• |
ide | kryesore

Dita Ndërkombëtare e Edukimit: Fondacioni Vodafone Albania kontribut në edukimin digjital përmes STEM

Arkiva, Lajme, Të fundit



24 janari shënon “Ditën Ndërkombëtare të Edukimit”, një mundësi për të shprehur mirënjohjen për mësuesit dhe kontributin e tyre në shoqëri. Mësuesit përgatisin breza të tërë si profesionistë të së ardhmes dhe një ndër profesionet për të cilat e ardhmja ka më shumë nevojë është edukimi në digjitalizim, në një shoqëri që po krijon gjithmonë e më shumë varësi nga teknologjia.

Skills Upload Junior është një nismë e Vodafone Group në 14 shtete evropiane, e cila synon të rrisë kapacitetet digjitale të fëmijëve të moshës 12-14 vjeç. Nisma zbatohet në bashkëpunim me komunitetet, qeverinë dhe organizatat jofitimprurëse. Vodafone ka investuar mbi 40 milionë euro në këtë projekt ambicioz, ku përfituese është edhe Shqipëria me programin Generation Next. Ky program, i cili nis së shpejti fazën e tretë dhe përmbyllëse të tij, ka një kohëzgjatje prej 3 vitesh dhe është projekti i parë i zbatuar në shkollat publike shqiptare me një kurrikul të miratuar, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.

100 shkolla në mbarë vendin janë pjesë e programit të gjeneratës së re digjitale në Shqipëri STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, Matematikë). Në qershor të vitit 2022, kur nisi dhe aplikimi i Generation Next, morën pjesë 20 shkolla. Gjatë kësaj faze u trajnuan 40 mësues dhe u prezantuan më shumë se 50 projekte, nga të cilat 4 prej tyre u përzgjodhën si projektet më të mira. Faza e dytë, ku morën pjesë 60 shkolla, u zhvillua në korrik të 2023-shit. Nga 10 projektet finaliste të prezantuara nga nxënësit në mjediset e Vodafone Albania u vlerësuan me çmime tre prej tyre.

Teksa këtë vit pritet të nisë edhe faza e tretë dhe përmbyllëse e këtij projekti, mësuesit që kanë përfituar nga trajnimet deri në këtë fazë shprehen entuziastë dhe mirënjohës për eksperiencën unike, si për ata vetë, edhe për nxënësit. “Nëpërmjet projekteve që realizuam kuptuam se është teknologjia ajo që u jep zgjidhje shumë problemeve në jetë”, shprehet Valentina Ismaili, mësuese e shkollës “Sulë Harri” në Elbasan, mentore e grupeve fituese të vendit të parë e të dytë gjatë fazës së parë të Generation Next.

Ndërkohë, po aq mbresëlënëse ka qenë edhe vazhdimësia e projektit. Blerta Muço, mësuese e lëndës “Matematikë – TIK” në Shkollën “Kongresi i Lushnjes”, pjesëmarrëse në fazën e dytë të Generation next, shprehet: “Ishte një projekt i bukur, që i tërhoqi shumë nxënësit. Dëshira e tyre, interesi dhe përkushtimi ishte shumë më i lartë se për lëndët e tjera. Organizimi i projektit ishte nga më të mirët në 30 vite punë që kam. Falenderoj Fondacionin Vodafone që na e mundësoi këtë projekt ndryshe dhe që iu dha mundësi fëmijëve të nxirrnin në pah talentet e tyre”.

Aftësimi digjital është një nga ojektivat më ambicioze të Vodafone dhe mësuesit mbeten aleatët kryesorë në arritjen e këtij objektivi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *