• |
ide | kryesore

Porti i Durrësit/ Meta vijon me denoncimet: Pronarët të fshehur në kompani “guaska” dhe “offshore”

Arkiva



Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë në një konferencë ku ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë për projektin e Portit të Durrësit. Meta tha se dëmi që i bëhet interesave kombëtare është shumë i madh. Sipas tij ky projekt është marrë nga kompani guacka dhe ‘offshore’.

Fjala e Metës:

“Porti i Durrësit e provuar me dokumentat zyrtare, me vendimin e dokumentit të investimeve publike. I është dhënë kompanive offshore të rregjistruar në ishujt Virgine të Britanisë. Pra, prona strategjike më e rëndësishme e Shqipërisë nuk dihet në duart e kujt ndodhet, pasi nuk njihen as pronarët dhe as kapitalet e origjina e tyre.

Edi Rama në vend të kompanive prestigjoze europiane që mund të merrnin pjesë në një tender të hapur dhe transparent, ashtu sikurse Bashkimi Europian ka kërkuar, ka zgjedhur kompanitë offshore. Ardhja e kompanive europiane prestigjoze do të kishte qënë jo vetëm një mundësi realizimi të projektit me një transparencë dhe standarte europiano por do të ishte edhe një sinjal i fortë për të tërhequr investime të tjera serioze.

Edi Rama gënjeu dhe mashtroi publikisht dje në Parlament, kur tha që shteti nuk do të paguaj asgjë për Portin e Durrësit. E vërteta është krejt e kundërta. Shteti shqiptar e ka përjashtuar këtë projekt nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Edhe taksa e strehimit social duke i hequr financave publike qindra miliona euro. Gjithashtu shteti ka vënë në dispozicion 812 mijë metra katrorë pa pagesë. Ndërkohë dihet vlera e jashtëzakonshme që ka kjo sipërfaqe dhe që shkon në qindra miliona euro të tjera.

Gjithashtu shteti ka vënë në dispozicion fond për shpronësim. Që do të thotë pra miliona euro të tjera dhe sipërfaqe të tjera toke shtesë të këtij projekti. Është e qartë që me pronarë offshore dhe me qindra leje ndërtimi për pallate në atë zonë. Rama kërkon të realizojë amnistinë e parave të pista dhe të shpërblejë të gjithë segmentet mafioze që e kanë mbështetur në shitblerje dhe manipulimin e zgjedhjeve.

Ndërkohë që një aferë e tillë e errët godet interesat publike dhe financat e shqiptarëve akoma më dramatike paraqitet situata me buxhetin e shtetit për vitin 2023. Ky Buxhet parashikon 11.9 miliard Euro për interesat, shërbimin dhe kthimin e borxhit. Pra një buxhet sa për 10 ministri shkon vetëm për të larë borxhet. Ato janë grabitur nga korrupsioni dhe nuk kanë prodhuar asnjë zhvillim apo tërheqje investimesh.

Ky Buxhet nuk jep asnjë mbështetje shtresave më të dobëta ekonomikisht dhe konkretisht:
Jepen vetëm 1.2 miliard lekë shtesë për pensionet ose me një rritje 0.7%. Kjo do të thotë vetëm disa qindarka në ditë.
Ndihma ekonomike rritet 10% që do të thotë sërish një qëndrim i turpshëm pasi bëhet vetëm disa qindarka në ditë.

Nuk ka asnjë rritje në pagesat për papunësinë. Asnjë pagesë mbështetje për shtresat e varfëra lidhur me rritjen e çmimeve. Është skandaloz fakti që buxheti për arsimin bie nga 2.2% të PBB-së në vitin 2022 në 2.1% në vitin 2023. Buxheti për Shëndetësinë bie nga 3.75% të PBB-së në 3.58% të PBB-së. Ndërkohë që duhet të ishte e kundërta për shkak të Covidit dhe pasojave shumë të gjëra që ai ka lënë.”



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *