• |
ide | kryesore

Turizmi nxit birrën e huaj/ Importet rriten me 9%, bie konsumi vendas

Lajme, Të fundit



Importet e birrës vijojnë tendencën e rritjes. Sasia e birrave të importit në periudhën janar-korrik 2023 u rrit rreth 9% krahasuar me vjet. Sasia e importuar më e lartë për këtë vit u shënua në muajt janar-shkurt, kur importet u rritën 56% më shumë se vjet.

Kujtojmë se në këtë periudhë, për shkak të rritjes së kostos nga akciza që hyri në fuqi nga 1 janari 2023 dhe temperaturave të ftohta të dimrit, disa fabrika vendase morën vendimin për fikjen e tyre deri në muajin mars.

Në total, sipas të dhënave të MFE për 7-mujorin, në tregun shqiptar kanë hyrë 30,3 mln litra birrë, kundrejt 27,9 milionë litra që u importuan vjet.

Deri para fillimit të sezonit turistik, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, importet e birrës në periudhën janar-maj zunë 60% të konsumit të tregut. Rreth 40% e kërkesës për produktin birrë mbulohet nga prodhimi shqiptar.

Në vitin 2022, birrat e importit zinin 51% të tregut.

Rritja e peshës së birrës së importit është ndikuar nga humbja e konkurrueshmërisë të birrës vendase. Në periudhën janar-maj 2023 prodhimi vendas u tkurr 16% kundrejt së njëjtës periudhë të 2022. Në 8 vitet e fundit (periudha krahasuese 2015-2023) kjo ishte ulja më e madhe e prodhimit vendas për 5- mujorin, pas tkurrjes së theksuar në periudhën e pandemisë së Covid-19 nga mbyllja e ekonomisë.

Nga nisja e sezonit turistik dhe deri tani konsumi si për prodhuesit e mëdhenj të birrës shqiptare, ashtu edhe për punishtet artizanale nuk është më i lartë se vjet. Një nga operatorët pohoi se krahasuar me vjet konsumi për birrën vendase është më i ulët, pasi më tepër preferohen birrat e huaja, që ofrohen me çmim më të ulët.

Kryetari i Shoqatës së Birrës Vendase dhe të Mikronjësive Artizanale Xhimi Begaja tha për Monitor se konsumi për birrën artizanalë është në nivelet e viteve të kaluara. Begeja tha se çmimet kanë mbetur të pandryshuara dhe se birrat artizanale vijojnë të kërkohen nga turistët e huaj.

Sakaq prodhuesit e birrës shqiptare vijojnë të jenë në gjendje të rënduar nga shtimi i kostove, se pari për shkak të dyfishimit të akcizës që nisi zbatimin nga 1 janari 2023 dhe sërish nga shtrenjtimi i lëndëve të para në tregjet e huaja. Prodhimi i vendit para ndryshimeve fiskale ka qenë i tarifuar me 360 lekë/HL për prodhuesit nën 200,000 Hl, ndërsa për prodhimin mbi këtë nivel akciza ishte 710 lekë. Pas ndryshimeve në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, taksa u unifikua në 710 lekë të prodhuesve nën dhe mbi 200,000 Hl, si vendas dhe të huaj.

Përç shtrenjtimit të kostos nga akciza prodhuesit vendas po përballen sërish me rritje të çmimeve të lëndëve të para. Kryetari i Shoqatës së Birrës Vendase dhe të Mikronjësive Artizanale Xhimi Begaja dhe prodhuesi i birrës “Puka” pohoi se aktualisht ka sërish rritje të çmimeve të lëndëve të para në tregjet e huaja, kryesisht të birrës malto për shkak të krizës së drithit me Rusinë./ Monitor



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *