• |
ide | kryesore

Kurti për makinën me eksploziv: Serbia organizoi sulm terrorist!

Arkiva, Lajme, Të fundit
armatimi i kapur ne zveçan



Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke reaguar për veturën me targa serbe ku u zbulua sasi e madhe eksplozivi dhe armatimesh, e quajti një organizim terrorist dhe shtoi se granatat e dorës që u gjetën janë përdorur edhe në 29 maj kundër ushtarëve të KFOR-it.

Ai tha se sasia e madhe e armëve të zbuluara tregon përmasat e aksionit kriminal të planifikuar që është parandaluar nga policia e Kosovës duke theksuar se Serbia është pozicionuar qartë në përshkallëzimin e situatës.

Reagimi i plotë i Kurtit:

Mbrëmë, Policia e Kosovës (PK) në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) kanë parandaluar një sulm terrorist duke zbuluar në Zveçan, 100 metra afër objektit të Komunës, një veturë me shumë armë, municion e pajisje të ndryshme ushtarake.

Panorama e këtij organizimi terrorist është e qartë: vetura me targa të Beogradit, pronë e ndërmarrjes shtetërore të hekurudhave të Serbisë; armatimi i gjetur i gjithi prodhim i Serbisë, ndër to granata të dorës prodhuar në vitin 2021, të tilla që janë përdorur në sulmin e 29 majit 2023 në Zveçan kundër ushtarëve të KFOR-it; jelekë me mbishkrime të njësiteve ruse, serbe dhe logo e shenja identifikuese të organizatës “Severna Brigada”, si dhe mjete shpërthyese të përdorura më herët nga formacioni ilegal me aktivitete kriminale “Mbrojtja Civile”. Sasia e madhe e armatimit të gjetur tregon për përmasat e aksionit të planifikuar e të pasojave të parandaluara.

Serbia qartazi është e pozicionuar për përshkallëzim të situatës. Përveç agresionit që Serbia ka ndërmarrë ndaj Republikës së Kosovës duke rrëmbyer 3 zyrtarë të Policisë së Kosovës brenda territorit tonë në 14 qershor 2023, ajo luftimin e rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës e ka çuar një hap me tutje me organizimin e sulmeve terroriste.

Unë i jam falënderues PK-së dhe AKI-së për punën që po bëjnë gjithë këto kohë në ruajten e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë dhe në parandalimin e krimit e terrorizmit në atë pjesë të Republikës së Kosovës.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *