• |
ide | kryesore

“Na mashtruan për rrogat”/ Punonjësit e inceneratorit në Elbasan dalin sërish në protestë: Kemi hyrë në borxhe

-Instant, Lajme, Të fundit



Për të dytën ditë radhazi, punonjësit e impiantit të përpunimit të mbetjeve të Elbasanit kanë dalë në protestë këtë të premte pasi nuk janë paguar përgjatë dy muajve të fundit. Revolta e tyre është më e madhe pasi sipas tyre jo vetëm që nuk janë paguar dhe gjenden në vështirësi të mëdha ekonomike, por ditën e djeshme edhe janë mashtruar që të hiqnin dorë nga kërkesat e tyre. Në fjalët e një prej punonjësve, administrata i gënjeu duke i thënë se do të paguhen dhe për këtë arsye ata braktisën protestën e të enjtes.

“Ishim dhe dje këtu dhe kërkuam rrogat. Në atë moment na erdhi një telefonatë dhe na tha ikni nga aty se do ju futen rrogat. Ne ndaluam protestën, u kthyem dhe rrogat nuk kishin hyrë, na gënjyen. Prandaj dolëm prapë sot, duam rrogat”, u shpreh një punonjës.

Protestuesit shprehen përpara medieve se ata vijnë nga familje me probleme të shumta sociale e ekonomike. Për këtë arsye ata shprehen të vendosur që të vijojnë protestat deri në grevë urie.

“Jemi të gjithë punëtorë hallexhinj. Duam apo pesë lekë që kemi punuar, e jo të na mashtrojnë këta. Kërkojmë të drejtat tona dhe protesta do vazhdojë deri në fund”, shprehet një tjetër punonjës i inceneratorit.

Çështja e inceneratorëve ka marrë tërë vëmendjen e opinionit publik, për shkak të fakteve të publikuara ku hidhet dritë mbi një aferë korrupsioni. Kompania “Albtek Energy”, e cila ka në zotërim koncesionin për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve në Elbasan përfshi inceneratorin, u sekuestrua në dhjetor të vitit që shkoi nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit, për shkak të akuzave mbi drejtuesen e saj Stela Gugallja, e cila është arratisur.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *