• |
ide | kryesore

Reportazh/ Ç’ndodh në sheshin e Athinës ku të dielën u vrαnë 2 shqiptarë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
sheshin



Kur dëgjoi të shtënat mendoi se ishin fishekzjarrë. Në fund të fundit, pak minuta më parë kishte përfunduar Botërori. Por më pas ai pa klientët e lokalit ku ai punon duke vrapuar në panik. Disa drejt daljes, të tjerët në fund të lokalit. Ai doli në sheshin pas lokalit dhe qëndroi aty derisa u sigurua se ishte jashtë rrezikut. Pastaj u ngrit në këmbë duke u dridhur i tëri.

“Isha si i mpirë”, – thotë ai. “Kisha frikë për jetën time”. Një ditë pas ngjarjes e gjetëm sërish në vendin e tij të punës, në kafe-barin qendror të sheshit të Nea Smyrni, ku mbrëmjen e së dielës ata që konsumonin pije u bënë dëshmitarë të një ekzekutimi të dyfishtë gjakftohtë.

“Ishte tronditëse, – rrëfen punëtori i dyqanit që u bë skenë krimi, – nuk është diçka që e përjeton çdo ditë këtu”.

Një ditë pas vrasjes, në zonën e banimit të Nea Smyrni, banorët shëtisin sërish në sheshin e tyre. Aty blejnë lule Krishtlindjesh nga tezgat. Aty hanë drekë, bëjnë pazar. Jeta vazhdon si gjithmonë.

“Kam 70 vjet që jetoj në Nea Smyrni dhe më pëlqen. Nuk do ta ndërroja”, deklaron Dimitris dhe shton: “Nga çfarë duhet të kem frikë?”.

Në dyqanin ku u qëllua, shumica e tavolinave janë bosh. “Zakonisht nuk gjejmë ku të ulemi”, – tregon 84-vjeçarja Kaiti. “Njerëzit ndoshta janë të frikësuar,” – komenton ajo. Ka të drejtë. Më herët 3 vajza duke pirë kafenë në një pjesë tjetër të sheshit i thanë “Kathimerini”: “Mos shko atje! Ka ndodhur një vrasje”.

Të tjerët u përmbahen zakoneve të tyre. “Unë e shijoj kafen time të këndshme këtu çdo ditë. Bota e krimit nuk do të më ndalojë”, – thotë 75-vjeçari Yiannis. “Është një rit. Nuk e ndryshojmë lehtë”, – shton Giorgos Drakopoulos.

“Unë jam me origjinë nga Nea Smyrni”, – thotë një tjetër banor i zonës, Theofilos. “Jemi rritur në shesh dhe nuk kemi frikë. Këto gjëra ndodhin gjithandej, vetëm se këtu nuk ka ndodhur ndonjëherë. Ka një kënd lojrash matanë rrugës, kështu që askush nuk e priste”, – thotë punonjësja e kafe-barit në fjalë.

Megjithatë, jo të gjithë janë dakord se sheshi nuk ka ndryshuar.

“Nuk është sheshi që dinim. Këtu kemi rritur fëmijët, nipërit. Pa frikë”, – thekson 70-vjeçarja Eleni, e cila thotë se që kur policia ka ikur nga sheshi, ndihet e pasigurt. Ajo thekson se para rrahjes së një 29-vjeçari nga punonjësit e policisë gjatë një kontrolli për respektimin e masave për kufizimin e përhapjes së pandemisë në mars 2021, një incident që ndezi debatin për brutalitetin, arbitraritetin dhe përgjegjësinë e policisë për kontrollet, policia ka qenë e pranishme në shesh.

“Në sheshe të tilla, me kaq shumë njerëz, policia duhet të jetë përreth”, – shton ajo. “Shumë shpesh, prej vitesh”, – thekson ajo, – “prindërit ulen në kafene dhe fëmijët shkojnë e vijnë deri në mbrëmje mes saj dhe këndit të lojërave. Një fëmijë mund të ishte goditur”.

Në këndin e lojërave, që zakonisht është plot, vetëm dy fëmijë luanin mesditën e së hënës. ©Marrë nga Kathimerini, përshtati në shqip LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *