• |
ide | kryesore

Pse Radoiçiç është ende i lirë?

Arkiva, Lajme, Të fundit
Milan Radoiçiç



Emri i Millan Radoiçiçit është aktualizuar sërish këtë javë, pas qarkullimit të një fotografie, në të cilën shihet bashkë me ambasadorin e Serbisë në Uashington, Marko Gjuriç. Radoiçiç e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, por ende është në liri. Deri ku ka shkuar procesi?

“Millan Radoiçiç është kriminel që duhet të mbahet përgjegjës” – Shtetet e Bashkuara janë të qarta në qëndrimin e tyre për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, i cili, nëpërmjet avokatit të tij, mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur të shtatorit të 2023-tës, në Banjskë.

Kanë kaluar më shumë se pesë muaj prej sulmit në veri të Kosovës, si pasojë e të cilit u vra zyrtari policor Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbim e sipër të zjarrit, më pas u vranë edhe tre sulmues.

Për Radoiçiçin ende nuk ka vendim prej drejtësisë.

Disa burime i patën thënë Radios Evropa e Lirë se sistemi i drejtësisë në Kosovë do të ngrejë aktakuzë kundër Radoiçiçit në tre muajt e parë të 2024-tës.

Diçka e tillë nuk ka ndodhur ende.

REL-i ka marrë vesh nga burime të tjera se hetimet për rastin janë drejt përfundimit, por aktakuza nuk pritet as gjatë muajit mars.

Hetime paralele

Pas sulmit në fshatin e komunës së Zveçanit, Radoiçiç – i përfshirë në listën e zezë amerikane për pjesëmarrje në krim të organizuar ndërkombëtar – ka shkuar në Serbi.

Atje, Prokuroria e Beogradit e ka marrë në pyetje dhe ndaj tij është ngritur aktakuzë për disa vepra, përfshirë trafikimin e armëve dhe shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm.

Megjithatë, ai tani është në liri, teksa është thënë se atij i janë konfiskuar dokumentet dhe se i ndalohet shkuarja në Kosovë.

REL-i i është drejtuar Prokurorisë në Beograd për të kuptuar më shumë për fazat e procesit gjyqësor, por nuk ka marrë përgjigje.

Më 8 shkurt, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd i pati thënë REL-it se është duke verifikuar dëshminë e Radoiçiçit dhe se po mbledh dëshmi, në bashkëpunim me policinë dhe doganën, “për të përcaktuar prejardhjen e armëve dhe kanalet përmes së cilave ato kanë mbërritur në Kosovë”.

Bashkëpunimi Kosovë-Serbi në fushën e drejtësisë është pothuajse vetëm në letër.

Më 2013, palët kanë arritur Marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë juridike, mirëpo ato nuk kanë bashkëpunim të mirëfilltë në çështjet penale.

Forca të shtuara të Policisë së Kosovës kanë patrulluar afër Manastirit në Banjskë, pas sulmit. Fotografi e shtatorit, 2023 (Foto: Reuters)
Forca të shtuara të Policisë së Kosovës kanë patrulluar afër Manastirit në Banjskë, pas sulmit. Fotografi e shtatorit, 2023 (Foto: Reuters)

“I mbrojtur në Serbi e nga Serbia”

Zyrtarët shtetërorë të Kosovës kërkojnë vazhdimisht që Radoiçiç dhe vetë shteti serb të mbahen përgjegjës për sulmin në Banjskë, të cilin e konsiderojnë “terrorist”.

Më 13 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Radoiçiç “është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi e nga Serbia”.

“Deri sot, Serbia nuk është përballur me asnjë pasojë për sulmin terrorist, paçka se përfshirja e saj direkte është bërë e njohur publikisht e botërisht”, u shpreh Kurti.

Beogradi zyrtar, në anën tjetër, e mohon përfshirjen në këtë sulm.

Disa prej armëve të sekuestruara nga Policia e Kosovës në pjesën veriore të Kosovës, pas sulmit në Banjskë. (Foto: REL)
Disa prej armëve të sekuestruara nga Policia e Kosovës në pjesën veriore të Kosovës, pas sulmit në Banjskë. (Foto: REL)

Fletarrestimi nga INTERPOL-i

Përveç hetimeve paralele për Radoiçiçin, Agjencia Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL) ka lëshuar fletarrestim për të në dhjetor të vitit të kaluar, me kërkesë të Kosovës, përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, pati thënë se ekstradimi i Radoiçiçit në Kosovë është i pamundshëm, pasi të gjitha hetimet do të kryhen prej “gjykatave vendase”.

Bojan Ellek, nga Qendra joqeveritare e Beogradit për Politika të Sigurisë, i pati thënë Radios Evropa e Lirë muaj më parë se ekstradimi i Radoiçiçit vështirë se mund të ndodhë, pasi vendet anëtare të INTERPOL-it veprojnë sipas legjislacionit të brendshëm – dhe, në rastin e Serbisë, ajo nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, pati thënë se, përveç Radoiçiçit, edhe të gjithë të dyshuarit tjerë për kryerjen e sulmit në Banjskë janë futur në sistemin e INTERPOL-it me fletarrestime. Sipas tij, më shumë se “80 terroristë” kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë.

Lidhjet e Serbisë me Radoiçiçin

Ditëve të fundit është duke qarkulluar një fotografi, ku Radoiçiç shihet në shoqërinë e ambasadorit serb në Uashington, Marko Gjuriç.

Autoritetet serbe nuk kanë treguar se ku dhe kur janë takuar ata dy.

Vetë Gjuriç ka thënë se asnjëherë nuk i ka fshehur dhe as nuk është turpëruar për kontaktet publike lidhur me punën që ka.

Pas Banjskës, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, pati pretenduar se Radoiçiçin e ka pasur bashkëpunëtor të afërt, dhe jo mik.

Fotografia që ka qarkulluar në rrjetet sociale ku shihen Radoiçiq dhe Gjuriq. REL-i nuk e ka verifikuar vërtetësinë e fotografisë në mënyrë të pavarur. (Fotografi e marrë prej një postimi në llogarinë e Kati Schneebergerit në X- ish Twitter)
Fotografia që ka qarkulluar në rrjetet sociale ku shihen Radoiçiç dhe Gjuriç. REL-i nuk e ka verifikuar vërtetësinë e fotografisë në mënyrë të pavarur. (Fotografi e marrë prej një postimi në llogarinë e Kati Schneebergerit në X- ish Twitter)

Çfarë bëri Radoiçiç pas sulmit?

Radoiçiç ka hequr dorë prej pozitës që ka pasur në Listën Serbe dhe prej pronësisë në disa kompani në Serbi.

Autoritetet serbe patën thënë se ai gjendet “në territorin e Serbisë qendrore”.

Predrag Petroviq, nga Qendra joqeveritare e Beogradit për Siguri, i ka thënë Radios Evropa e Lirë ditë më parë se Radoiçiç tani paraqet një “barrë të madhe” për autoritetet në Beograd.

“Nga Serbia pritet që ta ndjekë penalisht Radoiçiçin. Aktualisht, nuk kemi informacione se Serbia po e bën këtë. Regjistrimet e fundit tregojnë të kundërtën – se Radoiçiç gëzon privilegje të mëdha të autoriteteve në Beograd”.

Komuniteti ndërkombëtar vazhdimisht bën thirrje që të zbardhet ky rast dhe që fajtorët të përballen me drejtësinë./REL



2 Comments

  1. Eshte i lir sepse eshte komandant i lart brenda sherbimeve sekrete ruse dhe shefi i vertet i sherbimeve sekrete serbe.

  2. Ja se shkon tani Pablo Eskobari dhe i lutet Vucicit që te paktën mos t’i fotografojnë kur hane e pune bashke se vihet ne pozitë te veshtirë Sorrosi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *