• |
ide | kryesore

“Nuk më pëlqeu asgjë, nuk fitohet pa krijuar”: Josa kritikon lojtarët e tij, pas humbjes me Erzenin

-Instant, Sport



“Rezultati ishte që humbëm ndeshjen. Kur dy skuadrat janë përballë njëra tjetrës dhe fiton njëra, do të thotë që Erzeni ka bërë punë më mirë se ne”. Mirel Josa nuk gjen justifikime për humbjen në debutim të Vllaznisë së tij 1-0 në shtëpinë e shijakasve, duke inistuar se nuk bëhej fjalë për asnjë nënvleftësim: “Më vjen keq që u pësua goli në atë mënyrë, ishte goditje e mirë e atij që e shënoi. Por, përveç defekteve që ne kishim, nuk ditëm të reagojmë, luajtëm shumë ngadalë në ndërtimin e aksioneve dhe shumë në zona të cekta të kundërshtarit. Ky ishte problemi, nuk mund të fitohen ndeshjet pa krijuar”.

Merkato në këtë pikë bëhet themelore për skuadrën shkodrane, kur kanë mbetur ende ditë për të manovruar: “Nuk mund të them tani që merkato me 1-2 lojtarë do na rregullojë. Problemi është që me këtë gjendje që ne kemi, e stërvitshmëri që kemi, sot nuk më pëlqeu as egoja e skuadrës time. Merkato është diçka tjetër, nëse mund të vijë diçka shumë e mirë në këto momente, mund të merret – shpjegoi tekniku kuqeblu, duke tentuar të mos përmendë fjalën titull -. E kam thënë që nuk dilet kampion që në fillim të kampionatit, po flitet shumë për mënyrën se si skuadra do të dalë kampion. Por problemi është që kur ndodh që në fillim, pa nënvlerësuar Erzenin që luftoi me shpirt dhe e dha shpirtin në fushën e lojës, kur ndodh në fillim duhet të jemi me këmbë në tokë. Ndeshjet vështirësohen, skuadrat rritin nivelin, ne do të punojmë të arrijmë nivelin tonë individualisht e kolektivisht”.

Një sqarim Josa ka dhënë edhe për Bulatoviç e Aralicën: “Janë pjesë e skuadrës. Aralica ka lëvizshshmëri të mirë, por në momentin që ka dy javë që nuk merr pjesë në stërvitje, ndaj ke vështirësi të bazohesh te ky lojtar. Bulatoviç ka një hematomë, kështu që normalisht që presim shumë këta lojtarë, në momentin që i kam besuar e i kam mbajtur në skuadër”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *