• |
ide | kryesore

Indeksi i cilësisë së jetës dixhitale, faturat e internetit në Shqipëri më të shtrenjtat në rajon, çalon edhe me cilësinë

Lajme, Të fundit



Një person kalon mesatarisht thuajse 7 orë në ditë, duke parë një ekran, qoftë për punë, argëtim apo komunikim, duke theksuar se sa është bërë dixhitale jeta e njeriut.

Dhe ashtu si ndryshon mirëqenia fizike nga një vend në tjetrin, po ashtu ndryshon edhe mirëqenia dixhitale.

Sipas Indeksit të Cilësisë së Jetës Dixhitale 2023 të SurfShark, disa vende bëjnë një punë më të mirë se të tjerat në ofrimin e internetit dhe shërbimeve dixhitale të aksesueshme dhe të përballueshme, duke krijuar mirëqenie dixhitale më të mirë. Klasifikimi i 121 vendeve (që përfaqësojnë 92% të popullsisë botërore) mbështetet në 5 parametra:

– Përballueshmëria e internetit: sa kohë duhet të punojnë njerëzit për të përballuar një lidhje të qëndrueshme interneti? Interneti më i përballueshëm ka ndikim pozitiv në mirëqenien dixhitale.

– Cilësia e internetit: sa e shpejtë dhe e qëndrueshme është lidhja me internetin? Interneti i shpejtë dhe i qëndrueshëm ndihmon në komunikim, produktivitetin në punë dhe në konsumimin e përmbajtjeve me cilësi të lartë.

– Infrastruktura elektronike – sa e zhvilluar dhe gjithëpërfshirëse është infrastruktura ekzistuese elektronike, e cila lejon përdorimin e internetit për aktivitete të ndryshme.

– Siguria elektronike – aftësia për të luftuar krimet kibernetike dhe për të mbrojtur privatësinë në internet.

– e-Qeverisja – Dixhitalizimi i shërbimeve të qeverisë, zvogëlimi i burokracisë dhe korrupsionit dhe rritja e transparencës.

Në renditjen e përgjithshme, Shqipëria është e 68-ta; në lidhje me përballueshmërinë e internetit renditet e 98; për cilësinë e internetit, 79; për infrastrukturën elektronike, 78; për sigurinë elektronike, 46; dhe për e-qeverisjen, 60.

20 vendet me cilësinë më të mirë të jetës dixhitale në vitin 2023

Titulli i raportit të këtij viti është “Europe leads the Digital Quality of Life Index.” (Europa kryeson në indeksin e cilësisë së jetës dixhitale”. Kjo sepse nëntë vendet e para të klasifikimit të mirëqenies dixhitale janë në Europë.

Renditja kryesohet nga Franca, e cila renditet e para për përballueshmërinë e internetit, në të pestin për cilësinë dhe ndër 20 vendet e para për infrastrukturat elektronike, sigurinë dhe qeverisjen.

Singapori (i 10-ti) është i vetmi vend joeuropian i renditur më lart në Indeksin e Mirëqenies Dixhitale, ndjekur nga Japonia (16). Izraeli, i cili renditej i pari vitin e kaluar, zbriti në pozicionin e 17-të në renditjen e këtij viti, ndërsa SHBA dhe Koreja e Jugut plotësojnë klasifikimin e 20 vendeve të para.

Në tabelë tregohet renditja e përgjithshme e 20 vendeve të para dhe renditja sipas 5 parametrave të mësipërm.

Tendencat në cilësinë e jetës dixhitale

Nëse është e vërtetë që vendet më të pasura kanë në përgjithësi një mirëqenie dixhitale më të mirë, falë fondeve në dispozicion për të investuar në përmirësimin e parametrave kyçë, Surfshark zbuloi 22 vende që kanë tejkaluar pritshmëritë në kategorinë e PPB për frymë.

Pikët e tyre më të larta në sigurinë elektronike, infrastrukturë dhe qeverisje kanë përmirësuar klasifikimin e përgjithshëm të mirëqenies dixhitale.

Pjesa më e madhe e këtyre vendeve janë nga Europa (Ukrainë, Moldavi, Serbi, Bullgari, Rusi, Rumani, Poloni, Kroaci, Hungari); Azia (Indi, Filipine, Vietnam, Tajlandë, Turqi, Kazakistan, Malajzi, Kinë); dhe Afrika e Jugut (Kolumbi, Peru, Brazil, Argjentinë, Kili).

SurfShark zbuloi se përmirësimi i rezultateve të e-qeverisjes kishte veçanërisht lidhje më të fortë (0.94) me një cilësi më të mirë të jetës dixhitale. Në anën tjetër, përballueshmëria e internetit tregoi lidhje më të ulët me mirëqenien e përgjithshme dixhitale, me 0.67.

Kjo thekson rolin e madh në ofrimin e shërbimeve të tjera nëpërmjet internetit, në krahasim me përmirësimin vetëm të internetit./MONITOR



2 Comments

  1. Eksperti i informatikës, Gent Progni, ka hedhur dyshime për sulmin që u tha se i ishte bërë faqes në internet të Parlamentit të Shqipërisë nga grupi i hakerave “Homeland Justice” nga Irani. Sipas Prognit, sulmi duket si i organizuar nga brenda vendit me synime të caktuara.

    I ftuar sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV, Gent Progni i shpjegoi bazat e dyshimit të tij si specialist i kësaj fushe.

    “Nuk dua të bëj konspirancionistin, – tha ai, – por më duket si një strategji filmi ose skenar filmi i mirëorganizuar për t’i rënë edhe Parlamentit, edhe një kompanie private dhe për të bërë sikur një diçka e madhe po sulmon shtetin tonë. Por po ta shohësh në detaje teknike, duket si diçka e bërë së brendshmi.

    Pse e them këtë?! Dje na kanë ardhur informacione që faqja e parlamentit dhe serverat e parlamentit janë sulmuar nga një IP, që na rezulton IP e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit! Pra, si ka mundësi, pasi kemi harxhuar miliona dollarë, sulmi vjen nga një IP e AKSHI-t?! Kjo është një pikëpyetje shumë e madhe teknike, që nuk besoj se do të marrim ndonjëherë sqarim, sepse këtu është bërë e rrugës tashmë që nuk përgjigjet njeri.

    Flavio: Pra, iraniani është nga Tirana, jo nga Teherani?

    Gent Progni: Pikërisht. Po. Pra si mundet një IP e një institucioni, të sulmojë një institucion tjetër?! Kjo është një përgjigje që nuk e kemi marrë as në rastin e parë të hakerimit, ku IP e AKSHI-t sulmonin institucione të tjera, kompani private dhe shtetin e Kosovës dhe ne e kemi të faktuara edhe IP, edhe sulmin dhe askush nuk jep përgjigje për këtë gjë. Kjo realisht më duket si skenar filmi i mirëorganizuar për të bërë tym, për të goditur në mënyrë specifike kompani dhe interesa specifike.

    Flavio: Po çfarë do të thotë kjo konkretisht për operimin dhe qytetarët e zakonshëm të këtij vendi? Pse është alarm ky?

    Gent Progni: Është alarm, sepse nëse bie një nga kompanitë e telefonisë, shteti ynë kalon në kolaps. Kompanitë nuk kanë vetëm internetin dhe telefonatat që ne kemi në telefonin tonë, por bëjnë shpërndarje, kanë sisteme me SMS… p.sh. bankat. Ti nuk bën dot një transfertë bankare nëse nuk fut dot kodin SMS që të vjen në telefon. Nuk bën dot një verifikim të llogarisë që të “logohesh” nëse nuk të vjen SMS në telefon. Pra, nuk është thjesht që një biznes privat sulmohet dhe bie, por është një kolaps i thuajse të gjitha shërbimeve të tjera që afron ky biznes. Arsyeja, që mendoj unë se po bëhet kjo, është për të hequr vëmendjen, për të falimentuar biznese të caktuara dhe për të ngritur një tymnajë sikur ne kemi nevojë për miliona dollarë investime, ndërkohë që ato miliona dollarë po vidhen.” /ar.sh./SYRI.NET

    Ndiqni intervistën e plotë me ekspertin Gent Progni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *