• |
ide | kryesore

Rrëfimi i pelegrines në manastirin e Banjskës: Kudo kishte njerëz me uniforma

Arkiva, Lajme, Të fundit
banjskës



“Sigurisht që isha e frikësuar, por ne mbështetëm njëri-tjetrin. Ishim mjaft të shqetësuar, ishim të trishtuar. Atë natë fjetëm në dysheme, sepse nuk mund të ngjiteshim lart, për shkak të lëvizjeve që kishte atje”. Ky është rrëfimi i një prej besimtareve ortodokse që natën e së dielës u ndodh në Manastirin e Banjskës dhe që mbrëmjen e së hënës u kthye në Novi Sad.

Ajo thotë se ishin një grup prej 15 besimtarësh që u gjendën papritur në qendër të konfliktit. Mes besimtarëve kishte edhe 2 fëmijë të mitur. Pelegrinia që ka kërkuar të mbetet anonime i ka thënë televizionit opozitar N1 të Serbisë se nuk e prisnin asnjëherë që të ndodhte një gjë e tillë pasi kishin shkuar edhe më parë në këtë manastir.

“Një murg na tha se diçka e tillë nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Ai ishte gjithashtu i frikësuar. Ishte një murg plak. Ne ishim duke fjetur dhe në orën 3 të mëngjesit dëgjuam të shtëna të cilat ishin shumë intensive. U ngrita menjëherë dhe vesha këpucët. Pas pak të shtënat ndaluan. Disa vazhduan të flinin, por ishim shumë në dhomë dhe unë nuk mund të flija pasi e kuptova që diçka kishte ndodhur. Përgatita çantën dhe të gjitha gjërat… Të shtënat filluan sërish edhe më shumë deri rreth orës 6.30. Pastaj na thanë të ngriheshim shpejt dhe të largoheshim. Shkuam në kishë. I lashë gjërat te porta. Bëmë një liturgji dhe liturgjia ishte e mrekullueshme. Unë qava në heshtje sepse ishte vërtet e vështirë për mua. Unë besoj”, – thotë ajo. Pelegrinia tregon se kur mbaroi liturgjia, ata shkuan në dhomën e ngrënies, sepse nuk u lejuan të shkonin askund tjetër.

“Ushtarët ishin kudo, me uniforma të zeza. Nën dritare ishin me makina të blinduara. Të gjithë me uniforma të zeza, por me të vërtetë nuk e dalloja dot cilët ishin nga KFOR-i, as kush ishte kush”. Sigurisht që kisha frikë, por mbajtëm njëri-tjetrin, ishim mjaft të shqetësuar, ishim të trishtuar. Atë natë fjetëm në dysheme, sepse ishte e pamundur të ngjiteshim. Të nesërmen na morën në pyetje. Jo të gjithëve, por vetëm disa prej tyre. Ata nuk më pyetën mua. Pyetën kryesisht burrat, një prift dhe disa njerëz të tjerë. Kaloi shumë shpejt. U tha se gjithçka ishte në rregull dhe ne u nisëm me çantat tona. Më thanë edhe se mund të shkoja të merrja çantën. Përreth kishte ushtarë me uniforma të zeza” – thotë ajo që shton se i kanë shoqëruar deri në vendkalim dhe më pas kanë vazhduar rrugën për në shtëpi. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *