• |
ide | kryesore

Aksioni i Europol për ilaçet kontrabandë e dopingun, detaje nga operacioni

-Instant, Lajme, Të fundit



Policia shqiptare ka dhënë detaje rreth operacionit ndërkombëtar “Shield”, i koordinuar nga Europol, për goditjen e trafikimit të barnave të falsifikuara dhe të substancave të rrezikshme për shëndetin.

Burime zyrtare bënë me dije se operacioni u zhvillua nga muaji prill deri në muajin tetor të vitit 2022, ndërsa u drejtua nga Franca, Greqia, Italia dhe Spanja dhe përfshiu policinë dhe autoritetet doganore të 28 vendeve.

“Gjatë periudhës 7-mujore të zhvillimit të këtij operacioni ndërkombëtar, Policia shqiptare ka zhvilluar 6 operacione dhe megaoperacione për goditjen e kontrabandimit të barnave mjekësore. Gjatë këtyre operacioneve janë vënë në pranga 14 shtetas, janë proceduar penalisht 6 shtetas, si dhe janë sekuestruar medikamente të ndryshme mjekësore, me vlerë mbi 100 000 euro.

Gjatë operacionit ndërkombëtar “Shield”, në të gjitha vendet e përfshira, u goditën 59 grupe kriminale dhe u ndaluan 349 persona të dyshuar.

Gjithashtu, gjatë operacionit u sekuestruan sasi të mëdha të barnave të falsifikuara, substanca dopingu, suplemente të paligjshme ushqimore dhe sportive, vaksina të falsifikuara kundër COVID-it, produkte sanitare dhe pajisje mjekësore.

Policia e Shtetit është e angazhuar dhe shumë e vendosur për të punuar ngushtësisht me partnerët, në përmbushjen e misionit të përbashkët, luftës kundër krimeve ekonomike e financiare, korrupsionit, pastrimit të parave, krimit të organizuar dhe terrorizmit.”, thuhet në njoftim.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *