Skandalet e përsëritura me rrjedhjen e të dhënave personale e kanë tronditur marrëdhënien e qytetarëve tek shteti, që drejtohet prej 8 vitesh nga socialistët. Të dhënat konfidenciale sot qarkullojnë kudo. Sekreti është publik. Prandaj zbulimi i të vërtetës, i tejkalon edhe interesat e vogla të prokurorëve që duket se kanë zgjedhur të bëjnë diferencime në hetimin e dy çështjeve.
I pari, skandali i publikuar nga Lapsi.al për databazën e patronazhistëve, një dokument me të dhënat e 910 mijë qytetarëve të Tiranës, me numrat e telefonit, nr e kartave ID, vendbanimin dhe me nga një patronazhist për secilin, i ngarkuar me përshkrimin e bindjeve politike për çdo qytetar të moshës nga 19 deri në 99 vjeç.
I dyti, skandali i listës me pagat e qindra mijëra qytetarëve, shoqëruar me vendin e punës, nr e telefonit, nr e kartave ID, që nxorri në qarkullim rrogat e Janarit dhe të Prillit të vitit 2021.

Rezultatet e shpejta të prokurorisë për dosjen e “pagave”
Për rrjedhjen e dokumentit excel të pagave, Prokuroria e Tiranës arrestoi punonjësit e Agjensisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe personat që i blenë dhe shfrytëzuan të dhënat. Në një konferencë për mediat, drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës zbuloi se si ishte nxjerrë dokumenti që qarkulloi në Whatsapp nga punonjësit e AKSHI dhe si kishte përfunduarnë duart e drejtuesit të një kompanie kredish dhe përmbaruesve.
Në dosjen e hetimit shpjegohet se si kanë kaluar të dhënat nga databaza e drejtorisë së Tatimeve të Tiranës përmes specialistes së IT, Eni Qirjako dhe kolegut të saj Andi Agaraj. Specialistja Eni Qirjako e punësuar pranë AKSHI-t ka marrë listën e pagave dhe ia ka kaluar kolegut të saj Andi Agaraj i cili më pas e ka shitur atë te përmbaruesit privatë Klodian Sota dhe Endri Ikonomi, kundrejt pagesës prej 20-30 mijë lekësh.
Skema u zbardh menjëherë pasi prokurorët sekuestruan serverat e AKSHI dhe të Drejtorisë së Tatimeve. Por prokuroria ende nuk ka asnjë rezultat konkret se si dhe kush i nxorri informacionet për 910 mijë qytetarë të Tiranës dhe kush i përdori më pas duke i kryqëzuar me emrat e patronazhistëve të Partisë Socialiste.
Vini re, dosja e parë hetimore nisi në prill të vitit të kaluar, ndërsa për pagat, që dolën në Dhjetor, prokurorisë iu deshën vetëm pak ditë për të zbuluar gjithçka.

Dy dosje të ngjashme, dy mënyra hetimi të ndryshme
Nga mënyra se si është vepruar për hetimet e të dyja dosjeve, del se zbulimi i të vërtetës varet nga vullneti i prokurorëve. Por në rastin e parë, pas publikimit të databazës së patronazhistëve, prokurorët e SPAK i shmangën institucionet shtetërore.
Në vend të drejtoheshin për në Agjensinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit apo për në selinë e Partisë Socialiste, hetimet u përqëndruan ndaj redaksisë së Lapsi.al. Fillimisht u morën në pyetje drejtuesit e portalit dhe më pas u sigurua një vendim gjykate që i hapi rrugë sekuestrimit të kompjuterave dhe celularëve të gazetarëve të Lapsi.al. U desh një vendim i Gjykatës së Strasburgut për të ndalur bastisjen e redaksisë nga policia.
Pas reagimit të opinionit dhe nën presion politik për zbardhjen e çështjes, SPAK e hoqi këtë “patate të nxehtë” nga duart, ndryshoi akuzën dhe i kaloi hetimet në Prokurorinë e Tiranës, që drejtohet nga Elizabeta Imeraj.

Ngrirja e hetimeve për patronazhistët
Gjatë konferencës së sotme, Prokurorja e Tiranës tha se veprimet hetimore për zbardhjen e skandalit të databazës së patronazhistëve kanë nisur prej muajsh dhe hetimet janë në vazhdim. Me gjuhën e drunjtë që përdori dha pak shpresa për rezultate të hetimit.
Por pak ditë më parë, Imeraj lëshoi një sinjal tjetër, dmë konkret. Gjatë takimit jozyrtar, që pati me gazetarët, Imeraj tha “off record” se të dhënat e patronazhistëve dhe të dhënat e pagave kanë dalë nga e njëjta dorë.
Pohimi i prokurores implikon për herë të parë institucionet shtetërore në databazën e parë, atë ku ishin gati 9 mijë emra të patronazhistëve të Partisë Socialiste dhe ku ishin vjedhur të dhënat personale për secilin prej nesh, shoqëruar nga përshkrimi i bindjeve politike.
Hetimet për këtë databazë janë në vendnumëro prej muajsh. Duke qenë se çdo sinjal nga të arrestuarit mund të çojë drejt selisë së Partisë Socialiste, Imeraj është treguar e kursyer.
Deri tani, hetimet për databazën e Partisë Socialiste kanë përshkruar një linjë, që kryeministri Rama e shpjegoi në konferencën e datës 23 Dhjetor kur doli me drejtoreshën e AKSHI, Linda Karçanaj. Kur gazetarët ia krahasuan skandalin e patronazhistëve dhe atë të pagave, Rama tha se për të parin nuk kishte nevojë për hetime të brendshme, ndërsa për të dytin duheshin hetuar të gjithë.
“Për rastin e parë, ne nuk kemi pasur asnjë nevojë të bëjmë asnjë hetim të brendshëm. Ne kemi qenë shumë të qartë, një databaze e hedhur rrugëve prej kohësh dhe e përdorur copa-copa etj, etj. Dhe siç e kam thënë edhe më parë e përsëris prapë: Nuk kemi pasur dhe s’kemi asnjë nevojë ne në gjithë manualin e punës së makinerisë elektorale të Partisë Socialiste për numrin e kartave. Është nonsens. Por, përsa i përket këtij rasti, ndryshe nga rasti tjetër, i cili është hetuar thellësisht nga organet, në këtë rast hetimi duhet të përfshijë një numër të konsiderueshëm njerëzish, përsëris, të gjithë inspektorët e tatimeve, jo vetëm ata që kanë akses” u shpreh Rama.

Vetingu i Prokurores së Tiranës, Elizabeta Imeraj
Çështja e vetingut të Elizabeta Imerajt ka qenë një nga proceset më të komplikuara që kur ka nisur reforma në drejtësi. Fillimisht u sikur seancarutinë do të kalonte me konfirmimin e prokurores nga anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, por në fund pati një ndërhyrje nga vëzhguesi ndërkombëtar Teo Jacobs. Ai ngriti disa shqetësime për prokuroren, që kulmonin tek pretendimet për shantazh të kolegut të tij Jans Kijldtra, duke kërkuar përjashtimin e saj nga sistemi.
Por pavarësisht se KPK e konfirmoi në detyrë, ndërkombëtarët nuk u ndalën. Ambasadorja amerikane ka bërë një ndërhyrje të paprecedent për rastin e Imerajt duke kërkuar apelimin e vendimit nga Komisioneri Publik. Dhe ashtu ndodhi. Së shpejti për Imerajn do të mblidhet Komisioni i Pavarur i Apelimit dhe vendimi i dytë do të përcaktojë fatin e prokurores. Deri tani ajo ka luajtur të gjitha letrat e duhura, ndërsa prej muajsh ka në dorë një nga çështjet më të nxehta që prekin drejtuesit e partisë në pushtet ose kryepatronazhistët./Lapsi.al