• |
ide | kryesore

Prapaskena/ Egjipti lajmëroi fshehtas Izraelin 3 ditë para sulmit të Hamasit

Arkiva, Lajme, Të fundit
hamasit



Izraeli u paralajmërua nga Egjipti për një ngjarje të mundshme të dhunshme, 3 ditë përpara sulmit vdekjeprurës të Hamasit. E konfirmoi këtë kreu i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve së SHBA, Michael McCaul. Ai e zbuloi këtë përpara gazetarëve.

Vetë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e konsideroi këtë si “absolutisht të rreme”. Shërbimet e inteligjencës izraelite janë vënë nën akuzaë për dështimin e tyre për të parandaluar sulmin më vdekjeprurës nga militantët palestinezë në historinë 75-vjeçare të Izraelit.

“Ne e dimë se Egjipti i ka paralajmëruar izraelitët 3 ditë më parë se një ngjarje si kjo mund të ndodhë” – u tha McCaul gazetarëve pas një konference me dyer të mbyllura të inteligjencës të mërkurën për ligjvënësit në lidhje me krizën e Lindjes së Mesme.

“Unë nuk dua të futem shumë në informacione të klasifikuara, por është dhënë një paralajmërim. Unë mendoj se pyetja ishte në çfarë niveli” – shtoi republikani i Teksasit.

Një zyrtar egjiptian i inteligjencës i tha agjencisë së lajmeve Associated Press këtë javë se Kajro i kishte paralajmëruar vazhdimisht izraelitët se “diçka e madhe” po planifikohej nga Gaza.

“Ne i kemi paralajmëruar se po vinte një shpërthim i situatës shumë shpejt dhe se do të ishte i madh. Por ata i nënvlerësuan paralajmërime të tilla” – tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti. Zyrtari i Kajros tha se autoritetet izraelite kishin minimizuar kërcënimin nga Gaza, duke u fokusuar në Bregun Perëndimor.

Sir. Alex Younger, i cili shërbeu si shef i agjencisë së inteligjencës së jashtme të Mbretërisë së Bashkuar midis viteve 2014 – 2020, tha se luftëtarët e Hamasit arritën të kryenin sulmin e tyre më 7 tetor për shkak të “pakënaqësisë institucionale” në Izrael. Ai i tha BBC Radio se tek izraelitët mund të ketë ekzistuar mendimi se Hamasi nuk ishte i interesuar për një konflikt të ri, kështu që informacione të tilla merreshin me rezerva.

“Është një supozimi im, megjithëse nuk jam brenda, se duhet të kishte të dhëna që mund të ishin interpretuar ndryshe” – tha ai.

Ai shtoi se vetëkënaqësia e izraelitëve mund të ishte komplikuar nga një besim i tepruar tek mjetet teknologjike të monitorimit të Gazës, duke çuar në një ndjenjë të rreme sigurie. Sipas “Financial Times” që citon dy zyrtarë të paidentifikuar të njohur me këtë çështje, nuk kishte asnjë të dhënë të fortë nga inteligjenca për një sulm specifik.

Të mërkurën, Netanyahu tha se çdo sugjerim se Izraeli kishte marrë një paralajmërim specifik përpara inkursionit vdekjeprurës ishte një “lajm krejtësisht i rremë”. Egjipti, i cili kontrollon se kush kalon kufirin e tij me Gazën, shpesh shërben si ndërmjetës midis Izraelit dhe Hamasit. Më shumë se 1500 militantë sulmuan pengesën e sigurisë në Gaza në një sulm të koordinuar tokësor, ajror dhe detar të shtunën.

Numri i të vdekurve në Izrael nga sulmet e Hamasit ka arritur në 1200. Më shumë se 1000 njerëz janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Gaza. Izraeli ka goditur objektivat e Hamasit në Gaza si kundërpërgjigje, ndërkohë që banorët thonë se nuk kanë energji elektrike pasi i vetmi termocentral i tyre mbeti pa karburant. Hamasi ka dënuar deklaratat e presidentit amerikan Joe Biden i cili tha se “Izraeli kishte për detyrë t’i përgjigjej sulmeve”, të cilat ai i quajti një “akt i së keqes”.

Grupi palestinez tha se komentet e Biden ishin “inflamatore” dhe synonin përshkallëzimin e tensioneve në Rripin e Gazës. Në vazhdën e sulmit të Hamasit, SHBA njoftoi se po lëvizte një aeroplanmbajtëse, anije dhe avionë në Mesdheun lindor dhe se do t’i jepte gjithashtu Izraelit pajisje dhe municione shtesë. /LAPSI.al



4 Comments

  1. E shikoni pra qe paska patur krisma ?
    MOSADI e dinte shume mire se cfar do ndodhte , por e la te ndodhi se i leverdiste.

      1. Keta e dine, por edhe ne te tjeret e dime se cfare kerkojne Zionistet dhe zarat e tyre amerikane.
        Selanik e tatepjete, sic ka qene prape do jete.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *