• |
ide | kryesore

Video/ Dwamena tërheq Egnatian drejt luftës për titull: me 10 lojtarë vendasit fundosin Kastriotin

-Instant, F1, Sport, Video
Dwamena



Poker ndaj Kastriotit e tani sytë nga derbi i kryeqytetit. Egnatia bën gjithcka sipas parashikimeve, duke thyer në Arena Egnatia 4-1 Kastriotin. Një tjetër fitore e rëndësishme e të besuarve të Tetovës, të tërhequr nga një Dwamena spektakolar. Dygolësh për sulmuesin në 4-1 ndaj krutanëve në javën e 24 të Superiores. Skuadra e Çelës mund të ishte futur në lojë, me vendasit që mbetën me 10 lojtarë, por Selmani humbi penalltinë e 3-2 të mundshëm. Tani Egnatia ngjitet në kuotën e 37 pikëve, tre nga vendi i parë, në pritje të derbit Partizani-Tirana.

Egnatia nuk vonoi të tregonte ambicjet, të tërhequr nga Dwamena në jë formë brilante. Sulmuesi shënoi golin e parë në minutën e 11, me një të majtë të pakapshme për Sallin. Një pjesë e parë me ritëm të lartë, falë edhe Kastriotit që replikoi në të 28′ me Grecën. Sulmuesi ishte me fat me topin e larguar nga mbrojtësi që iu përplas në trup për të përfunduar në rrjetë.

E megjithatë krutanët inistuan për ta shënuar atë gol, por nuk patën të njëjtin qendrim për të ndaluar Dwamena. Ish-sulmuesi i Levante u përsërit në të 32′ duke mposhtur portierin me të majtën në një vertikalizim të shpejtë në zonë.

Kastrioti tentoi të tregonte karakter, duke bërë presing ndaj vendasve. Skuadra e Çelës pati edhe raste, por u ndëshkua në kundërsulm në minutën e 62′. Një largim i topit jo si duhet favorizoi Kasën, që kontrolloi në zonë e goditi aty ku portieri i Kastrioti arriti vetëm me shikim.

KASTRIOTI NUK PËRFITON NGA SUPERIORITETI E PENALLTIA

Ndeshje e mbyllur? Jo edhe aq, sepse Kacbufi në minutën e 70′ doli nga fusha me karton të kuq. Egnatia me 10 lojtarë e katër minuta më vonë edhe me një penallti kundër. Santiago Selmani mund të rihapte ndeshjen, por gaboi përballë Sherrit, që mbajti të tijtë në siguri.

Një goditje e rëndë për moralin e krutanëve, që në shtesë pësuan edhe pokerin e Jackson, që hipotekoi fitoren duke çuar shifrat në 4-1. Kështu Egnatia ngjitet momentalisht në vendin e dytë me 37 pikë. Rrogozhinasit janë vetëm tre pikë pas Tiranës kryesuese, ndërsa Kastrioti vazhdon në fundin e tabelës me 23 pikë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *