• |
ide | kryesore

Prodhuesit kërkojnë shfuqizimin e ligjit për rritjen e akcizës së birrës

Lajme, Të fundit


Shoqata e Prodhuesve dhe Tregtuesve të Pijeve Alkoolike Vendase dhe Shoqata e Mikrobirrarive Shqiptare gjatë seancës në Gjykatën Kushtetuese kanë prezantuar konkluzionet përfundimtare për padinë ku kërkohet shfuqizimi i ligjit “për akcizat” që unifikoi akcizën te prodhuesit vendas nga 1 janari 2023.

Seanca e parë në Gjykatën Kushtetuese për ankesën e Shoqatës së Prodhuesve dhe Tregtuesve të Pijeve Alkoolike Vendase, për shfuqizimin të pjesshëm të ligjit “Për një ndryshim në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” u zhvillua më 16 Maj.

Ne seancën e sotme avokat Sajmir Laçej përfaqësues ligjor i shoqatave të birrave vendase tha se projektligji për rritjen 2 fish të akcizës së birrës nuk u konsultua me grupet e interesit dhe nuk pati një studim për impaktin që do të kishte tek bizneset prodhuese brenda dhe jashtë vendit me kapacitete prodhimi nën 200 mijë HL dhe tek konsumatorët, sidomos ato më të ardhura të ulëta.

Sipas Laçej si rezultat i vendimmarrjes së pakonsultuar prodhimi vendas në vitin 2023  nuk është rritur siç pretendohej, si rezultat i unifikimit, por është ulur me 11%. “Si rezultat i rënies të prodhimit vendas, gjatë vitit 2023 ka rënë numri i të punësuarve deri 15%”, theksoi ai.

Drejtor i Përgjithshëm i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave Niko Lera, njëkohësisht dhe përfaqësues i Këshillit të Ministrave në seancën gjyqësore tha se unifikimi i akcizës nuk cenon lirinë ekonomike, nuk çon në mbylljen e bizneseve.

“Akciza e birrës u unifikua, sepse problemet me evazionin dhe mosraportimin, kanë qene jo vetëm me prodhuesit vendas për që përmenda, por edhe me importuesit, sepse tendenca e tyre ishte të importonin në Shqipëri birra, duke raportuar nën 200 mijë Hl. Nga një prodhues shumë i madh i vendit fqinj prezantohesh fatura të falsifikuara. U krijua një situatë që sillte vetëm evazion dhe shmangie të taksave në një vend që ka nevojë të mirë menaxhojë taksat.

Pse ky ndryshim nuk prek lirinë ekonomike apo dëmton bizneset? Në vitin e parë vërtet unifikimi i akcizës dha rënie 10% të prodhimit vendas, por kemi rritje të tij deri 15% për 4-mujorin e parë 2024 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pra nuk mund të nxjerrim konkluzione vetëm në 1 vit. Nuk mundet të falimentojnë apo pezullojnë bizneset vetëm për disa muaj apo me 1 vit. Jam i bindur që prodhimi dhe konsumi do të rritet”, tha Lera.

Palët u përfshinë edhe në debatin për nivelin e akcizës që aplikohet në vend krahasuar me rajonin dhe vendet e BE-së.

Laçej tha se Shqipëria aplikon akcizë deri 4 herë më të lartë se niveli minimal i taksimit të rekomanduar nga Direktiva 92/84/EEC dhe më të lartë se shtetet, si:  Austria, Belgjika, Bullgaria, Qipro, Çekia, Gjermania, Danimarka, Spanja, Kroacia, Hungaria, Italia, Luksemburgu, Malta, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia qe janë 2/3 e vendeve te BE. ( detajet në aneksin 1)

Të gjitha vendet anëtare të BE-së sipas tij kanë modele të diferencuara taksimi për akcizën e birrës .

“24 shtete e kanë të diferencuar sipas sasisë së prodhuar në vit deri në 200 mijë HL , apo me fasha , ndërsa 3 shtete (Spanja, Portugalia dhe Suedia) e kanë të diferencuar sipas përmbajtjes alkoolike duke mos e taksuar fare birrën deri në 2.8% Alkool dhe duke favorizuar indirekt prodhimet tradicionale respektive ( detajet në aneksin 1)

Shqipëria takson birrën me mbi 0.5% Alkool ndërkohë qe pothuajse të gjithë vendet e BE aplikojnë Akcizë të reduktuar ose 0 për birrën nen 2.8% Alkool. Shqipëria ka nivelin më të lartë të taksimit së bashku me Kosovën ne Rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ndryshe nga Kosova, Bosnja Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi nuk mbron prodhuesit e vegjël.  ( detajet ne aneksin 1). I vetmi vend që nuk aplikon taksim të diferencuar është Serbia dhe kjo ka një arsye, nuk ka më prodhim vendas, sepse të gjitha fabrikat vendase janë blerë nga kompani të mëdha evropianë që punojnë me licencë dhe nuk mund të përfitojnë nga taksimi i diferencuar”, pohoi ai.

Ndërsa Niko Lera tha se nivelet e akcizës janë më të ulëtat në Europë.  “Sa është niveli i akcizës? Ne e kemi shkruar 0,03 euro për birrën me 5%. Kjo do të thotë se një konsumator që merr një litër birrë dhe e paguan 400 lekë akciza është 4-5% të çmimit final. Greqia e ka 7 herë akcizën më të lartë se Shqipëria, Sllovenia gjithashtu 7 herë më të lartë”, argumentoi Lera.

Pas dëgjimit të konkluzioneve nga Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese u tha se vendimi përfundimtar do të njoftohet brenda 30 ditëve.

Konkluzionet përfundimtare dërguar Gjykatës Kushtetuese nga Shoqata e Prodhuesve dhe Tregtuesve të Pijeve alkoolike vendase dhe Shoqata e Mikrobirrarive Shqiptare 

Prej datës 01 Janar 2023 Akciza e birrës shqiptare për prodhuesit e vegjël është rritur 2 fish.

Përfaqësoj 14 biznese nga të cilat 10 janë mikrobirrari. Të gjitha këto biznese prej 14 muajsh po përballen me konkurrencën e kompanive që kanë një aktivitet të zhvilluar globalisht.

Vetëm një kompani prezente në 60 shtete për vitin 2023 ka prodhuar 188 Milionë Hektolitra, kundrejt 3 Mijë Hektolitra që kanë prodhuar në të njëjtin vit së bashku birrat artizanale, si: “ Puka”, “Pan”, “Gjyshit”, “Gjallica”, “Karabash”, “Saraçi”, “Altenberg”, “Brahause Beer”,” Dys”.

Kërkohet respektimi i parimeve kushtetuese të lirisë ekonomike

“Sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë bazohet në ekonominë e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike. Kufizime të lirisë së veprimtarisë ekonomike mund të vendosen vetëm për arsye të rëndësishme publike”

Si pasojë e aplikimit të ……Anëtarëve të Shoqatës së Prodhuesve të Pijeve Alkoolike vendase Birra “Kaon”, “Korça”, “Stela”, “Tirana” dhe 10 mikrobirrari që operojnë në vend, iu është kufizuar liria e veprimtarisë ekonomike në kundërshtim edhe me standardet e BE-së për të cilat po punohet të përmbushen me qëllim anëtarësimi.

Argumentet që kemi sjellë në vëmendjen tuaj

PROCEDURA E NDRYSHIMIT LIGJOR PPR UNIFIKIMIN E TAKSIMIT ME AKCIZË

Rritja 2 fish e Akcizës se Birrës nuk u konsultua me grupet e interesit gjatë hartimit të projekt ligjit, por vetëm ne një seance formale ne Komisionin e Ekonomisë pas miratimit të ligjit “Për Buxhetin e Shtetit” gjë që e bënte te pamundur reflektimin edhe nëse do të ndodhte.

Rritja e menjëhershme 2 fish e Akcizës se Birrës, pa asnjë studim për impaktin që do të kishte tek bizneset prodhuese brenda dhe jashtë vendit me kapacitete prodhimi nën 200 mijë HL dhe impaktin që do të kishte tek konsumatorët, sidomos ato më të ardhura të ulëta.

Vetëm 1 arsye u dha nga hartuesit dhe miratuesit e propozimit: “Pritëm që të rriteshin, nuk ndodhi prandaj e hoqëm fare diferencimin se i pengonte”. Rezultati: Rënie të prodhimit vendas, të numrit të punësuarve me 2 shifra.

PËRMBAJTA E NDRYSHIMIT LIGJOR

Ka rritur ngarkesën fiskale në një nivel të paprecedente, sa 2-fishi i nivelit ekzistues, vetëm për prodhuesit nën 200 mijë HL në vit dhe pa rritur nivelin e taksimit për prodhuesit mbi 200 mijë HL.

Nuk ka sjellë përafrim me Legjislacionin e BE-së, por e kundërta ka ndodhur, në kundërshtim me nenet 34 dhe 70 te MSA-BE Shqipëri, Ligji Nr 9591 datë 27.07.2006 është hequr plotësisht diferencimi i përafruar sipas nenit 4 të Direktivës 92/83/EEC.

Nuk është skeduluar rritja sipas standardeve që ofron i njëjti ligj për nënproduktet e duhanit  me rritje 3.7% në vit të shtrirë në 4 vite. Ndryshimi nuk është harmonizuar në të gjitha produktet e akcizës, por vijon të ruajë diferencim për produktin verë që hyn në të njëjtën kategori të pijeve alkoolike, duke deformuar tregun e lirë.

IMPAKTET E NDRYSHIMIT LIGJOR

Prodhimi vendas në vitin 2023  nuk është rritur siç pretendohej, si rezultat i unifikimit, por është ulur me 11%. Si rezultat i rënies të prodhimit vendas, gjatë vitit 2023 ka rënë numri i të punësuarve deri 15%.

KOSTOT E PRODHIMIT TE BIRRËS NE SHQIPËRI

Është argumentuar se: lëndët e para për prodhimin e birrës në Shqipëri blihen të gjitha nga importi, duke krijuar një kosto rreth 25% më të lartë se kosto për njësi e prodhuesve të birrave nga vendet e BE-së etj.

Për monitorimin e prodhimit të birrës aplikohet Pullë Fiskale, duke rritur kostot për prodhuesit vendas të birrës. Pulla Fiskale nuk aplikohet në asnjë vend të botës, pasi nuk ka peshë të rëndësishme në të ardhura për shkak të përmbajtjes së birrës 95% ujë dhe vetëm 5% alkool.

CËNIMI I LIRISË SË VEPRIMTARISË EKONOMIKE

Kemi argumentuar se: prezumimi i pajtueshmërisë së akteve ligjore me Kushtetutën nuk është i mjaftueshëm për të justifikuar ndërhyrjen jo proporcionale në të drejtat dhe liritë e individëve, siç është liria e veprimtarisë ekonomike. Ndryshimi ka cenuar aktivitetin edhe të shoqërive prodhuese nga vendet e Bashkimit Europian të cilët, për shkak të ndryshimit ligjor në kundërshtim me nenin 34 të MSA Shqipëri-BE dhe Direktivën 92/83/EEC , nga 1 Janari 2023, nuk përfitojnë trajtim të diferencuar si në vendet e tyre për eksportet drejt Shqipërisë.

Vendosja e një raporti të drejtë ndërmjet kapaciteteve prodhuese të prodhimit  dhe barrës fiskale me të cilën këto subjekte janë të ngarkuar, është një kriter i cili garanton, zbatimin e parimit të proporcionalitetit të masave fiskale, në raport me të drejtën e prodhuesve për ushtrimin e veprimtarisë ekonomike si dhe përputhshmërinë e legjislacionit shqiptar me kuadrin rregullator të BE-së.

Pretendimi i paraqitur si argument për mbrojtjen e këtij ndryshimi ligjor që citoj…” i pritëm 10 vite me shpresën që do të rriteshin mbi 200 mijë litra në vit, dhe meqë nuk ndodhi e hoqëm diferencimin” është e pretendim që bie ndesh me parimin e lirisë ekonomike dhe logjikën e funksionimit të një njësie prodhimi. Nëse të gjitha kompanitë që prodhojnë në Shqipëri do të rriteshin në mbi 200 mijë HL në vit do të duhet të ndalohej importi, sepse konsumi maksimal vjetor i birrës është rreth 1 Milion Hektolitra

Unifikimi i tarifës, i cili në thelb konsiston në rritjen e barrës tatimore për tatimpaguesit, përbën ndërhyje në të ardhurat që tatimpaguesi synon të sigurojë nëpërmjet ushtrimit të veprimtarisë ekonomike dhe që është qëllimi thelbësor i kryerjes së kësaj veprimtarie.  Ndërhyrja në këto të ardhura pa një analizë kosto-përfitim (raportin mes efekteve pozitive dhe negative të ndërhyrjes) për tatimpaguesin për të justifikuar rritjen e barrës tatimore për prodhuesit e vegjël vendas, përbën shkelje jo proporcionale të lirisë së ushtrimit të veprimtarisë ekonomike.

CËNIMI I NENEVE 34 DHE  70 TË MARRËVESHJES SË STABILIZIM ASOCIIMIT

Kemi argumentuar se: Marrëveshja e Stabilizim Asocimit është ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë me ligjin nr. 9590, datë 27/07/2006. Në bazë të nenit 122, të Kushtetutës marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara me ligj dhe të botuara në Fletoren Zyrtare janë pjesë e sistemit të brendshëm juridik në Shqipëri. Marrëveshja ndërkombëtare e ratifikuar ka epërsi edhe ndaj ligjeve të vendit që nuk pajtohen me të.

Neni 34  i MSA parashikon Ndalimin i diskriminimit fiskal. Palët shmangin marrjen e masave ose shfuqizojnë praktikat me natyrë fiskale të brendshme, ose ato ekzistuese që shkaktojnë drejtpërsëdrejti ose tërthorazi diskriminim ndërmjet produkteve të njërës Palë, dhe produkteve të ngjashme që e kanë origjinën në territorin e Palës tjetër. Në rastin konkret prodhues nga vendet anëtare të BE-së, eksportues birrë në Shqipëri sipas fashës nën 200 mijë HL në vit, janë diskriminuar në raport me detyrimet që burojnë nga Neni 70 i MSA ku parashikohet se Shqipëria do të sigurojë që legjislacioni ekzistues dhe i ardhshëm të zbatohet dhe imponohet si duhet”.

Kryerja e ndryshimeve ligjore në kundërshtim me direktiva te përafruara përbën shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim Asoocimit.

CENIMI I PARIMIT TË SIGURISË JURIDIKE

Kemi argumentuar se: Parimi i sigurisë juridike garanton parashikueshmërinë e sistemit normativ. Nxjerrja e normave juridike nuk i shërben vetëm zgjidhjes së një konflikti të mundshëm ose rregullimit të një situate të parregulluar më parë. Ky proces duhet të krijojë përshtypjen te subjektet e së drejtës se përmbajtja e normave juridike garanton siguri dhe qëndrueshmëri për të ardhmen. Siguria juridike trajtohet edhe si kusht për vlefshmërinë materiale të një akti, duke garantuar pandryshueshmërinë në parim të akteve normative, ku i kushtohet vëmendje rregullimit të situatave pa ndryshime substanciale në vazhdimësi, pasi në të kundërt do t’i vendosnim subjektet e së drejtës në pozicione të papëlqyeshme dhe të pafavorshme për ta (shih vendimet nr. 2, datë 18.02.2013; nr. 33, datë 24.06.2010; nr. 10, datë 19.03.2008; nr. 26, datë 02.11.2005 të Gjykatës Kushtetuese).

Aplikimi i një niveli taksimi të rritur dyfish, edhe sikur të ishte i justifikuar për nevoja të rritjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit, nuk mund të analizohet në mënyrë të njëanshme pa marrë në konsideratë efektin zinxhir që shkaktohet në aktivitetin ekonomik te biznesit që preket nga ky ndryshim dhe efektet negative në të ardhura tatimore si TVSH, tatim fitimi, sigurimet shoqërore, shëndetësore etj./ Monitor


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *