• |
ide | kryesore

Sondazhi/ Shqipëria dhe Kosova kanë mbështetjen më të ulët nga qytetarët e BE-së për anëtarësim

Arkiva, Lajme, Të fundit
Shqipëria dhe Kosova kanë mbështetjen më të ulët nga qytetarët e BE-së për anëtarësim



Nga sondazhi i realizuar në gjashtë vende anëtare të BE-së, del se vetëm 20 për qind prej tyre thanë se Kosova duhet të jetë në gjendje që të anëtarësohet në BE, ndërkaq 37 për qind shprehen kundër. Për Shqipërinë 24% janë pro dhe 35% kundër.

Një sondazh i realizuar nga Instituti “Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë” (ECFR), që operon me zyra në shtatë kryeqytete evropiane tregon një mbështetje të ulët të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Nga sondazhi i realizuar në gjashtë vende anëtare të BE-së, saktësisht në Gjermani, Danimarkë, Poloni, Rumani, Francë e Austri nga të anketuarit del se vetëm 20 për qind prej tyre thanë se Kosova duhet të jetë në gjendje që të anëtarësohet në BE, ndërkaq 37 për qind shprehen kundër.

Sondazhi është realizuar nga 7-19 nëntor 2023 dhe ka 6,153 të anketuar.

Në përmbledhje të raportit të këtij Instituti, thuhet se sondazhi zbulon se evropianët janë mendje hapur ndaj pranimit të Ukrainës, pavarësisht rreziqeve ekonomike dhe të sigurisë nga një veprim i tillë.

Ekziston gjithashtu mbështetje e konsiderueshme për anëtarësimin e Malit të Zi dhe Moldavisë në BE.

Megjithatë, më tej në përmbledhje të raportit për këtë sondazh thuhet se ka një kundërshtim të gjerë ndaj anëtarësimit të Turqisë në BE dhe “reagime të ftohta” ndaj kandidaturave të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Gjeorgjisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Për Ballkanin Perëndimor, nga ky sondazh mbështetja “më e zbehtë” është për Kosovën, me 20 për qind që thanë se duhet të jetë në gjendje të anëtarësohet dhe 37 për qind që shprehen kundër. Edhe për Shqipërinë mbështetja është e ulët, me vetëm 24% që janë pro dhe 35% kundër.

Pas Kosovës, mbetet vetëm Turqia, ku 51 për qind e të anketuarve janë shprehur se Turqia nuk është gjendje të anëtarësohet në BE, ndërkaq 19 për qind janë shprehur pro anëtarësimit.

Vendet më kundër Shqipërisë janë Austria dhe Gjermania

Qytetarët e shteteve të Europës Perëndimore janë skeptikë dhe janë shprehur përgjithësisht kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Më pozitive janë vendet e Europës Lindore.

Shteri me normën më të lartë të mospranimit është Austria, ku 49% e austriakëve janë kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ata ndiqen nga gjermanët, që e kanë normën e mospranimit në 47%. Edhe 41% e francezëve janë kundërt.

Përqindja e refuzimit është shumë më e ulët për vendet e Lindjes. Vetëm 16% e rumunëve dhe 18% e polakëve shprehen kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Austriakët “refuzojnë” dhe Kosovën

Më poshtë mund t’i gjeni të dhënat e sondazhit për Kosovën në gjashtë vende të BE-së

Një përqindje e lartë e atyre që janë shprehur se Kosova nuk është gjendje të anëtarësohet në BE vjen nga austriakët.

53 për qind e të anketuarve në Austri janë deklaruar kundër, ndërkaq 22 pro.

Edhe në Gjermani 47 për qind e të anketuarve theksuan se Kosova nuk duhet të jetë në gjendje të anëtarësohet në BE, ndërkaq vetëm 17 për qind u shprehën pro.

Në Francë 42 për qind e të anketuarve janë shprehur kundër, ndërkaq 12 pro.

Në Danimarkë 33 për qind ishin kundër, 22 për qind pro.

20 për qind e të anketurave në Poloni janë shprehur pro, ndërkaq 27 për qind kundër, si dhe në Rumani 24 për qind janë shprehur kundër, ndërkaq 22 pro.

Mbështetja më e lartë për Malin e Zi

Ndërkaq në total nga përqindjet e nxjerra nga sondazhi, për Shqipërinë 24 për qind e të anketuarve janë pro, 35 për qind janë shprehur kundër. Serbia me 25 për qind pro, 35 për qind kundër dhe Gjeorgjia 25 për qind pro dhe 31 për qind kundër.

Opinioni u nda thuajse në mënyrë më të barabartë për Maqedoninë e Veriut 26 për qind pro, 27 për qind kundër, Bosnje-Hercegovina me 28 për qind pro, 29 për qind kundër.

Në rajon më së shumti mbështetje kishte për Malin e Zi.

30 për qind e të anketuarve u shprehën pro Malit të Zi kundrejt 25 për qind që ishin kundër, ndërkaq edhe Moldavia kishte mbështetje me 30 për qind pro dhe 28 për qind kundër anëtarësimit në BE.

Sondazhi gjeti mbështetjen më të lartë për hyrjen e Ukrainës në BE. Në Danimarkë 50 për qind pro dhe 22 për qind kundër, Poloni 47 për qind pro dhe 20 për qind kundër, Rumani 32 për qind pro dhe 29 për qind kundër, Gjermani 37 për qind pro, 39 për qind kundër.

Në Francë 29 për qind pro dhe 35 për qind kundër si dhe në Austri 28 për qind pro dhe 52 për qind kundër./MONITOR



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *