• |
ide | kryesore

SHBA shuan spekulimet “Përdorimi i forcës në Kosovë, rrezik për NATO-n”

Arkiva, Kryesore, Lajme



Një filmim që tregon ushtarët serbë pranë kufirit me Kosovën ka shtuar dozat e pasigurisë për një përsëritje të sulmeve terroriste si ai në Banjskë dhe për kërcënimet që vijnë nga Serbia. Pamjet u publikuan mbrëmjen e të enjtes nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sipas të cilit ushtarët që duken aty janë pjesë e njësive të specializuara të ushtrisë serbe, që ishin afruar pranë fshatit Banjë të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme kanë ndodhur edhe pranë fshatit Oslarë të Bujanocit.

Për ta bërë më të qartë se çfarë domethënie kishin pamjet e ushtarëve në kufi, Kurti citoi një deklaratë të Vuçiçit të pak ditëve më parë, në të cilën presidenti serb shprehej se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar”.

I menjëhershëm ishte reagimi i ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien. Sipas zyrtarit amerikan, Shtetet e Bashkuara janë duke i vëzhguar lëvizjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën dhe se ia kanë bërë të ditur Serbisë që përdorimi i forcës do të ishte i papranueshëm.

“Në Serbi, presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq e di mirë se çdo përdorim i forcës kundër Kosovës do të ishte i papranueshëm, do të konsiderohej rrezikim i forcave të NATO-s, që janë aty për të mbrojtur popullsinë, shqiptarët dhe serbët. Ai ka thënë se nuk do të ketë përdorim të forcës” ka thënë O’Brien.

Në Serbi thanë se deklaratat e Kurtit ishin keqinformuese. Një deklaratë e publikuar nga ministria e Mbrojtjes e Serbisë citon kreun e Komisionit për Zbatimin e Marrëveshjes Ushtarako-Teknike, kolonel Zoran Jovanoviq. Sipas tij, lëvizja e trupave ushtarake bëhet në zbatim të marrëveshjeve, por edhe në bashkëpunim me KFOR-in.

“Përhapja e mashtrimeve dhe dezinformatave, të cilat janë ekspozuar shumë herë deri më tani si gënjeshtra më e zakonshme, janë pjesë e një fushate më të gjerë të Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë, e cila ka për qëllim ngritjen e tensioneve, mashtrimin e opinionit, krijimin kushte të padurueshme për jetën e serbëve në Kosovë dhe Metohi dhe shmangie nga obligimi i pranuar ndërkombëtarisht”, thekson Jovanoviçi.

E gjithë situata është qetësuar 24 orë pas publikimit të pamjeve. Kurti tha se nuk ka më lëvizje të ushtarëve serbë pranë kufirit dhe se situata ishte më e qetë. “Nëse dëshiron normalizim të marrëdhënieve, ushtria rri në kazerma dhe jo te kufiri” – ka thënë ai.

Gjithsesi, reagimi i menjëhershëm i amerikanëve shërben për t’i shuar spekulimet e javëve të fundit, që hedhin idenë se ka një thyerje mes qeverisë së Kosovës dhe SHBA. Shkak për spekulimet janë bërë disa vendime të forta të Albin Kurtit, që janë shoqëruar shpesh me kritika dhe qortime nga zyrtarët amerikanë.

Hamendësimet morën krahë ditët e fundit nga një deklaratë e ambasadorit të SHBA në Beograd, Kris Hill sipas të cilit për momentin, Serbia ishte një partner më i afërt me NATO-n se Kosova. Edhe O’Brien u tregua i ashpër me Kurtin rreth një muaj më parë, kur tha se “nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”.

Por ndërkohë që amerikanët i dolën në krah Albin Kurtit brenda disa orësh, mbetet i paqartë propozimi që ka bërë qeveria e Kosovës për çështjen e dinarit, që ishte rënë dakort të bëhej sot. Pamjet e ushtarëve serbë në kufi kanë qenë temë kryesore e opinionit, madje disa thonë se kjo është e qëllimshme dhe shërben si një shpërqëndrim që të “harrohet” propozimi për çështjen e dinarit./Lapsi.al



4 Comments

  1. padinë e ka bërë Fredi Beleri dhe i përfoluri si blerës është Artan Gaçi, ish- deputet socialist, i cili për fatin e tij të keq, për shkak të kësaj xhungle në pronësinë në bregdetin shqiptar, e ka blerë tre herë atë copë toke, një herë nga ai që kishte certifikatën, që rezulton që e ka marrë me hile, një herë nga ai i vërteti, që nuk merrte dot certifikatën, dhe pastaj dhe nga qeveria shqiptare, në përpjekje për t’u bërë investitor

  2. Një qytetar i guximshëm i ka numëruar sot Sali Berishës, pikërisht poshtë ballkonit të ti,j të këqijat më të mëdha që i kanë ndodhur vendit gjatë qeverisjes së tij: piramidat, tragjedia e Gërdecit, apo vrasjet e 21 Janarit.

  3. Shkrimi bën fjalë për kërcënimet e Serbisë për të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë, e shoh se dy patronazhistë “komentojnë” këtu idiotësisht për Berishën.
    Njëfarë Jovanoviçi paskej deklaruar se “institucionet e përkohëshme të vetqeverisjes në Prishtinë” mashtrojnë publikun se Setbia po provokon me luftë.

    Edhe e quan qeverinë e shtetit të pamvarur të Kosovës që prej 25 vitesh, si një “institucion i përkohshëm vetqeverisje”, pra e thënë hapur se ne do ta ripushtojmë, edhe akuzon se ajo qeveri po mashtrokërka duke publikuar thëniet e tyre.
    Ka ” kinezëri” por ka edhe “serboidiotësi”.
    Kina edhe mund të shpresojë që ndonjë ditë, pasi ky komb i madh të flak tej diktaturën komuniste e të bëhet një shtet demokratik, bashkëkombasit e tyre demokratë në Tajvan ti bashkohen shtetit të madh, po çne që Kosova me 90% të popullsisë shqiptare, një etnitet që nuk e lidh asgjë me etnitetin sllavo serb, ti rikthehet pushtimit prej tyre , vetëm se në Mesjetë car Dushani serb paskej pushtuar disa teritore ilire e disa kishat nga katolike i ka kthyer në ortodokse sllave ?

  4. Nese sic tha serbia levizjet ushtarake jan bere ne dakordesi me KFOR ateher do ish njoftuar qeveria e Kosoves ne avance. Por nuk ka pas asnji lloj dakordesie te ushtris felliqesire serbe, me KFOR.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *