• |
ide | kryesore

Brezi i dytë i sipërmarrësve

Arkiva, Lajme, Të fundit
auto-bizneset-shqiptare-serbe-e-pesimistet-31477484326_1503483687-1969800.jpg



A janë tërhequr nga aktiviteti i përditshëm drejtuesit e bizneseve, tashmë edhe në moshën e tyre të pensionit? Nga ndërtuesit, mjekët, prodhuesit e birrës vendase dhe tregtarët e produkteve për plehërim të zonave rurale, modeli që kanë ndjekur për të trashëguar bizneset e tyre te fëmijët

Dorina Azo

Hajredin Fratari, inxhinieri i ndërtimit, në vitin 1987 theu rekordin për ndërtimin e kompleksit sportiv “Dinamo” brenda një periudhe 6-mujore nga 3 vjet që parashikonte regjimi diktatorial.

Sot, themeluesi i kompanisë së ndërtimit “Fratari Construction” (pas viteve ’90), është në moshën 82-vjeçare dhe ende nuk ka dalë në pension. Hajredin Fratari vijon të ndjekë një model rigoroz të punuari, edhe pse në drejtimin e kompanisë së tij të ndërtimit janë të përfshirë, si djali Raufi, edhe vajza Lediana.

“Prej vitesh ndjek të njëjtën rutinë në jetën time. Ngrihem në orën 6:00 të mëngjesit. Qëndroj 6 orë në punë, duke ndihmuar në drejtimin e biznesit si djalin, edhe vajzën. Tashmë, për aktivitetin, shoh më tepër anën juridike të dosjeve.

Por në pension nuk kam dalë, jam këshilltar i fëmijëve për drejtimin e kompanisë”.

Z. Fratari, një nga zhvilluesit e disa qendrave rezidenciale në zonat periferike në të kaluarën, gjithashtu njohës i sektorit të ndërtimit, pohon se për ndërtuesit janë rritur kostot nga shtimi i detyrimeve për taksën e ndikimit në infrastrukturë dhe nga mungesa e fuqisë punëtore.

Ai thotë se për shkak të rritjes së kostove, çmimet e apartamenteve të banimit në zonat periferike pritet të arrijnë drejt çmimeve të shitjes mbi 1,000 euro për metër katror, afër niveleve të Malit të Zi apo Kosovës.

Xhimi Begeja, mjeshtri i madh i sportit të alpinizmit, i cili ka ngjitur malin Everest, themeluesi i kompanisë së prodhimit të birrës artizanale “Puka”, edhe pasionin për birrën e ka të ndërthurur me malet.

Për herë të parë ra në kontakt me birrën kur vendosi të investojë, duke blerë Hotel Turizmin në Pukë, pjesë e të cilit prej vitit 2006 është edhe punishtja e prodhimit të Birrës Puka.

“Biznesi ynë është i lidhur me turizmin. Puna që kam bërë, i ka shërbyer pasionit tim për turizmin dhe veçanërisht për sportin e alpinizmit. Për mua mbret i gjithçkaje mbetet natyra, pasi më mban të lidhur me pasionin tim për turizmin”.

Në të 60-tat e jetës nuk e përfytyron të tërhiqet plotësisht nga sipërmarrja për të shijuar frytet e saj, pasi gjithmonë puna që ka bërë, i ka shërbyer pasionit të tij për turizmin, veçanërisht për sportin e alpinizmit. Z. Begeja pohon se prej vitesh, pronësinë e punishtes e ka kaluar te djemtë.

“Prej kohësh, pronësinë e biznesit tim ua kam kaluar dy djemve. Nëse dikur lëshoja unë prokurë punësimi për ta në kompaninë time, sot janë ata që lëshojnë prokurë për punësimin tim në kompani. Pra unë jam i punësuar te fëmijët e mi”, pohon ai.

Xhimi Begeja, drejtues i Shoqatës së Mikro Birrave Artizanale Shqiptare, por edhe operator i vogël në treg, me kapacitet prodhues 700 deri në 750 litra në ditë, pohon me shqetësim se sektori është në vështirësi nga kostot e larta pas dyfishimit të akcizës.

“Birra artizanale vendase parapëlqehet më tepër nga turistët e huaj. Mungesa e shitjeve ndihet më shumë nga prodhuesit larg zonave turistike. Ndërkohë kostot për prodhimin janë shtuar, veçanërisht pas ndryshimeve të akcizës. Kjo po dëmton prodhuesit vendas. Presim fillimin e sezonit turistik për të parë ecurinë e kërkesës”.

Vasfi Sherifi ushtron prej 46 vitesh profesionin e agronomit. Ai, së bashku me bashkëshorten dhe djalin drejtojnë kompaninë “AGROVAS-SHE” për prodhimin dhe tregtimin e farave, fidanëve dhe inputeve bujqësore në fshatin Pojan të Korçës.

Pasioni për mbrojtjen e bimëve prej vitesh, për z. Sherifi, ka gjetur strehë tek aktiviteti i përditshëm i kompanisë, të cilën nuk e zhvillon vetëm për fitim.

“Pasioni për tokën, për mbrojtjen e bimëve, ka zënë vend gjithmonë në profesionin tim si agronom, tashmë prej 46 vitesh. Por edhe pavarësia që të jep ushtrimi i këtij profesioni, ku jo gjithkush mund të ndërhyjë, pasi nuk ka njohuri për ta bërë, ka qenë një motivim i punës sime.

Edhe puna me kompaninë AGROVAS-SHE është e lidhur me pasionin për bimën, ku nuk kam reshtur asnjëherë të vë në provë kultivimi varietetet e ndryshme, si nga patatja dhe qepa, që janë kulturat kryesore me sipërfaqen më të madhe të të mbjellave në zonat rurale të Korçës. Por edhe të krahasoj me provë kultivimi ecurinë e varietetit të grurit vendas me atë italian, francez apo grek”.

Në të 70-at, z. Sherifi pohon se është i vendosur të punojë deri sa të ketë mundësi fizike. Prej disa muajsh, ai drejton edhe një emision radiofonik në RTSH Korça prej 90 minutash, me fokus orientimin për zgjidhjen e problematikave që përcjellin fermerët.

“Edhe në gjumë do t’u përgjigjem fermerëve për problemet që ata kanë. Shqipëria duhet të shkojë gjithnjë e më shumë drejt modelit për punimin e tokës, për punësimin e të rinjve në bujqësi.

Vitet e fundit është rritur tendenca për t’u marrë me bujqësi. Sipërfaqet e fermave të mëdha janë rritur. Bujqësia nuk do të ndalojë së zhvilluari, pasi për zhvillimin e saj do të jetë nxitje edhe turizmi, i cili po njeh trend rritës”.

Z. Sherifi, njohës i sektorit të bujqësisë, teksa foli për problematikat kryesore tha se aktualisht të mbjellat me grurë dhe misër janë pakësuar nga fermerët, për shkak të mungesës së tregut nga rënia e çmimit. Ai shton se janë rritur të mbjellat me patate, e ndikuar nga shtimi i numrit të turistëve që po vizitojnë Shqipërinë.

Brezi i dytë i sipërmarrësve

Shumë prej sipërmarrësve shqiptarë vijojnë të ndjekin rrugën e paraardhësve të tyre për edukimin e fëmijëve dhe të trashëgimisë ndër breza të pronës private. Disa prej tyre kanë trashëguar te fëmijët edhe profesionin.

Xhim Begeja pohon se fillimi i kultivimit të ndenjës për të zhvilluar që në moshë të re biznesin privat ka shtuar te të bijtë dashurinë dhe kënaqësinë për ta zhvilluar dhe për ta investuar më tej aktivitetin.

“Njëri prej djemve ka përfunduar studimet e larta për inxhinieri ndërtimi kurse tjetri, për arkitekturë. Pavarësisht se sot ata drejtojnë bizneset e tyre, prej disa vitesh, pronësinë e kompanisë së birrës e kam kaluar te ta.

Kjo pasi, së pari, është një pronë e trashëguar që nga viti 1900 në familjen tone. Së dyti, e kam ndërmarrë këtë nismë me qëllim edukimin dhe nxitjen për zhvillimin e pronës apo mallit tënd që në moshë të re te fëmijët.

Shqipëria është ende shumë larg parimeve dhe modeleve të botës perëndimore, ku fillimisht respektohet djersa e ballit, pra të ardhurat e fituara nga puna e çdo individi dhe më pas të ardhurat që fiton një sipërmarrës nga puna e tij private.

Në mjedisin shqiptar është e vështirë të respektohen këto modele. Gjithmonë hasesh me dyshime pa vend se ku i gjen ky paratë, pasi mungon respekti për të ardhurat e fituara me djersë”, thotë Xhimi Begeja.

Pas vitesh të gjata burgimi, inxhinieri i ndërtimit, Hajredin Fratari, ditën që fitoi bastin e vënë nga ish-presidenti i periudhës komuniste Ramiz Alia dhe ish-ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, dhe përfundoi për 6 muaj ndërtimin e kompleksit sportiv “Dinamo”, ku prej regjimit parashikohej të përfundohej për 3 vjet, fitoi edhe lirinë.

Pavarësisht viteve të vështira që kaloi, ai përcolli te fëmijët dashurinë për vendin dhe dhënien e kontributit për zhvillimin e tij nëpërmjet formimit profesional.

“Pas përfundimit të studimeve në Angli, kur u kthyen në Shqipëri, fëmijët mësuan prej miqve të mi, që babai i tyre ka kryer 25 vjet burg në periudhën komuniste. Në familjen tonë nuk ishte folur asnjëherë për këtë histori”.

Për shkollimin e fëmijëve të tij, ai zgjodhi shkollat anglosaksone. Vajza e tij, Lediana, është e prirë për politikë, ndërsa djali, për shkenca ekzakte. Dhe kjo ishte rruga e arsimimit që ata ndoqën. Djali, Raufi (i cili mban emrin e gjyshit të tij), zgjodhi degën e ekonomisë, ndërsa Lediana ndoqi studimet për politikë dhe integrim europian.

“Fëmija formohet që në klasën e parë fillore. Gjyshi im ka qenë deputet në kohën e Ahmet Zogut. Nënën time e kanë çuar në shkollën siç njihej në atë kohë të Dakes, ku flitej vetëm anglisht.

Nëse nxënësit flisnin shqip, dënoheshin. Përveç anglishtes si gjuhë e huaj, mësohej italishtja dhe frëngjishtja. Përveç këtij edukimi, nxënëseve u mësohej edhe të qepnin dhe të gatuanin.

Djali është shkolluar që në moshën 5-vjeçare në shkollë në Itali në vitin 1997. Edhe vajza ka qenë në këtë shkollë, e drejtuar nga murgeshat. Pasi mbaroi arsimin tetëvjeçar në Itali, në moshën 14-vjeçare, Lediana nisi studimet në Oksford.

Përveç studimeve, në Oksford ajo ka mësuar edhe se si të gatuajë, të hekurosë dhe të qepë, të cilat mbikëqyreshin nga një guvernante. Ndërsa Raufi, pasi përfundoi studimet tetëvjeçare në Itali, u kthye për të vijuar studimet në shkollën e mesme ‘Harri Fultz’ në Tiranë. Pas dy vitesh, edhe ai filloi studimet e larta në Oksford”.

Me konsolidimin e biznesit, z. Fratari pohon se në mendjen e tij gjithmonë e më shumë po zinte vend çështja se kush do ta vazhdonte rrugëtimin.

“Djali kërkonte të përfundonte studimet e larta për arkitekturë. Duke qenë se biznesi që kemi kërkon formim profesional në fushën ekonomike, i rekomandova të kryejë studimet për këtë degë. Në fakt, përveç studimeve për ekonomik të përgjithshëm, kreu studimet edhe për financë bankare.

Sapo u kthye në Shqipëri, patëm një kontradiktë me bashkëshorten, e cila dëshironte që djali të punësohej në bankë, të qëndronte mes financiarëve. Ndërsa unë e dëshiroja të qëndronte në kantier me punëtorët e ndërtimit”.

Z. Fratari, i bindur se puna private është shumë herë më e mirë se të punosh për të tjerët, pasi ti rritesh me të, jeton me të, nuk heq dorë nga dëshira e tij për t’i lënë drejtimin e kompanisë së birit, pavarësisht mosprivimit të lirisë për të ndërmarrë iniciativën e lirë jashtë sektorit të ndërtimit.

“Pasi përfundoi studimet e larta në ekonomik, Raufi, në moshën 21-vjeçare, u kthye në Shqipëri dhe u punësua në kompaninë time. Por u largua menjëherë pasi nuk i pëlqeu puna.

Një ditë, në një drekë familjare, i rrëfej historinë e një mikut tim, sipërmarrës në Toskanë, të cilit i biri, pasi i përfundoi studimet për shkencat juridike, u punësua një kompani private në Milano. Për shkak të punës, i biri kthehej në vendlindje një herë në muaj.

Në një nga këto ditë e qëndrimit të tij në Toskanë, babai e mori të birin për gjueti. Bashkë me ta kishin marrë me vete dy langonj. Pasi shohin një lepur nuk e gjuajnë me çifte, por lëshojnë langonjtë për ta ndjekur.

Pas kësaj, i biri i drejton pyetjen të atit: Pse langonjtë nuk e kapën dot lepurin? I ati i përgjigjet. Sepse langonjtë janë të punësuar te ne, kurse lepuri punon privat, për hesapin e tij.

Pas kësaj, ai i drejtohet ngritjes së sipërmarrjes së tij private jashtë sektorit të ndërtimit, nëpërmjet kreditimit nga bankat, edhe pse priste që shumën e nevojshme ta investonte babai. Por kjo gjë nuk ndodhi.

Pas 10 muajsh aktivitet privat, pasi arkëtoi shumën prej 10,500 euro për likuidimin e huasë së marrë, nisi nga puna për drejtimin e kompanisë së ndërtimit. Tashmë po ecën shumë mirë në drejtimin e kompanisë së ndërtimit”.

Ai tregon se vajza e tij Lediana, e pasionuar për politikën, u kthye në Shqipëri pas përfundimit të studimeve në “London School of Economics”, duke refuzuar ofertën e pedagogëve të saj për t’u punësuar në Bruksel.

“Rrugëtimi për t’i hyrë politikës ka qenë i vështirë për të. Para kandidimit në zgjedhjet parlamentare më 2021, prej gati 7 muajsh në mbarë Shqipërinë ngriti akademinë për përgatitjen e politikanëve të rinj, që do të zëvendësonin politikat e plakura.

Një forcë politike që do të duhej të gjenerohej. Pas përfundimit të kësaj eksperience, edhe Lediana iu kthye drejtimit të bizneseve të babait të saj, në fushën e investimeve në ndërtim jashtë dhe në drejtimin e një kompanie në tregun e pasurive të paluajtshme”, pohon ai.

Unik në dëshirën e tij për të qëndruar profesionalisht aktiv edhe në moshë të madhe, ndërtuesi Hajredin Fratari tregon se përfshirja e fëmijëve në drejtimin e bizneseve të tij ka sjellë shumë ndryshime, vizion të ri dhe mënyra të reja të konceptimit të ecurisë së biznesit.

“Deri tani, jam i kënaqur nga mënyra sesi fëmijët e mi po i menaxhojnë kompanitë. Kuptohet kanë mendimet dhe modelet e tyre inovatore, që i kanë vënë në zbatim në biznes”.

Ndërsa Vasfi Sherifi thotë se pasionin e tij për agronominë e ka trashëguar edhe te i biri, i cili është gjithashtu me profesion agronom dhe njëkohësisht i përfshirë në menaxhimin e kompanisë.

“Është një investim për të cilin ai po përgatitet ta drejtojë. Gradualisht besoj se do i shtohet edhe më tepër pasioni për profesionin e agronomit, por edhe për biznesin, punën private”.

Fëmijët e Vasil Llajos, larg biznesit

Vasil Llajo, me profesion mjek për disa vite pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në vitin 1995 hapi në Tiranë qendrën e parë të ekzaminimit me skaner, që mundësonte diagnostikimin direkt, një revolucion në diagnostikimin e pacientit në Shqipëri.

Një vit më pas, ai do të themelonte rrjetin e laboratorëve klinikë “Intermedica”.

Djali i tij ka ndjekur rrugën e të atit për sa i përket profesionit, por ka zgjedhur të qëndrojë jashtë menaxhimit të bizneseve. Edhe vajza, ndonëse me profesion juriste, ka zgjedhur të jetojë dhe të punojë jashtë. Z. Llajo pohon se ky mund të mos jetë modeli i duhur.

“Djali im ka përfunduar studimet për mjekësi në universitetin ‘La Sapienza’ në në Romë. Bashkë me bashkëshorten jeton dhe punon si mjek në Romë. Ndërsa vajza, pasi përfundoi studimet 5-vjeçare në Londër për juridik, punon në Athinë si juriste.

Pak a shumë, nëse do të hiqet një vizë e trashë mund të quhet se janë jashtë biznesit. Ne kemi një raport shumë të ngushtë bashkë, në bisedat familjare, flitet dhe për biznesin, ata janë në dijeni të ecurisë së aktivitetit.

Nuk janë pjesë e menaxhimit të përditshëm të punëve të mia, të cilat nuk i ndaj dot as me bashkëshorten dhe fëmijët. Kjo është arsyeja që nuk kam as ortak në punët e mia”, pohoi sipërmarrësi Vasil Llajo në podkastin “Monitor Buissnes Plus”.

Mospërfshirja e fëmijëve në drejtimin e bizneseve ishte shqetësim edhe për disa sipërmarrës, të cilët nuk pranuan ta bënin publik rastin e tyre, pasi për ta, kjo gjë konsiderohej “fatkeqësi”.

Për ta, përfshirja e fëmijëve në drejtimin e biznesit, jo vetëm që u vlerësua si një model perëndimor që duhet të zbatohet edhe në Shqipëri, por gjithashtu sepse puna në aktivitet privat të nxit për t’u bërë ai që do të bëhesh.



2 Comments

  1. Po po. Ashtu eshte. Po te degjosh keta “kapitalistet” e leshit, keta jane te gjithe gjeni. Femijet i kane te gjithe me iq prej ajnshtajni, ndersa gjysherit i kane pasur te gjithe aristokrate, me guvernante dhe me anglishte te mesuar qe ne djep. Tyt mor race pordhacesh. Injorante te palare dhe analfabete qe s’dini te lidhni dy fjale. Jeni thjesht spekullante dhe pehlivane ordinere. Ndersa femijet tuaj jane thjesht ca dembele te llastuar qe ua keni paguar shkollen me lek vetem qe te kene nje diplome me emer, edhe pse e kane koken gdhe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *