• |
ide | kryesore

Rifillon sulmi/ Delegacionet e Rusisë dhe Ukrainës do takohen të hënën për raundin e tretë të bisedimeve

-Instant, Lajme, Planet, Të fundit



Raundi i tretë i negociatave ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, që ishte planifikuar këtë fundjavë, do të zhvillohet të hënën. Mësohet se delegacionet do të takohen përsëri në Brest të Bjellorusisë. Lajmi është njoftuar nga agjencia ruse e lajmeve Interfax.

Edhe pse Ukraina deklaron se sulmi rus në Mariupol nuk ka ndaluar, Rusia thotë se ofensiva rifilloi vetëm sepse Kievi hezitoi të ushtronte presion mbi nacionalistët për të zgjatur armëpushimin. Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit në një intervistë për BBC tha se rusët i gënjyen dhe se rrugët për në Zaporizhizhia po bombardoheshin pa mëshirë. Kjo është arsyeja që evakuimi është ndërprerë, ndërsa sipas zyrtarit njerëzit janë kthyer sërish nëpër strehimore pasi kanë frikë të qëndrojnë rrugëve.

“Sulmet ndalojnë, por pastaj fillojnë sërish. Kjo është arsyeja që njerëzit janë shumë të frikësuar. Na thanë se rruga nga Mariupoli në Zaporizhzhia ishte e qetë, por më pas morën informacion se ka bombardime. E kuptuam që forcat ruse po gënjenin, ndaj vendosëm të ktheheshin sërish aty ku ishin pasi rrugët nuk ishin të sigurta. Ndërkohë Mariupoli po shkatërrohet”, tha ai.

Nga ana tjetër, këtë të shtunë kryeministri izraelit Naftali Bennett ndodhet në Moskë për bisedime me presidentin Vladimir Putin në lidhje me Ukrainën. Ditët e fundit, Bennett ka kontaktuar dy herë me presidentin ukrainas Vlodymyr Zelensky dhe dy herë gjithashtu me Putinin.

Izraeli, si aleat i Shteteve të Bashkuara, ka dënuar pushtimin rus dhe ka shprehur solidaritetin me Kievin duke dërguar ndihma humanitare në Ukrainë. Megjithatë zyrtarë izraelitë kanë thënë se do të mbajnë komunikimet me Moskën me shpresën për të ndihmuar në lehtësimin e krizës. ©Lapsi.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *