• |
ide | kryesore

Ç’ndodhi/ Eurovision pezullon këngëtarin që përfaqëson Holandën

Lapsi Leaks
eurovision



Konkurrenti holandez i Eurovision nuk performoi në provat e së premtes në mbrëmje pasi organizatorët thanë se po “hetojnë një incident në prapaskenë”. Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), i cili organizon Eurovision, nuk e ka specifikuar se cili ishte “incidenti” që përfshiu këngëtarin Joost Klein. Provat e së premtes ndiqen vetëm nga juritë në mbarë Evropën për të vendosur rezultatet e tyre për finalen e madhe. Në vend të kësaj, anëtarëve të jurisë do t’u shfaqet një performancë e regjistruar e këngëtarit holandez në fillim të javës.

Kënga e Klein-it, “Europapa” konsiderohet si një nga kandidatët kryesorë në festivalin e këtij viti. Ajo u kushtohet prindërve të tij, të cilët vdiqën kur ai ishte fëmijë. Performuesi u kishte premtuar se një ditë do të konkurronte në Eurovizion. Pezullimi i tij u bë i qartë pasditen e së premtes, gjatë provës së parë për finalen e madhe televizive të së shtunës. Rekuizitat e Klein ishin duke u ngjitur në skenë brenda “Malmö Arena” kur një menaxher prodhimi kërkoi që ato të hiqen. Më pas kënga e tij u anashkalua pa u dhënë shpjegime dhe vendin e tij e zuri pjesëmarrësja e Izraelit, Eden Golan, e cila ishte e radhës në garë.

EBU lëshoi më vonë një deklaratë duke thënë se ata po “hetonin një incident që u raportua tek ata dhe që përfshinte artistin holandez”. Deklarata u përditësua pak pas orës 20:30, gjysmë ore para fillimit të provave. “Hetimi për incidentin me artistin holandez në Eurovizionin e këtij viti është ende duke u zhvilluar. Diskutimet po zhvillohen gjithashtu midis EBU dhe AVROTROS, transmetuesit pjesëmarrës holandez. Teksa hetimi vazhdon, EBU ka vendosur që Joost Klein të mos performojë gjatë provës i cili votohet nga juritë në 37 vendet pjesëmarrëse. Për këtë do të përdoret performanca e tij e mëparshme. Ne nuk kemi komente të mëtejshme për momentin dhe do t’i përditësojmë ato në kohën e duhur” – thuhej në njoftim.

Spekulimet e mediave janë se pezullimi i Klein kishte si shkak një mosmarrëveshje me delegacionin e Izraelit. Pjesëmarrja e këtij vendi në Eurovizion ka qenë një burim polemikash për shkak të rritjes së vdekjeve të civilëve dhe përkeqësimit të situatës humanitare në Gaza. Për këtë ka pasur edhe protesta në qytetin pritës suedez. Në një konferencë për shtyp të Eurovision-it të enjten, Golan u pyet nëse ajo kishte “menduar ndonjëherë se duke qenë aty përbënte rrezik për pjesëmarrësit e tjerë dhe publikun?”

Kur moderatorja i tha këngëtares izraelite se nuk duhej t’i përgjigjej pyetjes, Klein u përgjigj: “Pse jo?”
“Unë mendoj se ne jemi të gjithë këtu për një arsye, dhe vetëm një arsye, dhe EBU po merr të gjitha masat paraprake të sigurisë për ta bërë këtë një vend të sigurt dhe të bashkuar për të gjithë, dhe kështu mendoj se është i sigurt për të gjithë dhe ne do ta bëjmë këtë. Mos qëndro këtu [nëse jo]” – tha Golan.
Më herët, kur Klein u pyet nëse kënga e saj mund të përmbushte sloganin e Eurovizionit dhe të bashkonte njerëzit me muzikë, ai u përgjigj: “Unë mendoj se kjo është një pyetje e mirë për EBU”. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *