• |
ide | kryesore

Tensionet për Ukrainën, Putin dhe Biden bisedojnë sot në telefon

-Instant, Lajme, Planet



Presidenti amerikan, Joe Biden, do të zhvillojë bisedime me homologun rus, Vladimir Putin, për të dytën herë këtë muaj, në një përpjekje për të zbutur tensionet mbi Ukrainën.

Telefonata që do zhvillohet të enjten, është kërkuar nga numri një i Kremlinit. Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se presidenti Biden, beson në diplomacinë e diskutimeve me udhëheqësit dhe prandaj po e pranon ftesën.

Autoritetet ukrainase pretendojnë se mbi 100 mijë trupa ruse janë dërguar pranë kufirit të përbashkët, dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar Putin, me sanksionet më të forta deri më tani, nëse do të pushtojë Ukrainën.

Siç thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, Uashingtoni ishte konsultuar me liderët europianë para telefonatës, për të koordinuar një reagim të përbashkët lidhur me çështjen.

Një zyrtar amerikan, tha për agjencinë e lajmeve AFP se Biden do t’i ofrojë homologut rus një zgjidhje diplomatike, por se mbetet tejet i shqetësuar për trupat e pozicionuara në kufi.

Pritet që Biden të përsërisë paralajmërimin se SHBA-ja është e gatshme të reagojë nëse Moska avancon më tej në Ukrainë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *