e takimit të radhës duhet të jetë gatishmëria e palëve që të merren vesh rreth rezultateve konkrete, në të mirë të qytetarëve të tyre.


“E kemi bërë shumë të qartë, pas dy takimeve këtë vit, që parakusht për takimin e radhës duhet të jetë gatishmëria e të dyja palëve që të dakordohen rreth rezultateve konkrete për të mirën e qytetarëve të tyre. Kontaktet e fundit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri (Josep Borrell) dhe diplomacia e Përfaqësuesit të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak treguan që aktualisht nuk ka gatishmëri”, tha Stano.

Sidoqoftë, më 1 dhjetor ndërsa fliste nga Riga në takimin e ministrave të jashtëm evropianë me NATO-n, Borrell theksoi se Kosova e Serbia duhet të kthehen sa më parë në tavolinën e negociatave.

Në fund të nëntorit, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Lajçak vizitoi Prishtinën e Beogradin në tentimin që të organizojë rundin e ri të takimit në nivelin më të lartë.

Gjatë vizitës në Prishtinë më 25 nëntor, Lajçak tha se ka hapësirë për progres në kuadër të dialogut derisa theksoi rëndësinë strategjike të këtij procesi për gjithë Bashkimin Evropian.

Pas takimit me kryeministrin Kurti, Lajçak tha se nuk është i rëndësishëm vetëm caktimi i takimit, por edhe rezultati që mund të ketë ai. Nga vizitat në Prishtinë e Beograd, burimet e Radios Evropa e Lirë kanë thënë se Lajçak megjithatë është kthyer krejtësisht i dekurajuar.

Që nga koha kur Albin Kurti u bë kryeministër i Kosovës, në kuadër të dialogut ai është takuar vetëm dy herë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Që të dyja takimet ishin të pasuksesshme dhe dëshmuan se sa larg qëndrojnë palët në qasjen e tyre ndaj dialogut.

Pikërisht kjo i detyroi zyrtarët evropianë që të deklarojnë se takimi i tretë do të ndodhë vetëm nëse do të ketë gatishmëri për përparim në dialog.

Më 5 dhjetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se është diskutuar mundësia që në javën e dytë të dhjetorit të ketë një takim në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Të martën, kryeministri Kurti do të qëndrojë në Bruksel, por gjatë kësaj vizite do të takojë zyrtarët e lartë evropianë përfshirë edhe shefin e diplomacisë, Borrell, por takim me presidentin serb, Vuçiç nuk do të ketë.

Sipas burimeve në Bruksel, takimi me Borrellin do të jetë mundësia e fundit për këtë vit që të tentohet të organizohet takimi i tretë mes Kurtit dhe Vuçiçit.

Bisedimet për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë filluar qysh në vitin 2011. Që nga ajo kohë janë arritur një sërë marrëveshjesh, porse shumica prej tyre nuk janë zbatuar në praktikë.

Dialogu u ndërpre disa herë për arsye të ndryshme. Por, së fundmi pengesë në dialog u bë marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovës.

Qëllim i dialogut thuhet të jetë arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme për të dyja palët.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu