• |
ide | kryesore

Horror në spitalin e Pejës: Foshnja e pajetë futet në lavatriçe

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
spitalin e pejës



Një ngjarje mjaft e rëndë ka ndodhur në spitalin e Pejës. Një foshnjë që kishte lindur e pajetë para kohe është mbështjellë me çaprçafë dhe më pas është futur në një lavatriçe. Mendohet të ketë qenë një pakujdesi e punonjësve që nuk e kanë parë se bashkë me çarçafët e palarë ishte edhe trupi i pajetë i një foshnje.

Lajmin e konfirmoi edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehajli. Ai u tha mediave se kanë filluar hetimet lidhur me këtë ngjarje.

“Po. Kanë filluar hetimet. Këtu është i përfshirë edhe inspektorati i Shëndetësisë. Tani po këqyrim a ka persona përgjegjës për këto veprime neglizhente që kanë ndodhur dhe nëse ka përgjegjësi eventuale. Po. Foshnja ka qenë e vdekur” – tha ai për Express.

Ndërsa Indeksonline raportoi se historinë e ka mësuar nga babai i foshnjës në kushtet e anonimatit. Ai tha se si e ka mësuar ngjarjen e rëndë. Mes lotësh ai tregoi se si neglizhenca e madhe e spitalit ka tronditur familjen e tij.

“E morëm lajmin që është fëmija i vdekur. Vazhduam me procesin tjetër. Deshëm me marrë fëmijën për t’i kryer procedurat e tjera që i përkasin. Shkuam në spital që të kërkonim foshnjën, por hezituan të na e jepnin.

Arsyeja nuk u dinte. Bënin sikur po bënin diçka tjetër. Filluam të dyshonim se çfarë ishte problemi. Realisht ne insistuam ta merrnin. Na thanë e merrni nesër sa ta përgatisim. Kuptuam se diçka nuk është në rregull. E kishin mbështjellë me çarçaf dhe s’e kishin kuptuar që ishte foshnja brenda.

Të nesërmen e kuptuam që është… foshnja ishte futur në lavatriçe. Kemi shkuar poshtë dhe e ka parë sigurimi, foshnja ishte bërë copë-copë. Një person i spitalit kishte marrë copat e foshnjës duke i futur në qese, duke i mbledhur copë-copë.

Mbetëm të shokuar. Është rast që nuk e dimë si ka ndodhur. Lajmëruam policinë. Na luteshin që të mos e thërrisnim policinë. Familja nuk e dinë ç’ka ndodhur, por gjë nuk dinë tjetër.

Si mundet që të mbështillet një krijesë me çarçafë? S’kemi marrë asnjë përgjigje edhe pse kemi dhënë deklaratat në Polici. Më vjen keq që nuk më kanë bërë asnjë ngushëllim dhe nuk më kanë kërkuar falje mbi rastin. Por kanë kërkuar vetëm që të fshehin provat” – tha ai.

Babai thotë se nuk ka ndalur për asnjë çast përpjekjet për të marrë vesh të vërtetën rreth foshnjës së tij të vdekur. E vërteta që mori ishte përtej asaj që ai kishte imagjinuar ndonjëherë. Përgjegjësi për këtë ngjarje horror ende nuk dihet. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *