• |
ide | kryesore

Xi në Serbi/ Pse iu rikthye presidenti kinez bombardimeve të NATO-s në ’99

Arkiva, Kryesore, Planet
Serbi



Popullsia e Serbisë është më pak se një e treta e popullatës së Pekinit. Tregtia e Kinës me vendin ballkanik është më pak se një e dyzeta e asaj me Gjermaninë. Megjithatë, për sundimtarin e Kinës, Xi Jinping, Serbia është e rëndësishme. Është një mik i rrallë i ngushtë në një kontinent ku kujdesi ndaj Kinës është bërë normë. Dhe kryeqyteti i vendit, Beogradi, dëshmoi një moment themelor në evolucionin e nacionalizmit kinez. Njëzet e pesë vjet më parë bombat amerikane goditën ambasadën kineze atje, duke vrarë tre persona. Në vizitën e tij të parë në Europë që nga viti 2019, Xi zhvilloi bisedime me Emmanuel Macron, presidentin e Francës, me shpresën për ta bindur atë dhe aleatët e tij se Kina dhe produktet e saj janë të mira për ta. Më pas, në Serbi, Xi përdori përvjetorin e bombardimeve për të vënë në dukje një pikë të fshehtë: se rendi i udhëhequr nga perëndimi është i keq dhe duhet ndryshuar.

Bota ka ndryshuar në mënyrë dramatike që nga vizita e mëparshme e Xi në Europë. Një pandemi e ka përfshirë botën. Kjo pandemi e mbajtur zotin Xi brenda kufijve të Kinës për gati tre vjet. Rusia, partneri “pa kufi” i Kinës, ka pushtuar pjesëza të Ukrainës, duke e zhytur Europën në krizën e saj më të madhe të sigurisë që nga Lufta e Ftohtë. Nën Presidentin Joe Biden, Amerika ka nxitur një luftë teknologjike me Kinën që synon të kufizojë aksesin e saj në pajisjet moderne. Bashkimi Europian tani kërkon të ulë rrezikun që sjell marrëdhënieve e tij me Kinën. Mes akuzave se Kina po ndot tregjet perëndimore me produktet e saj, thirrjet për hakmarrje janë rritur.

Lexo më tej: The Guardian: BE gati për të nisur luftë tregtare me Kinën 

Xi shpreson se vizioni i Macron për “autonominë strategjike” për Europën mund të përputhet me përpjekjet e Kinës për një botë “multipolare” që është më pak e prekur nga Amerika. Por, edhe pse i kënaqur nga Macron, Xi gjithashtu u kritikua nga ai për tregtinë dhe Ukrainën. Dhe Xi iu kundërpërgjigj Macronit. “Ne kundërshtojmë përdorimin e krizës në Ukrainë për të hedhur fajin, për të njollosur një vend të tretë dhe për të nxitur një luftë të re të ftohtë”, tha ai.

Në Serbi, Xi përforcoi dyshimet e tij për Perëndimin. Duke kujtuar bombardimin e ambasadës, ai me sa duket shpresonte të thoshte dy pika: se aleancat amerikane nuk janë thjesht mbrojtëse, por kërcënuese, dhe se Kina është një fuqi shumë më e fortë sot. Vuk Vuksanoviç i Qendrës së Beogradit për Politikat e Sigurisë, një institut kërkimor, mendon se Xi po mendonte: “Ky është një episod ku na u desh të kthenim faqen tjetër, ku u poshtëruam…por tani jemi ringjallur, kemi rilindur si një feniks.” 

S’ka rëndësi pjesa që Amerika ka kërkuar falje për bombardimet dhe ka paguar dëmshpërblim. Përvjetori i bombardimit të ambasadës kineze ende rezonon mes kinezëve, shumë prej të cilëve kundërshtojnë këmbënguljen e Amerikës që raketat e saj goditën objektivin e gabuar si rezultat i një gabimi të shkaktuar nga hartat e vjetruara dhe të dhëna të gabuara. Sulmi ishte pjesë e një fushate ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë që synonte të ndalonte mizoritë në Kosovë. Amerika thotë se objektivi i saj i synuar kishte qenë zyrat e afërta të përfshira në prokurimet ushtarake.

Kur ishte për herë të fundit në Serbi, në vitin 2016, Xi vizitoi vendin e bombardimit për të bërë homazhe për tre gazetarët kinezë që u vranë atje. Ai gjithashtu vuri një gur themeli për një qendër të re kulturore kineze (ambasada ishte zhvendosur diku tjetër). Sot godina tetëkatëshe, me një statujë të Konfucit përpara, bën një deklaratë të guximshme arkitekturore të fuqisë së butë të Kinës në një lagje me pamje të zymtë (dhe, nacionalistët kinezë do të ishin të kënaqur të dëgjonin se kjo godinë ngrihet mbi ambasadën fqinje të armikut të tyre, Japonisë).

Xi e anashkaloi një vizitë tek ish-ambasada këtë herë, megjithëse në një artikull të shkruar për gazetën serbe Politika, ai tha se Kina “nuk do të lejonte kurrë të përsëritej një histori e tillë tragjike”. Për turistët kinezë, ndërtesa dhe një monument pranë saj janë kthyer në një magnet. Një agronom rreth të 40-tave nga Harbin, në verilindje të Kinës, kujton se iu bashkua demonstratave kundër NATO-s që shpërthyen në vitin 1999, protestat më të gjera në rrugë në Kinë që nga trazirat në Sheshin Tiananmen një dekadë më parë. Ndryshe nga ai tubim pro-demokracisë, zhurma për NATO-n pati bekimin e qeverisë. Protestat, thotë vizitori, panë të rinj kinezë që dikur kishin adhuruar Perëndimin, të ktheheshin kundër tij. Demonstruesit spërkatën me bojë ndërtesat e ambasadave amerikane dhe britanike dhe thyen xhamat e tyre.

Në atë kohë, Xi ishte zëvendës-kryetari i Partisë Komuniste të provincës Fujian. Që nga viti 2012, si udhëheqës i vendit, ai ka inkurajuar llojin e nacionalizmit që u përhap në Kinë pas bombardimeve. Në përvjetorin e këtij viti, mediat sociale të Kinës u mbushën me shprehje zemërimi. “Atë vit, unë isha ende një i ri injorant,” shkroi një komentues. “Ishte hera e parë që mësova për bullizmin e Amerikës, hera e parë që qava me dhimbje për të huajt.” 

Përkujtimet e Kinës për këtë ngjarje ndihmojnë në përforcimin e një pikëpamjeje të promovuar nga media shtetërore se NATO është një agresor. Zyrtarët kinezë i bëjnë jehonë argumenteve ruse se zgjerimi i NATO-s ka kërcënuar sigurinë e Rusisë. Vladimir Milic, redaktori i Savremena Kina, një faqe interneti serbe për çështjet kineze, vë në dukje ankthin e Kinës për përpjekjet amerikane për të forcuar aleancat e saj në Azi. Ai thotë se duke theksuar bombardimin e ambasadës, mesazhi i zotit Xi ishte: “Duhet të jemi të kujdesshëm, të shohim se çfarë kanë bërë”. 

Serbia ndan simpatinë kineze për Vladimir Putin. Vendi nuk është anëtar i NATO-s, as i BE-së, megjithëse është një aplikant me gjysmë zemre. Udhëheqësi i saj autokratik, Aleksandër Vuçiç, i jep zotit Xi llojin e lavdërimeve të çuditshme që ai është mësuar në Serbi. Në një intervistë në shkurt me televizionin shtetëror kinez, Vuçiç kujtoi një takim me Xi Jinping në vitin 2016. “E kuptova se po flisja me një djalë që ishte shumë, shumë, shumë më i zgjuar dhe shumë më i përgatitur”, tha Vuçiç. Presidenti serb gjithashtu mbështet plotësisht pozicionin e Kinës ndaj Tajvanit. “Tajvani është Kina. Dhe varet nga ju, çfarë, kur, si do ta bëni. Pikë mbaroi,” i tha ai intervistuesit, duke nënkuptuar se Serbia nuk do të kundërshtonte një sulm kinez në ishull. Serbia vlerëson Kinën, se ndryshe nga Amerika dhe shumica e aleatëve të saj, nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

Xi përfundoi turneun e tij europian në Hungarinë fqinje, një gjë e rrallë që një vend që është anëtar i BE-së dhe NATO-s, është dhe një mbështetës i vendosur i Kinës. Ashtu si Serbia, Hungaria është një pjesëmarrëse krenare në Iniciativën e Kinës “Brez dhe Rrugë”, një projekt global për ndërtimin e infrastrukturës. Kina po ndihmon në ndërrtimin e një lidhje hekurudhore me shpejtësi të lartë midis Beogradit dhe kryeqytetit të Hungarisë, Budapestit. Të dy vendet janë të mbushura me investime kineze që arrijnë në miliarda dollarë. Kina kënaqet me shpagimin politik: Hungaria bllokon BE-në kur përpiqet të dënojë Kinën për të drejtat e njeriut.

Nuk ka gjasa që Xi të fitojë më shumë të konvertuar për kauzën e tij në Europë si rezultat i udhëtimit të tij. Por shfaqja e tij e mbështetjes për miqtë që ka do të vihet në dukje kudo në botë. Lufta e Kinës me Perëndimin përfshin gjithashtu një garë për mbështetje në “jugun global”. Shumë nga vendet më të varfra të botës ndajnë dëshirën e Serbisë dhe Hungarisë për hekurudhat dhe fabrikat kineze. Xi mund të jetë duke humbur Europën, por ai ka shumë vende të tjera për të fituar.

The Economist, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



3 Comments

    1. Po dhe Enveri dinte ti zgjidhte dhe u lidh me ata qe perfitoi me shume kurse pederastet dhe drogaxhinjre e sotshem lidhene ata qe i shkerdhejne shume

  1. Shqiptaret nuk jane te besueshem . ata i nderrojne aleancat dhe shkojne nga fryn dhe nga i con era . keshtu gjithmone kan qene nje here me Romen , pastaj me Bizantin , me osmanet, me beogradin e titos , me ruisine e stalinit , me kinen e mao ce dunit , e tani u lodhen duke thenese jemi me brukselin e shba.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *