• |
ide | kryesore

Kanabizimi i Shqipërisë, Bardhi kërkon mocion për debat në Kuvend

Arkiva, Lajme, Të fundit
Bardhi, SPAK



Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, pas refuzimit të interpelancës nga Kryeministri Edi Rama për denoncimin mbi përfshirje e vëllait të tij Olsi Rama në Laboratorin e drogës në Xibrakë, nuk heq dorë nga llogaridhënia mbi këtë çështje.

Kryetari i Grupit Gazment Bardhi ka paraqitur mocion për zhvillimin e debatit parlamentar mbi problematikën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike në vendin tonë.

Në kërkesë e Bardhit specifikohet se nga viti 2014 e në vijim, Shqipëria u bë vendi i parë në Evropë sa i përket kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Agjencitë ligjzbatuese evropiane dhe raportet ndërkombëtare evidentuan faktin se grupet kriminale të angazhuar në prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, kishin bashkëpunëtorë të ngushtë në nivelet më të larta të Policisë së Shtetit dhe Qeverisë, të cilët përbënin garancinë e tyre për vijimin normalisht të aktivitetit kriminal.

Ashtu si në rastin e hetimeve për kanabisin, agjencive ligjzbatuese shqiptare do t’u vinin në ndihmë autoritetet e drejtësisë evropiane. Konkretisht, në Dhjetor 2014, Prokuroria e Hanoverit do të informonte Prokurorinë shqiptare së një grup kriminal kishte filluar prodhimin e kokainës, me qëllim trafikimin e saj në territorin gjerman.

Hetimet e mëtejshme do të zbulonin një fabrikë prodhimi dhe përpunimi të kokainës në fshatin Xibrakë të Elbasanit, si dhe do të zbardhte identitetin e një grupi të strukturuar kriminal që drejtohej nga Genci Xhixha, Ilir Hyseni dhe Gentian Gjonaj, dhe kishte në përbërje gjashtë shtetas të tjerë, në role të ndryshme, përfshirë dy shtetas kolumbianë që merreshin me prodhimin e lëndës narkotike.

Nëntë shtetasit e identifikuar u dënuan për kryerjen e veprave penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në formën e grupit të strukturuar kriminal, por siç del nga vendimet gjyqësore për shkak të gabimeve të kryera gjatë hetimeve nga Policia e Shtetit, si dhe dekonspirimit të operacionit, nuk u arrit të provohej trafikimi i kokainës, për të cilën kishte nisur hetimi fillimisht.

‘Policia dhe Prokuroria nuk arritën gjithashtu të zbardhnin të plotë identitetin e të gjithë bashkëpunëtorëve, të lidhur me grupin kriminal, për të cilët Prokuroria do të regjistronte procedimin penal nr. 335/1 i vitit 2016. Por, dy vite më pas ky procedim penal do të pezullohej pasi Prokuroria do të shpallte pamundësinë për identifikimin e këtyre individëve. Dokumentet zyrtare nga dosja gjyqësore dhe sistemi TIMS ngrenë dyshime serioze se një prej këtyre bashkëpunëtorëve të paidentifikuar mund të jetë Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama. Këto dyshime bazohen në faktin se një prej bashkëpunëtorëve të paidentifikuar është një shtetas 45 vjec, me flokë të shkurtër, përdorues i automjetit AA 653 DM. Olsi Rama asokohe ishte 45 vjec, me flokë të shkurtra dhe përdorues i automjetit AA 653 DM, i përdorur edhe nga pjesëtarët e grupit të strukturuar kriminal Genci Xhixha, Gentian Gjonaj dhe Ermal Hoxha. Sipas të dhënave të sistemit TIMS nga 18 hyrje-dalje të makinës, 7 prej tyre i përkasin Olsi Ramës. Sipas gjykatës, policia dhe prokuroria kanë kryer hetime të mangëta dhe nuk kanë identifikuar bashkëpunëtorët e grupit. Përdorimin e këtij automjeti dhe njohjen me eksponentët e grupit kriminal do ta pohonte edhe vetë Olsi Rama ditën e publikimit të denoncimit, 28 Mars 2024.’ – thuhet në kërkesën e grupit parlamentar të PD.

Më tej Gazment Bardhi shprehet se është detyra jonë si deputet të Kuvendit të Shqipërisë, që të shqyrtojmë me përparësi këtë problematikë dhe të kërkojmë nga qeveria marrjen e masave të menjëhershme.

‘Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, në mbështetje të nenit 98, pika 1, të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë mocion për zhvillimin e debatit parlamentar mbi problematikën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike në vendin tonë.’- përfundon shkresa e Bardhit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *