Zbardhet platforma e propozuar nga kreu i grupit parlamentar të demokratëve, Enkelejd Aliebaj, ku parashtrohen disa opsione për zgjidhjen e krizës dhe bashkimin e Partisë Demokratike.
Propozimet në letër (më poshtë) iu janë përcjellë deputetëve të PD-së.
Lexo më tej: Berisha nis ofensivën ndaj Enkelejd Alibeajt
Sipas Alibeajt, hapi i parë për bashkimin e demokratëve është certifikimi i anëtarësisë aktuale si dhe rikthimin e të përjashtuarve në parti si dje anulimi i zgjedhjeve të njeanshme në bazë. ©Lapsi.al
PLATFORMË PARIMESH PËR BASHKIMIN E DEMOKRATËVE
Aplikimi i parimeve të mëposhtme në vlerësimin e ne deputetëve të Grupit Parlamentar të PD sjell ndërprerjen e menjëhershme të konfliktit të brendshëm dhe i hap rrugë bashkimit të demokratëve, që është interesi i vetëm politik dhe elektoral i Partisë Demokratike të Shqipërisë.
- Grupi Parlamentar i PD apelon me forcë për shmangien e gjuhës së urrejtjes, shantazhit, përçarjes, fyerjes dhe arrogancës mes demokratëve dhe i bën thirrje secilit anëtar të Partisë të reflektojë dhe të heq dorë nga cdo pozicionim i deritanishëm përçarës mes demokratëve.
- Anëtarët e Grupit Parlamentar të përjashtuar apo pezulluar nga grupi me vendim të Këshillit Kombëtar të datës 12 janar 2022, rikthehen në grup, si anëtar me të drejta të plota.
- Anullohet cdo proces i njënashëm riorganizimi apo ngritje të strukturave lokale të partisë, apo mbledhje të strukturave qendrore të partisë, duke e shtyrë në një kohë të përshtatshme që përcaktohet në përputhje me rregullat e caktuara në këtë dokument.
- Grupi Parlamentar ngre një grupi pune të përbashkët për hartimin dhe ndjekjen e zbatimit të planit të detajuar për realizimin e bashkimit të partisë (nga baza në qendër). Grupi i Punës propozon rregullat dhe kalendarin e procesit, si dhe planin e detajuar të riorganizimit të strukturave të partisë nga poshtë-lart, të cilat miratohen në një mbledhje të posacme të Grupit Parlamentar.
- Grupi i Punës i ngritur nga Grupi Parlamentar përcakton strukturat zbatuese të këtij plani ribashkimi. Zbatimi i këtij plani administrohet tërësisht në qendër nga GPPD, kurse në nivel dege dhe ne nivel grupseksioni, realizohet nga grupe pune të përbashkëta të monitoruara nga GPPD. Detyrat e secilit grup, në nivel dege apo grupseksioni, realizohen sipas këtyre hapave konsekutivë:
Hapi 1: Certifikimi i anëtarsisë aktuale, dhe paralelisht me këtë të realizohet hapja dhe pasurimi i anëtarësisë me përfaqësues nga cdo shtresë e shoqërisë që ideologjikisht janë afër vlerave dhe programit të PD. Të përcaktohen kritere dhe procedurë e qartë e identifikimit dhe anëtarësimit.
Hapi 2: Fillimi i procesit të zgjedhjeve në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege. Grupi i punës të shërbejë si filtër i kandidaturave për secilin nivel. Në raste mosmarrëveshjesh, cështja zgjidhet nga GPPD.
Hapi 3: Më pas zhvillohet procesi i zgjedhjes së kryetarit të Partisë. Marrja e propozimeve për kryetar të PDSH, percaktimi i kritereve të kandidimit dhe filtrimi i kandidaturave të bëhet nga grupi parlamentar me votë të fshehtë. Të drejtën për të kandiduar e ka cdo demokrat [anëtar i PD-së] që plotëson kriteret e përcaktuara, përveç kandidatëve të mundshëm të cilët kanë mbajtur për dy mandate pozicionin e “Kryetarit të PDSH-së”, dhe/ose që nuk kanë fituar në dy Zgjedhje për Kuvend, gjatë kohës kur kanë mbajtur pozicionin e “Kryetari të PDSH-së”.
6. Grupi Parlamentar ngre grupe pune për nisjen e një fushate ndërgjegjësuese në bazë me qëllim bashkimin mes demokratëve, si dhe përgatitjen e partisë për zgjedhjet e ardhshme lokale.
