• |
ide | kryesore

Nga lufta që mund të zgjasë me vite e deri te rrëzimi i Putin/ 5 skenarët si mund të mbarojë konflikti në Ukrainë

-Instant, Lajme, Planet, Të fundit



“Vini, vidi, vici”, ky ishte skenari i vetëm i përfytyruar nga shefi i Kremlinit, kur para pak më shumë se një jave sulmoi shtetin e Ukrainës. Ndonëse kapacitetet ushtarake ruse janë shumë më superiore kundrejt asaj ukrainase, trupat e Moskës kanë hasur jo pak vështirësi në terren. Me përjashtim të qytetit Kherson, asnjë zonë tjetër e banuar në Ukrainë nuk është shtënë në dorë, ndërsa qytetarët i kanë bërë ballë me kurajo pushtuesve.

Korrespondenti diplomatik britanik, James Landale ka bërë një analizë të pesë skenarëve sesi mund të përfundojë konflikti Ukrainë-Rusi.

Skenari i parë është ai i një lufte të shkurtër. Sipas analizës së Landale për BBC, një skenar i tillë do të vinte në jetë nësë Rusia do të shtonte forcat ushtarake dhe do të sulmonte çdo qytet të Ukrainës me raketa. Ky skenar do të sillte miliona viktima dhe do të shkatërronte përfundimisht qëndresën e bërë ndaj pushtimin. Presidenti Zelensky do të vritej ose arratiset nga vendi, e pas kësaj Rusia do të vendoste një qeveri kukull pro-Moskës.

Skenari i dytë, lufta e gjatë. Sipas BBC, ky është skenari me më shumë gjasa që të jetë ai që do të ndodhë. Sipas këtij parashikimi forcat ruse do të vijojnë të luftojnë ndonëse kanë ngecur, të penguar nga morali i ulët, logjistika e dobët dhe lidershipi i paaftë. Në këtë mënyrë do t’u duhet më shumë kohë për të marrë qytete si Kievi. Atyre mund t’u duhet të luftojnë për të kontrolluar edhe qytetet e pushtuara. Ndërkohë Perëndimi do të vazhdojë të furnizojë me armë Ukrainën. Dhe, ndoshta pas shumë vitesh, me një udhëheqje të re në Moskë, forcat ruse përfundimisht largohen nga Ukraina.

Skenari i tretë, lufta europiane. I mbërthyer nga furia për të rimarrë më shumë pjesë të ish-perandorisë ruse Putin do të dërgojë trupa në ish-republikat sovjetike si Moldavia dhe Gjeorgjia, që nuk janë pjesë e NATO-s. Ose ai mund të kërcënojë se do të dërgojë trupa në shtetet baltike të cilat janë anëtarë të NATO-s si Lituania, për të krijuar një korridor tokësor me enklavën bregdetare ruse të Kaliningradit. Kjo do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme dhe do të rrezikonte një luftë me NATO-n. Sipas nenit 5 të statutit të aleancës ushtarake, një sulm ndaj një anëtari është një sulm ndaj të gjithëve. Putini mund të rrezikojë nëse mendon se kjo është mënyra e vetme për të shpëtuar udhëheqjen e tij.

Skenari i katërt, një zgjidhje diplomatike. Duke rënë dakord për bisedimet, edhe nëse ato nuk kanë sjellë shumë përparim, Putin duket se të paktën ka pranuar mundësinë e një negocimi. Diplomatët bien dakord se është e rëndësishme që udhëheqësi rus të dijë se çfarë do të duhet të bëjë në mënyrë që sanksionet perëndimore të hiqen. Një mundësi do ishte që Ukraina të pranojë sovranitetin rus mbi Krimenë dhe pjesë të Donbasit. Nga ana tjetër, Putin pranon pavarësinë e Ukrainës dhe të drejtën e saj për të thelluar lidhjet me Europën.

Dhe skenari i fundit, Putin rrëzohet. Nga pesë “profecitë”, kjo duket ndoshta më pak e besueshmja. Kjo do të ndodhte nëse mijëra ushtarë rusë do të vdisnin nga lufta, ndërsa sanksionet ekonomike do të shkatërronin Rusinë dhe Putin do të humbiste mbështetjen popullore. Në fund anëtarë të elitës ushtarake, politike dhe ekonomike të Rusisë do të ktheheshin kundër tij, duke i dhënë fund qeverisjes së Putin.

Megjithatë këta skenarë nuk janë ekskluzivë, disa prej tyre mund të kombinohen për të prodhuar rezultate të ndryshme. Por sido që të jetë rezultati ky konflikt, bota ka ndryshuar tashmë pamjen e saj. Edhe në mbyllje të luftës, marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin të jenë ndryshe dhe qëndrimet europiane ndaj sigurisë me siguri do të transformohen. ©Lapsi.al



1 Comment

  1. Skenari i Gjashte , Lideret Global te Balkanit te Hapur ,Rama-Vucic, do ndihmonin aleatin e tyre te Ndryshimit te Kufive te bente dhe ai nje ndryshim kufive me Ukrainen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *